Euro të tepërta në ekonomi, BSH: Si kemi vepruar ta ndalim “pushtimin”

Euro të tepërta në ekonomi, BSH: Si kemi vepruar ta ndalim “pushtimin”
“Ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor patën për qëllim frenimin e ritmit mbiçmues të kursit të këmbimit. Në kushtet e mosndërhyrjes, mbiçmimi i shpejtë dhe i fortë i kursit të këmbimit rrezikonte arritjen e objektivit të inflacionit”

Institucionet që kryejnë veprime me pará, por dhe gjithë qytetarët duhet të përdorin sa më shumë lekun dhe sa më pak euron.

Një apel i tillë u është drejtuar atyre që vjet nga Banka e Shqipërisë, shoqëruar edhe me masa konkrete, për ta ndalur kështu “pushtimin” e ekonomisë vendase prej monedhës evropiane. Dukuri kjo, e cila u shoqërua së fundmi edhe me një zhvlerësim të dukshëm të saj në kursin e këmbimit, duke prekur “fundin”.

Pikërisht, rreth masave konkrete që ka marrë vjet për ta ndalur atë, Banka e Shqipërisë i ka raportuar Kuvendit. Ajo e fillon nga dokumenti i firmosur një vit më parë, në 7 shkurt 2018, nga Këshilli Mbikëqyrës i cili përcaktonte rregulla të posaçme për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare nëpër banka, por edhe në institucione të tjera financiare.

“Rritja e normës së rezervës për detyrimet në valutë në 12.5%, nga 10% dhe zvogëlimi i saj për detyrimet në lekë deri në 7.5%, nga 10%”, sqaron BSH-ja. Duke treguar sesi i ka shtrënguar bankat që të mbledhin në këtë mënyrë sa më shumë euro brenda tyre, e për të mbetur kështu më pak në qarkullim. Kësaj duket se i ka shërbyer edhe masa tjetër për rritjen e aktiveve në euro deri në masën prej 20%, nga 15% që kanë qenë më parë.

“Ngritja e vetëdijes së huamarrësve për rreziqet që lidhen me huamarrjen në valutë të huaj. Për këtë qëllim, bankave u kërkohet t'i propozojnë huamarrësit një kredi alternative në lekë”, pohojnë gjithashtu ekspertët e BSH-së.

Që të gjitha këto, ndryshime që sipas bankës qendrore kanë ndikuar që gjatë vitit të kaluar, ekonomia të pësojë një lehtësim nga ajo që njihet si “euroizimi” i ekonomisë. E thënë ndryshe, nga mbingopja e saj me valutë të huaj, gjë që sjell edhe shtrenjtim të fortë të lekut e siç e pamë për muaj me radhë, edhe një rënie drastike të euros në tregun e brendshëm të këmbimit valutor.

 

Si u ndërhy në tregun tonë valutor që euros t’i rritej vlera e “rënë përtokë”?

“Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun valutor në gjysmën e dytë 2018. Ndërhyrjet kanë synuar frenimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit për të shmangur rrezikun e rënies së inflacionit në vlera negative”. Kështu komentojnë ekspertët e bankës qendrore në raportin e tyre vjetor. Duke shtuar mes të tjerash se kanë qenë pikërisht të tilla ndërhyrje, të cilat kanë mundësuar sipas tyre edhe një stabilitet çmimesh me kalimin e kohës. “Por këto ndërhyrje nuk kanë për qëllim arritjen e një niveli të caktuar të kursit të këmbimit. Regjimi i kursit të këmbimit mbetet i lirë, por ndërhyrjet kanë rezultuar efektive në zbutjen e luhatjeve të tij”, sqarojnë gjithashtu ekspertët. Duke përfunduar se ky efekt i ka ndihmuar të gjithë operatorët ekonomikë që të kenë më pak humbje financiare në veprimet e tyre, falë mëkëmbjes së euros.