KATEGORIA SUPERIORE/ Tirana në festë, Partizani shpallet kampion

KATEGORIA SUPERIORE/ Tirana në festë, Partizani shpallet kampion
Shtatë javë para se të mbyllet kampionati, kryeqyteti në festë. Kukësi i vendit të dytë dorëzohet zyrtarisht pas humbjes 2-1 me Flamurtarin. Bardheblutë fitojnë 3-1 në Durrës dhe “falënderojnë” Skënderbeun në distancë për nderin ndaj Kastriotit, edhe Luftëtari fitore premtuese     

Nga Aranit Muraçi

Edhe 7 javë deri në mbyllje të kampionatit. Partizani me 18 fitore, 7 barazime dhe 5 humbje deri tani kryeson Superligën me 60 pikë, ose i shkëputur si asnjëherë gjatë këtij kampionati, 12 pikë para vendit të dytë. Në 7 javët e mbetura, që Partizani të mos shpallet kampion, duhet të pësojë po aq humbje sa ka pësuar gjatë gjithë kampionatit dhe nga ana tjetër Kukësi t’i fitojë të 7 ndeshjet e mbetura. Pra, vetëm matematika nuk e lejon Partizanin të festojë titullin e munguar prej 25 vitesh. Për t’i ardhur në ndihmë Partizanit, që t’i afrohet edhe më tepër titullit, “mendoi” Flamurtari i Vlorës. Në “Elbasan Arena”, vlonjatët ndalën Kukësin e vendit të dytë, në fitoren 2-1, ndërkohë që Partizani mori tre pikë në tavolinë, 3-0 ndaj Kamzës së përjashtuar.  Për herë të parë pas ndeshjes me Flamurtarin, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka pranoi se skuadra e tij nuk lufton më për titull, por kërkoi që skuadra e drejtuar prej të ruajë vendin e dytë, si dhe të fitojë trofeun e kupës. Do të jetë e ashpër beteja deri në fund, për ekipin që do të shoqërojë Kamzën në një kategori më poshtë, si dhe për  dy ekipet që do të pozicionohen pas Partizanit, me qëllim që të presin nga një biletë në Europë.

Betejës së ashpër për mbijetesë, si dhe përpjekjeve gati heroike të krutanëve pas janarit, duket se iu dha fund Skënderbeu, duke i shkaktuar Kastriotin humbjen gati shkatërruese në Korçë. Për Skënderbeun në këtë takim u rikthye Marko Radas, kroati që mungoi për disa javë, ndërsa të besuarit e trajneri Orges Shehi shënuan në pjesën e parë me anë të Gjergj Muzakës, në 14. Përpjekjeve për barazim, në pjesën e dytë iu dha fund heroi i takimit Oto Xhon i cili shënon golin e sigurisë. Ai ndihmoi mbrojtësin Krasniqi të realizojë dy gola të fitores së thellë, 4-0.

Kastrioti shpresoi që edhe rivalët për mbijetesë të bënin hap fals, por ndodhi e kundërta në Gjirokastër ku Luftëtari shfrytëzoi faktorin fushë dhe fitoi 1-0 ndaj Laçit.

Luftëtari fitoi 1-0 ndaj Laçit. Golin e fitores e realizoi afrikani Dunga në minutën e 51-të, pas një pasimi të Aleksit. Fili goditi dy herë shtyllën, kurse Dungës iu anulua një gol, për pozicion jashtë loje, por i dyshimtë. Kjo fitore mban gjirokastritët pranë objektivit, atë të qëndrimit në Superiore.

Tirana, për të mos rrezikuar rënien e dytë historie, bëri mrekullinë në Durrës, ku fitoi 3-1 ndaj Teutës. Në 42’, për Tiranën shënoi Oduamandi, i cili pas një shkëputje fantastike goditi saktë, duke kaluar topin mes këmbëve të portierit Celeski. Edon Hasani shënoi golin e dytë, në mesin e 45 minutave të para. Pavarësisht se Kamara në 73’ riktheu në lojë “djemtë e detit” ishte Karabeci që me një goditje të fortë e të saktë vulosi para se të mbyllej ndeshje fitoren 3-1 të Tiranës. Humbja fut Teutën në krizë, që e sheh veten edhe më larg Europës, sikurse largoi Tiranën nga rreziku i rënies. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, vendosi që në këtë ndeshje të ulë në stol ish-portierin veteran të bardhebluve, Isli Hidi, ndërkohë pas këtyre rezultateve ai pret votëbesimin e presidentit të klubit.

 

Kategoria Superiore

Java e 29-të/Dje

Skënderbeu-Kastrioti    4-0

Teuta-Tirana                      1-3

Kukësi-Flamurtari           1-2

Luftëtari-Laçi                     1-0

Partizani-Kamza               3-0 (tavolinë) 

 

Klasifikimi

Partizani              60

Kukësi                  48

Flamurtari           47

Skënderbeu       43

Teuta                    43

Laçi                        41

Luftëtari              37

Tirana                   36

Kastrioti               30

Kamza                   17

 

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka:

“Më vjen keq, pasi prodhuam gjithçka dhe nuk patëm fat për të shënuar. Gjithsesi, jam i gëzuar për atë që po prodhojmë. Kryesore ishte që ta kalonim me sukses këtë ndeshje për të mbajtur larg vendin e tretë. Tani duhet të jemi të kujdesshëm, sepse na duhet patjetër vendi i dytë. Kishim shumë probleme. Përveç mungesave të Dzarias dhe Shametit, mungonin edhe Limaj e Maliqi. Nuk mund të freskoja skuadrën. Goli i parë ndoshta ishte një mungesë vëmendjeje, por ndodhin në futboll. Edhe Sukaj është një lojtar dinak, që nuk i fal këto raste.”

 

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja:

“Jam i kënaqur, sepse fituam ndaj vendit të tretë në mesjavë, sot fituam ndaj vendit të dytë. Kemi 3 fitore dhe 1 humbje me Kukësin. E nisëm ndeshjen jo mirë, duhet përmendur se ky 3-pikësh erdhi edhe nga Koliçi, na mbajti në lojë pas problemeve që kishim në mbrojtje e mesfushë. 70% të ndeshjeve i fiton edhe ekipi që shënon i pari. Ekuilibruam lojën më pas, shënuam dhe ishim efikasë me rastet që patëm. Ngërçi financiar? Shpresoj të zgjidhet, sepse presidenti ka qenë afër jo vetëm këto katër ditë. Besoj se do t’i japë zgjidhje, kam besim për këtë gjë.”