
Mehmetaj tha gjithashtu se do të shpresonte që të ishte Shqipëria ajo që duhet të kishte treguar këtë shembull dhe për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.
Pas zgjedhjeve, ajo tha se duhet edhe reflektim.
“Ajo qe ka ndodhur ne Kosove gjatë muajve të fundit, në fakt jo vetëm ditën e djeshme, është një tregues që jo vetëm Kosova është forcuar shumë si një shtet me institucione që funksionojnë, por dhe me demokracinë që forcohet dita-ditës, pse jo për të dhënë dhe disa mësime pozitive për vendet e rajonit, apo neve më konkretisht".
Mehmetaj, e ftuar në "7pa5", Vizion Plus, tha se Kosova me zgjedhjet e të dielës ka dhënë disa mesazhe pozitive për vendet e rajonit e konkretisht për Shqipërinë.
Ajo shtoi se "duke nisur nga dorëheqja e zotit Haradinaj që i hapi rrugën zgjedhjeve të parakohshme, menjëherë me fillimin e ngërçeve politike pa e çuar vendin në kriza të parikuperueshme deri tek dita e djeshme. Një ditë e mirë dhe pozitive ku liderët e partive komunikuan me qytetarët e i falendëruan për votimin e ditën e qetë, si dhe pranuan secili pozicionet e tyre".
"Shpresoja dhe do shpresoja shumë që të ishte e kundërta dhe te ishim ne ata që do i kishim dhënë shembujt edhe për Kosovën apo dhe vendet më të vogla se ne brenda rajonit. Por ndonjëherë duhet edhe kjo për të sjellë pak reflektim.”
E ndalur tek çështja e integrimi, Mehmetaj deklaroi se opozita do t’i përgjigjet pozitivisht çdo ftese të bërë nga çdo institucion ndërkombëtarë, duke sjellë në vëmendje këtu edhe ftesën e OSBE/ODIHR për tryezën zgjedhore. /Afp.al