Rama: Zgjedhjet do të bëhen pavarësisht kërcënimeve të opozitës, pasojat do t’i kenë ata që ikin

Rama: Zgjedhjet do të bëhen pavarësisht kërcënimeve të opozitës, pasojat do t’i kenë ata që ikin
Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot bindjen për të zhvilluar zgjedhjet vendore më 30 qershor, pavarësisht atyre që ka konsideruar “kërcënime dhe shantazhe nga opozita”.

“Në vend se të luftojë me program dhe ide ka zgjedhur të luftojë me kërcënime dhe kapsolla. Në vend se t’i përfaqësojë zgjedhësit e vetë në këtë sallë dhe në zgjedhje ka vendosur t’i nxjerrë dhe ata nga rruga e betejës demokratike e në vend se t’i udhëheqë në rrugën e betejës demokratike ka vendosur t’i përdorë si mish për top duke u fshehur pas tyre. Është shumë e rëndë dhe e padëgjuar, e papranueshme nga askush, as nga vetë shumica dërrmuese e zgjedhësve të Bashës apo Kryemadhit. Por ndërkohë edhe ne nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër përveç se të vijojmë rrugën tonë pa u ndalur të merremi me ta, domethënë pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit pavarësisht kërcënimeve, shantazheve apo rreziqeve të një procesi kur dy parti politike përbetohen se do ta dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshillat e bashkive në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama gjatë një fjalimi të gjatë përpara deputetëve.

Ai gjithashtu paralajmëroi opozitën për pasojat që do të ketë nga mospjesëmarrja në zgjedhje.

“Aty ku opozitat kanë zgjedhur të braktisin zgjedhjet, praktikisht kanë marrë mbrapsht një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish të jashtëzakonshme për rindërtim”.

Duke pranuar se zgjedhjet do të jenë anormale pa pjesëmarrjen e partive më të mëdha të opozitës, por hoqi përgjegjësinë nga vetja për këtë situatë.

“Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që ndryshe nga unë, ndryshe nga ne mendojnë se këto zgjedhje janë anormale por dua t’ju them se kjo nuk është as zgjedhja jonë e as faji ynë. Në këndvështrimin tim kemi bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Mund të bënim më shumë, mbase unë nuk e di. Është mirë që të ngulmojmë që të gjitha ta kujtojmë çdo ditë në këtë periudhë se çfarë ne kemi bërë dhe askush të mos e harrojë se jemi ne që e kemi dhënë provën se mes një palë zgjedhjes pa opozitën dhe zgjedhje me opozitën kemi parapëlqyer të dytën dhe kemi sakrifikuar politikisht, prova është në sytë e kujtdo që ka një kujtesë të gjatë sa dy vjet”, tha Rama, duke sjellë në kujtesë marrëveshjen e 18 majit të vitit 2017.

“Këtu e 2 vjet më parë ishim në të njëjtën situatë kur Lulzim Basha e partia e tij ishin futur në çadër, ndërsa aleatët tanë rrinin mes çadrës dhe qeverisë në pritje që të binte qeveria. Dhe në 2017 ne kaluam ylberin në raport me traditën politike në Shqipëri por edhe në raport me vetë mandatin tonë duke praktikisht ndarë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes me ta dhe duke iu besuar atyre ministrinë e Punëve të Brendshme, plus ministritë e tjera dhe agjencitë më të rëndësishme shtetërore”.

Rama tha se sjellja e mazhorancës nuk është arrogancë, por vendosmëri për të realizuar projektet.

Na akuzojnë për arrogancë po kam frikë se përtej dukjeve e interpretimeve të mundshme të një mënyre komunikimi ngatërrojnë vendosmërinë e reformave me arrogancën. Kokëfortësia për të insistuar për një projekt, nuk është arrogancë, po të mos kishte ekzistuar kokëfortësia, nuk do ekzistonte Parisi, ashtu siç e njohim. Ka qenë kokëfortësia e njerëzve me vizion e këmbëngulje që ka ndërtuar ato realitete duke sakrifikuar e duke marrë përsipër edhe kosto”.

Ai ka akuzuar se pikërisht opozita ka penguar këto projekte.

Nga ana tjetër, Rama tha se opozita nuk është penguar në të drejtën për të protestuar, madje është respektuar më shumë se sa do të ndodhte në shumë vende demokratike. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google