Intervista/ Flet pedagogu i UBT, Prof. Lush Susaj: Adresimi i zgjidhjeve jashtë UBT është gabimi fatal i politikës

Intervista/ Flet pedagogu i UBT, Prof. Lush Susaj: Adresimi i zgjidhjeve jashtë UBT është gabimi fatal i politikës
Pakëz dritë mbi çudinë që po ndodh në kampusin e Universitetit Bujqësor

Alber Zholi

 

Universiteti Bujqësor thuhet se është unik dhe i pakrahasueshëm me universitetet e tjera, pse?

 

Universiteti Bujqësor i Tiranës i krijuar që në vitin 1951, mbart kontribute, kujtime dhe vlera të jashtëzakonshme për historinë e zhvillimit arsimor, shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë. Deri në vitin 1990 dhe më pas, të gjitha zhvillimet pozitive në fushën e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë, ushqimit, agropërpunimit, agroeksportit dhe turizmit, e kanë zanafillën tek platformat, programet dhe projektet e hartuara e të zbatuara nga dora dhe mendjet e ndritura të profesorëve dhe studentëve të dalë nga katedrat dhe auditorët e universitetit bujqësor. Universiteti Bujqësor i Tiranës, për nga specifikat e kurikulave dhe programeve mësimore që zhvillohen, për nga specifikat e praktikave mësimore e profesionale që duhet të kryhen mbi bimët dhe kafshët që rritën në ambiente të hapura, për nga specifikat e hapësirave të gjera që duhen për bazën e mekanikës bujqësore e blegtorale, për nga specifikat e hapësirave të tjera që duhen për stallat dhe klinikën veterinare, për vreshtin dhe pemëtoret didaktike, për koleksionet dhe kopshtin botanik, për serat e kultivimit të luleve dhe perimeve, për kantinat e pijeve alkoolike, etj, njëlloj si në të gjitha vendet e tjera të botës, është unik, është shumë kompleks dhe i pakrahasueshëm me asnjë nga universitetet e tjera të vendit. Për arsyet e mësipërme, funksionimi dhe problematikat e Universitetit Bujqësor të Tiranës, janë pak ose aspak të njohura dhe të kuptueshme për të gjithë ata që nuk e kanë jetuar dhe që nuk e njohin nga afër bujqësinë, blegtorinë dhe specifikat e zhvillimit rural, ushqimor, agroindustrial dhe agroturizmit.

-Si do ta cilësoje adresimin e zgjidhjeve jashtë jashtë Universitetit Bujqësor ?

Adresimi i zgjidhjeve jashtë Universitetit Bujqësor është gabimi fatal i politikës.

Për fatin tonë të keq, pas vitit 1992, pavarësisht nga sofizmi dhe demagogjia e bollshme e drejtuesve politik të radhës (që me një të vajtur në ndonjë fermë në periferi të Tiranës apo Lushnjes mendojnë se menjëherë janë bërë edhe agronom, veteriner, enolog, lulishtarë, etj), bujqësia shqiptare është e harruar, e keqdrejtuar, e abuzuar, për më keq, e vjedhur dhe e zhytur në humnerën e thellë të injorancës dhe zhvillimit kaotik, pa standarde dhe pa mundësi konkurrimi në projektet dhe tregjet rajonale dhe më gjerë. Kjo mënyrë e gabuar e zhvillimit spontan dhe kaotik të bujqësisë e ka degraduar punësimin, stabilitetin social e shoqëror, zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe të ekonomisë, si dhe element të tjerë që lidhen me cilësinë ushqimore dhe mirëqenien e popullatës në fshatrat dhe qytetet tona. Kjo e keqe me emrin e njohur “Drejtim i Verbër dhe Kaotik i Bujqësisë”, pas vitit 1992 është zhvilluar edhe më shumë duke u bërë pengesë dhe kërcenim i madh për punësimin dhe ekonominë. Drejtimi i verbër i bujqësisë shqiptare është njëra nga veprat më të zeza të politikës së korruptuar të këtyre 27 viteve nga ku ka buruar fragmentarizimi ekstrem i tokës bujqësore si dhe janë shkatërruar investime dhe resurse të jashtëzakonshme gjenetike, turistike e mjedisore. Përmes drejtimit të verbër dhe kaotik të këtyre dy dekadave janë vjedhur investimet, projektet dhe donacionet që për fatin e keq të shqiptarëve, kurrë nuk arritën tek toka, as tek bima, as tek blegtoria, as tek agroindustria dhe as tek prodhimi bujqësor. Këtë të keqe të madhe e kanë realizuar përmes goditjes që stafet politike bënë ndajë traditës së lidhjes dhe bashkëpunimit organik e shumëvjeçar të institucioneve të bujqësisë me Universitetin Bujqësor. Në këtë mënyrë, politika e korruptuar mundi që të zëvendësojë universitetin me shoqatat e militantëve të sajë e që shërbyen vetëm sa për të kopsitur dosjet fiktive për projektet, investimet dhe donacionet që rezultuan me zero impakt mbi punësimin dhe prodhimin bujqësor të vendit. Nga shkatërrimi i këtij bashkëpunimi institucional, u mënjanuan specialistët dhe ekspertet më të mirë të vendit, në këtë mënyrë është fikur me dashje drita e dijes, e transparencës dhe oponencës së mirëfilltë shkencore në bujqësi. Për pasojë të gjitha ligjet, rregulloret, studimet dhe strategjitë e realizuara (të ripërsëritura e të rishitura me kopi peis në vite), janë jashtë realitetit, pa asnjë bazë shkencore dhe pa asnjë impakt pozitiv. Përkundrazi kanë sjellë kaos dhe humbje të panevojshme të kapaciteteve konkurruese dhe integruese në tregjet dhe trendin aktual të bujqësisë rajonale e botërore. Në këtë mënyrë, ringritja e bujqësisë shqiptare mund të mendohet dhe realizohet vetëm nëse zgjidhjet e duhura për ligjet, standardet dhe problematikat e tjera do të kërkohen në vendin e duhur, pranë departamenteve dhe studiuesve më të mirë të tregjeve dhe fushave përkatëse të prodhimit bujqësor. Koha prej 27 vitesh, është mëse e mjaftueshme për të kuptuar se shoqatat dhe mekanizmat mediokër e korruptiv të klaneve politike, pavarësisht nga figurantët dhe emërtimet që përdorin e ndërrojnë në çdo katër vite, nuk kanë as integritetin, as përgjegjësinë, as përvojën dhe as kapacitetet që mund të ofrojë Universiteti Bujqësor i Tiranës. Në këtë kontekst, Universiteti Bujqësor ka qenë, është dhe do të mbetet motori që me pak shpenzime dhe vullnet politik, mund të rindizet për të rifunksionalizuar dhe vu në lëvizje bujqësinë shqiptare.

 

-Nëse do flasim për infrastrukturën mësimore thuhet se është reduktuar?

Po, por në fakt, infrastruktura mësimore e Universitetit Bujqësor duhet të  rritet e jo të reduktohet.

Që nga viti 1951 e deri me datën 3 Prill 2019, pavarësisht nga regjimet dhe ekipet qeverisëse, UBT ka arritur që të funksionojë si një kampus universitarë i ngritur sipas një projekti fillestarë harmonik e të mirëmenduar. Në këtë kampus nuk ka asgjë të tepërt as kaotike. Çdo hapësirë dhe objekt është në pozicionin më të mirë të mundshëm dhe në funksionin e tijë të pazëvendësueshëm. Për të gjithë ata drejtues apo qytetarë, përfshirë këtu dhe gazetarët që nuk kanë njohurit e nevojshme mbi disa prej specifikave të prodhimit bujqësor dhe teknologjive bujqësore e blegtorale, po sjell disa fakte në lidhje me strukturën ekzistuese të universitetit, që sipas përvojës dhe njohurive të mia,  jo vetëm që nuk mund të reduktohet më shumë, por përkundrazi duhet që të financohet për ta ringritur dhe shtuar me hapësira, me kapacitete, me godina, me laboratorë të reja, etj, në shërbim të ringritjes së bujqësisë shqiptare.  Për të gjithë ata që nuk kanë qenë as studentë dhe as punonjës të këtij kampusi universitarë, e që hapësirat e tija të gjelbërta mund të ju dukën si pyje, si livadhe apo si djerrina të përshtatshme për t’i betonuar dhe kthyer në troje ndërtimi, po sjell në kujtesë disa fakte të njohura e lehtësisht të verifikueshme nga të gjitha mediet, politikanët dhe institucionet e vendimmarrjes. Nga viti 1990 deri në vitin 2019, numri i studentëve në këtë kampus është rritur nga 2500 në rreth 12000, ndërsa sipërfaqja e gjelbërt (m2/student) është reduktuar mbi tetë herë. Pavarësisht nga humbja e murit rrethues dhe humbja e një pjesë të vogël të territorit të kampusit (kryesisht nga ndërtimet pa leje), pavarësisht edhe nga dëmet e shkaktuara nga zjarri i vitit 1997, përsëri sipërfaqja e kampusit universitarë u arrit që të mbrohej e të ruhej deri në ditët e sotme si një strukturë e mirëfilltë funksionale dhe në shërbim të plotë të mësimit dhe të kërkimit shkencor. Në këtë mënyrë, stafi ja doli që të ruante mjedisin unik së bashku me komplekset e godinave të Fakultetit të Bujqësisë, të Ekonomikut, të Pyjeve, të Veterinarisë dhe të Mekanikës Bujqësore. Gjithashtu u ruajtën të pacenuara edhe godina e bibliotekës dhe ajo e laboratorit ku sot është vendosur stafi i Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Meqënëse praktikat tona mësimore, në mbi 90% të disiplinave shkencore të formimit profesional zhvillohen në natyrë, direkt mbi bimët, mbi kultivarët, mbi llojet e drurëve, mbi kafshët, mbi tokën dhe mbi agregatet e makinave bujqësore, etj, ky universitet nuk mund të mendohet që të mund të ekzistojë e të funksionojë pa patur vreshtën didaktike, si dhe koleksionin pomologjik dhe ampelografik, llojet kryesore të drurëve frutorë e pyjorë të rajonit, kopshtin botanik me speciet barishtore e shkurrore, serën e prodhimit të luleve dhe perimeve, spitalin veterinar, kantinën e përpunimit të rrushit, etj. Që të gjitha këto kanë qenë dhe duhet që të rifunksionalizohën pasi mungesa e tyre e pamundëson zhvillimin normal të mësimit për studentët dhe specialistët e bujqësisë, blegtorisë, mjedisit, lulishteve, bioteknologjisë, pyjeve, etj.

 

-Territori dhe ndërtimi shkollës, (godinës) në zëmër të territorit si ndikon, pozitivisht apo negativisht?

Ndërtimi i shkollës në zëmër të territorit, e shkatërron funksionimin e kampusit të UBT-së.

Në vitet 2015-2019, falë menaxhimit, bashkëpunimit dhe dëshirës së mirë të drejtuesve të zgjedhur të UBT, si dhe mbështetjes që dha kryeministri aktual Edi Rama, u arrit që të lirohen godinat e bllokuara nga banorët, si dhe disa nga hapësirat e zaptuara nga ndërtimet pa leje të lokaleve të shërbimit. Pas kësaj ndihme inkurajuese, përsëri nën kujdesin e kryeministrit u hartua dhe u miratua në senat dhe në Këshillin e Rregullimit të Territorit edhe mastërplani i zhvillimit të kampusit të plotë universitarë. Bashkë me kalimin ligjor të këtij dokumenti të rendësishëm, kryeministri i vendit dha edhe dy lajme të tjera të gëzueshme. Njëri lajm ka të bëjë me fondin që u akordua për ndërtimin murit rrethues të kampusit në të gjithë gjatësinë e tij (muri tashmë është përfunduar), ndërsa tjetri lajm ka të bëjë me fjalën që ai dha duke u bërë garant edhe për shpronësimet, pa cenuar asnjë metër katror të kampusit universitarë. Në këtë mastërplan, toka ku aktualisht na thuhet se do të ndërtohet shkolla, ndodhet në mesin e hapësirës së kampusit, ndodhet në nyjën që lidh godinat e fakulteteve. Në këto kushte, ndërtimi i shkollës do ta shkatërrojë anën funksionale dhe komunikuese të kampusit. Kujtoj faktin që në këtë sipërfaqe, sipas mastërplanit të vitit 2017, është planifikuar që të ndërtohet koleksioni pomologjik, ndërsa në parcelën me sipërfaqe 4 ha e që ndodhet ngjitur me të, është planifikuar që të ndërtohet një vresht didaktike. Parcela që aktualisht është rrethuar për ndërtimin e shkollës së re nuk ka qenë për asnjë ditë tokë djerr dhe as tokë e tepërt për universitetin. Deri në vitin 1990 ajo ka qenë vresht didaktike. Aty janë kultivuar 350 kultivarë rrushi. Duke filluar nga viti 1965 deri në vitin 1990, leksionet e vreshtarisë dhe të pemëtarisë zhvilloheshin në klasat e katit të dytë, ndërsa praktikat bëheshin 40-60 m larg nga klasat, studentët për 2-3 minuta rrugë arrinin tek praktikat në hapësirën e vreshtave. Edhe në vitet 1990-2019, në këtë hapësirë (që disa njerëzve ju është dukur si tokë djerr), janë zhvilluar dhe vazhdojnë që të zhvillohen praktikat e sistemimit dhe kullimit të tokave, ato të piketimit dhe ujitjes së vreshtave dhe pemëtoreve. Në këtë hapësirë zhvillohen praktikat e hartografisë dhe topografisë bujqësore, si dhe praktikat e tjera në ullishtari, agrumikulturë, pylltari, bërthamore, etj. Në këtë hapësirë të kampusit universitarë nuk ka asnjë pemë apo shkurre të pa regjistruar dhe pa një qëllim dhe funksion të caktuar. Që të gjitha bimët, përfshirë edhe atë që ka mbjellë vitin e kaluar Z Erion Velija, kanë një histori, kanë një emërtim shkencor, kanë një përshkrim dhe një teknologji të studiuar të kultivimit dhe të ekspozimit të tyre. Me këto pemë dhe hapësira mësojnë dhe përgatitën specialistët e ri e të vjetër të bujqësisë. Zanati ynë nuk është për epruveta dhe nuk mund të mësohet as ushtrohet brenda mureve me tavolina dhe kompjuter. Në këtë hapësirë të mastërplanit të miratuar të kampusit universitarë, që në vitin 2017 na u premtua që do të financohej edhe ndërtimi i dy godinave funksionale, njëra do të shërbente për Fakultetin e Bioteknologjisë dhe tjetra si Klinikë Veterinare. Në këtë mënyrë, kryeministri aktual Z. Edi Rama, si asnjë kryeministër tjetër i Shqipërisë, në më pak se 3 vite, e vizitoj universitetin tonë rreth 7 herë duke parë nga afër problemet, rrethimin, rrugët, parcelat, këndin sportive dhe ish fjetoret e degraduara. Si asnjë kryeministër tjetër, ndërhyri me forca dhe fadroma dhe e çliroj kampusin nga banesat dhe nga lokalet pa leje, si dhe nxiti financimin për asfaltimin e rrugëve, për rindërtimin e lulishteve dhe për rrethimin e menjëhershëm të kampusit me mur rrethues.

Përse duhet shkatërruar gjithë ky investim, kur për shkollën e re ka plotë hapësira të tjera? 

Ndërtimi i një apo dy shkollave të reja për fëmijët e banorëve të ardhur pas vitit 1990, është një lajm shumë i gëzuar për mua dhe për studentët. Ndërtimi i këtyre shkollave brenda murit rrethues të kampusit universitarë, në kushtet e një diskutimi normal që duhet të ishte bërë me parë me drejtuesit e universitetit, është plotësisht e mundur që të bëhet duke i planifikuar dhe ndërtuar shkollat në të tjera hapësira të lira. Shkollat mund të ndërtohen atje ku nuk e cenojnë funksionalitetin dhe kumunikimin midis fakulteteve dhe laboratorëve. Mjafton një s’postim i truallit me vetëm 50-100 m, në parcelën prej 4 ha, sipër godinës së veterinarisë ku mund të ndërtohen 2 apo 3 shkolla të tilla e që do të shërbenin si një zgjidhje shumë më e mirë për fëmijët e banorëve  dhe për ruajtjen e identitetit të kampusit universitarë. Shkolla mund të ndërtohet edhe në hapësira të tjera si psh në afërsi të fushës së sportit ose në hapësirat që ndodhen tek ish godinat e fjetjes së studentëve. Në të tilla kushte e mundësi nuk mund të ndërtohet në mes të kampusit, aty ku shkatërrohet komunikimi dhe funksionaliteti i UBT-së. Vendimi dhe këmbëngulja për të ndërtuar shkollën e re në vendin që aktualisht është rrethuar me llamarina, është sjellja më e gabuar ndajë universitetit, stafit pedagogjik, studentëve dhe të gjithë brezave që kanë dalë nga ky universitet. Në kushtet aktuale, kur brenda murit rrethues të të universitetit ka variante (hapësira) të tjera të shkëlqyera për truall ndërtimi, duhet të bëhemi të përgjegjshëm dhe bashkëpunues në shërbim të ndërtimit të shkollës së re dhe ruajtjes së identitetit dhe funksionalitetin e kampusit të Universitetit Bujqësor. Në të tilla kushte dhe për të tilla zgjidhje, nuk është e nevojshme që të humbasim asnjë orë mësimi dhe asnjë minutë kohë dhe energji me debate, me hamendësime dhe as me sofizma dhe demagogji.