Duke shtuar se kjo kategori që përfiton kthim të plotë financiar përbën 94% të totalit prej tyre që kanë sot pará nëpër banka. Total ky që numërohet të jetë prej 2.388.717 depozituesish. Që të gjithë të përfshirë në fakt në skemën e sigurimit të parave të tyre. Por nga të cilët 90.845 persona nuk përfitojnë dot mbulim të të gjitha depozitave të tyre, pasi i kanë ato mbi nivelin prej 2.5 milionë lekësh.
“Depozituesit individë me depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2018, janë 90.845 të tillë dhe shuma e depozitave të tyre arriti vlerën e 516.2 miliardë lekëve”, pohojnë ekspertët e ASD-së. Teksa shtojnë se që nga viti 2003, kur edhe nisi sigurimi ligjor i depozitave, totali i qytetarëve, të cilët kanë sot pará në banka është rritur gjashtë herë, krahasuar me vetëm 400 mijë depozitues që ishin në fillim të vitit 2003.
“Në fund të vitit 2018, vlera e depozitave që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1.079 miliardë lekë, duke përfaqësuar 96.3% të totalit të depozitave” , sqarojnë mes të tjerash ekspertët e ASD-së. Duke shtuar këtu se depozitat që mbulohen nga shteti në monedhën vendase, janë më shumë sesa ato në valutë të huaj. “Ato janë deri në nivelin prej 48.6%, ndjekur nga depozitat në euro 44.4% dhe depozitat në dollarë prej 5.1%”, shtojnë gjithashtu ekspertët.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, aktualisht siguron në masën 100% depozitat e individëve dhe bizneseve nëpër banka deri në kufirin prej 2.5 milionë lekësh dhe 2 milionë lekë në shoqëritë e kursim-kreditit
Biznesi më pak i garantuar se individët, pasi i ka depozitat mbi 2.5 milionë lekë
Në rast falimentimi të ndonjë banke në vend, biznesi është më pak i garantuar se individët, pasi depozitat e tij në pjesën më të madhe të tyre janë mbi 2.5 milionë lekë, që i siguron ligji.
Kjo konfirmohet nga vetë ekspertët e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, sipas të cilëve, “në ndryshim nga situata e depozitave të individëve, 90% e depozitave të tregtarëve e shoqërive tregtare janë me shuma mbi nivelin e mbulimit”. “Ato u korrespondojnë 7.105 depozituesve, të cilët përfaqësojnë 6% të depozituesve tregtarë, apo të shoqërive tregtare”, sqarojnë ata.
Duke dhënë edhe shifra konkrete. “Për sistemin bankar, këto depozita në dhjetor 2018 arritën në 156.8 miliardë lekë dhe gjatë vitit u rritën me nivelin prej 3.8%. Ku në rritjen vjetore ndikimin më të madh e kanë dhënë depozitat me shuma mbi 2.5 milionë lekë, konkretisht me nivelin prej 3.2%. Këto depozita kanë dhe peshën më të madhe në totalin e depozitave të sigurueshme të tyre, konkretisht 89.7%”, përfundojnë ekspertët.
Guvernatori i BSH: Rrjeta e sigurisë, bankave tani po u kërkohet më shumë kapital bazë
Sigurimi i depozitave konsiderohet si një instrument thelbësor për administrimin e krizave, duke zbutur rreziqet dhe ruajtur besimin në sistemin financiar.
Një fakt të tillë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e ka pohuar së fundmi gjatë takimit rajonal të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, që u mbajt në Tiranë. Duke shtuar se është fakt që në Shqipëri sektori bankar vepron në një mjedis makro-ekonomik të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
“Megjithatë, duke risjellë në vëmendje një nga mësimet e rëndësishme që kemi nxjerrë nga kriza financiare globale, asnjë aktor nuk mund të përballet i vetëm me pasojat e forta të krizës. Për më tepër, ruajtja e stabilitetit financiar mund të arrihet vetëm nëpërmjet një rrjeti të mirë koordinuar të sigurisë financiare”, vuri në dukje ai.
Duke përfunduar se rrjeta jonë e sigurisë financiare bazohet në krijimin e një baze më solide të kapitalit që shërben për të ruajtur depozitat dhe paratë e taksapaguesve. “Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka kërkesa më të larta për kapitalin bazë dhe po zhvillon të reja me qëllim rritjen e kapaciteteve të bankave për të përtëritur humbjet në raste krizash financiare”, deklaroi ai.
Po shtohen depozitat deri në 2.5 milionë lekë, që mbulohen nga shteti
“Krahasuar me fundin e vitit 2017, depozitat bankare me shuma deri në 2.5 milionë lekë janë rritur me 3.6%”. Kjo është një e dhënë tjetër interesante që jepet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Duke shtuar nga ana tjetër se depozitat me shuma mbi nivelin e mbulimit janë ulur me 14.7 miliardë lekë, ose me nivelin prej -2.8%.
E duke treguar kështu se po shtohet edhe baza e depozitave që duhet të garantohen me ligj nga institucioni përkatës, që është ai Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Ndërsa në tërësinë e tyre, raportohet se përgjatë vitit 2018, depozitat e sistemit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.5%.