
Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit tha se nuk do të diskutohen propozimet e opozitës jashtë Parlamentit, mirëpo brenda mbledhjes u tha se ftesa për ta do të jetë gjithmonë e hapur.
“Çfarë propozimesh? Për Komisionin e Reformës nuk ka sjellë propozim”, tha Gjinkuri i pyetur për A2. Por brenda mbledhje me dyer të mbyllura, mësohet se ai ka thënë: “Opozitën jashtë Kuvendit do ta ftoj sa herë të ketë mbledhje”, u shpreh Damian Gjiknuri sot pas mbledhjes.
Nga mbledhja u dha afat një javë që ekspertët të sjellin propozime për çështje që lidhen me median, administratën publike, barazinë gjinore dhe për financimet e fushatave zgjedhore.
Një ditë më parë ishte po Gjiknuri që i bëri ftesë opozitës jashtë parlamentare që të ishte në mbledhjen e sotme, por refuzimi erdhi nga Oerd Bylykbashi, i cili në studion e A2 tha se opozita nuk do jetë pjesë e diskutimeve të një komisioni qe e quajti ilegjitim.
Gjatë mbledhjes pritet të përcaktohet edhe plani i punës për reformën, të cilën, Partia Socialiste është e vendosur ta ndajë në dy pjesë, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe kërkesat e opozitës për ndryshimin e sistemit, sidomos ligjit të financave të partive politike.
Në tryzë, me maxhorancën, e pranishme ishte opozita brenda Kuvendit.
Deputetja e opozitës parlamentare dhe bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore deklaroi për mediat se afati i kryerjes së Reformës Zgjedhore mbetet në varësi të vendimit të Këshillit Europës në 18 tetor për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Hajdari shtoi se do të ngrihen grupet e punës të përbërë me deputetë të parlamentit që do të merren me disa çështje, si: financimi i partive, vota e emigrantëve, etj.
‘’Folën për proçesin në tërësi. Do të fillojmë të ngremë grupet e punës, ku njëri do të merret për ndryshimin e sistemit. Ka një propozim nga opozita parlamentare. Edhe shoqëria civile ka depozituar rekomandimet e saj. Do t’i marrim parasysh këto rekomandime. Grupet e tjera të punës do të merren me financimet e partive, votën e emigrantëve dhe ndryshimin e sistemit, të cilat do të përbëhen me deputetë të Komisionit Parlamentar’’, u shpreh Rudina Hajdari.
Pavarësisht se PD-ja nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të Komisionit të Reformën Zgjedhore, Hajdari tha se tryeza mbetet e hapur për bashkëpunim me selinë blu dhe partitë e tjera opozitare.
‘’Ftesa mbetet e hapur për PD-në dhe partitë e tjera. Do të donim shumë të sillnin propozimet e tyre, do të donim një dakordësi nga të gjitha palët sepse kjo reformë bëhet për të gjithë shqiptarët. Të gjejmë gjuhën e përbashkët për të krijuar një sistem afatgjatë. Do të ketë reformë tërësore, nuk na ndalon të diskutojmë çështjet e OSBE-ODIHRIT, vendimi do të merret në bashkëpunim të plotë. Opozita parlamentare ka vetëm një qëllim, është ndryshimi i sistemit, që shqiptarët të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët e tyre të preferuar. Ne për këtë po luftojmë’’, theksoi Rudina Hajdari./Afp.al