Jo vetëm mediat holandeze, edhe ato botërore i kanë kushtuar jehonë fitores së Ajaks, në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Totenhem, në Londër, fitore që do të thotë se një javë më vonë në stadiumin që mban emrin e legjendarit Johan Krujf trashëgimtarët e tij vështirë se mund të gabojnë, për të ripërsëritur historinë. Edhe pse kanë ndryshuar kohërat, sepse për të konkurruar sot nuk është më po aq e lehtë fitorja ndaj ekipeve që mbështetet financiarisht nga biznesmenë miliarderë, dollarët e të cilëve shtohen prej gazit e naftës, apo të sfidosh ekipe me miliarda të tjera në rritje që përfitohen nga e drejta televizive falë ligave kryesore si në Spanjë, Angli apo Itali. Por nuk ka ndryshuar ndonjë gjë për Ajaksin, pavarësisht këtyre vështirësive që ia doli të “vrasë” një e nga një “më të mëdhenjtë”, që i dolën para në Champions. Ikën kampionët në fuqi të Europës, si Real Madrid, ikën edhe pretendentët për kurorën, si Juventus, e po ikën edhe një ekip me ambicie të mëdha që ka investuar për të prekur finalen e madhe. Ikën një e nga një favoritë në letër, por me Ajaksin superior në fushë. Kush e ka radhën në finale, nëse mrekullia e Ajaksit nuk do të ndërpritet?
“Finalja në horizont”, ishte titulli kryesor i tabloidit më popullor në Holandë, “De Telegraaf”, pas fitores 1-0 të Ajaks, falë golit të Donny van de Beek, në fillimin e ndeshjes. Klubi i madh holandez kishte pritur plot 23 vjet, për spektaklin e radhës. Shtrohet rruga e finales së Champions League për Ajaksin,” nënvizonin media holandeze, duke shtuar “njëmbëdhjetë djemtë e Erik ten Hag fituan ndeshjen që në pjesën e parë, duke dhuruar një performance mjeshtërore.” Më 8 maj do të luhet ndeshja e kthimit ndaj Totenhemit, por për holandezët mjafton superioriteti i treguar deri tani në fushë. Me histori e me “laps në dorë”, janë ata që nuk i besojnë më surprizave. Edhe pse në pjesën e dytë ndaj Totenhem, loja e Ajaks nuk ishte ajo e pjesës së parë, analistët nga vendi i tulipanëve thonë se skuadra e tyre ishte superiore në pjesën e dytë kundër Real Madrid dhe Juventus e ashtu si ndaj Totenhem, ndonëse triumfi u sigurua në pjesën e parë, i mjafton një fraksion loje, për fitoren.