Profesionistët!

Profesionistët!
Nga Juela Meçani

Kur ke shumë vite eksperiencë në televizion e media, je me fat sepse ke një sens kritik e një sy të sprovuar mbi cilësinë e një spektakli, koncerti, emisioni. Por ka dhe një problem të madh sepse ky syri yt kritik, i mësuar e i shtruar nga të vjetrit e televizionit dhe skenës, ata të kohëve me kabuj tokësorë, kamera të rënda, drita e skenografi teatrale, ata kolosët shumë larg digjitalizimit, kur ke qenë bijë e tyre, je mësuar me një stekë të lartë e dreqi e mori, nuk e ul dot më në vazhdimësi. Syri yt kritik dallon çdo detaj dhe vlerë.

Kam shkruar shpesh për mungesën e një kritike të mirëfilltë arti dhe televizioni sepse balanca është shumë e nevojshme, kur është pozitive dhe dëshirëmirë, është një shtysë shumë e vyer për artistët dhe profesionistët e fushës. Por ka një mungesë të plotë, ose më e sakta, ka një mori kritikësh pa patentë që janë publik që shpreh atë që mendon, ka edhe kolegë artistë që shprehin atë që vlerësojnë por jo gjithmonë larg nga xhelozitë, ka dhe një ushtri me gazetarë që vlerësojnë një event, por bëhet e vështirë kjo e fundit, në sensin që të qëndrosh larg qokave e miqësive personale. Ruhesh shumë edhe nga hatërmbetjet se artistët janë dhe shumë sedërmëdhenj e nuk e kapërdijnë  kollaj kritikën.

Por një gjë është e sigurt, panorama e kulturës shqiptare ka nevojë për një gjë të vetme që kur e ka, shkëlqen. Një grup profesional profesionistësh që bëhen bashkë në një projekt. Disa elementë që, secili në fushën e tyre, vënë në skenë një produkt cilësor, në standarde evropiane e pse jo, botërore.

Parmbrëmë ime bijë më shtyu që ta shoqëroja në një koncert recital që zhvillohej në Amfiteatrin e Tiranës. Këngëtarja Soni Malaj vinte në një recital duke çelur kështu stinën e ngrohtë të eventeve aty. Filloi e mbaroi nën piklat e shiut por askush nuk luajti vendit, madje koncerti, në të tërën e tij, na shkundi pluhurin rutinor e burokrat, harruam se cilët ishim e u ngritëm duke kërcyer të gjithë, pa përjashtim. Pse, mendoni ju? Sepse kjo ndodh kur bëhen bashkë profesionistët në art. Një performuese karriere si Soni Malaj, e cila këndoi live, një foni që këtë zërin e saj live e transmetoi me dinjitet në një hapësirë të rrezikshme si një koncert në natyrë, një ekip ndriçimi dhe efektesh që na ngrohu edhe pse kishim veshur xhupat në maj, një trupë baleti spontane dhe sensuale, një regji televizive moderne por me një regjisor të “gardës së vjetër” si Petri Bozo, veshje skenike të stiluara me maestri dhe me efekt goditës, të gjitha këto me një menaxhim profesional. Pra syri kritik i një gazetari të regjur dhe shpirti qytetar u bënë bashkë sepse fatkeqësisht nuk janë kaq të shpeshta aktivitete të këtij niveli. E kur mbaron ditën me një kënaqësi të tillë, e pashmangshme është që t’i bësh pyetjen vetes: “Pse nuk ka gjithmonë e më shumë evente të këtij kalibri? Çfarë i pengon profesionistët që të bëhen bashkë?”

Kjo pyetje edhe të trishton, sepse nëse të tilla evente do të ishin jo sporadike në Tiranë dhe jo vetëm, sa më të lehtë do ta kishim që të edukonim fëmijët tanë me një muzikë të mirë për sytë dhe veshët, sa më të lehtë do e kishim që të mos turreshin pas tallavasë e pseudoartistëve por të rrisnin stekën e shijeve edhe ata, si ne të brezit tim, që për fatin tonë vijmë nga kohë të arta.