“Antena Jashtë Familjes” sjell sot bisedën e shkurtër e bërë me ish-figurën e shquar të PS-së dhe ish konkurrentin më të madh të shokut Erion Veliaj, shokun Saimir Tahiri. Në bisedën me të, folëm më së shumti për udhëtimin e tij në Mal të Zi, një vit e ca më parë.
Ja bashkëllafosja e bërë me të:
Antena: Përshëndetje shoku Saimir! Sapo morëm vesh që në muajin korrik të vitit të kaluar ishit për një vizitë me jaht, në Mal të Zi. Si qëndron e...?
Saimir Tahiri: E vërtetë është. Isha, nuk e mohoj. E di edhe Mimi këtë gjë.
Antena: Cila Mimi? E keni llafin për ish-ministrin e Mbrojtjes?
Saimir Tahiri: Sigurisht që për të. I thashë kur isha mbi jaht. Doja të ikja për një xhiro në Sarandë, por më ngatërroi Mimi.
Antena: Ju ngatërroi shoqja Mimi? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. E si ju ngatërroi?! Me ndërgjegjie, apo me pa...?
Saimir Tahiri: ...Di që kur e mora në telefon dhe e pyeta se në ç'drejtim ta ktheja jahtin, pasi sistemi i radarëve nuk më punonte as mua, ajo më tha në telefon. -Mbaje lart! Dhe unë lart e mbajta. Dhe në vend që të shkoja në Sarandë, mbërrita në Mal të Zi. Ja, kjo ishte e gjitha.
Antena: Pse ta ketë bërë ketë shoqja Mimi? A keni ndonjë ide?
Saimir Tahiri: Pa të keq e ka bërë. Ma sqaroi kur mbërrita në Tiranë. Doja të të thosha, mbaje lart moralin, -më tha, -por iku linja telefonike, e ti nuk më dëgjove deri në fund.
Antena: D.m.th., shoqja Mimi po ju jepte kurajo, meqë po kalonit situatë të vështirë politike.
Saimir Tahiri: Eeee, ashtu! Edhe ajo po e parandiente që nuk do ishte më ministre, se do ia ngopte shoqja Olta dhe ato kohë kurajosnim njëri-tjetrin. Ja kështu ka ndodhur...
Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj