Grabitja në aeroport, ministri i Brendshëm jep detaje në Kuvend

Grabitja në aeroport, ministri i Brendshëm jep detaje në Kuvend
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë të enjten më shumë hollësi rreth ngjarjes së 9 prillit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, kur gjatë një grabitjeje të armatosur në pistë u morën 10 milionë euro dhe u vra një person

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë të enjten më shumë hollësi rreth ngjarjes së 9 prillit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, kur gjatë një grabitjeje të armatosur në pistë u morën 10 milionë euro dhe u vra një person.

“Ngjarja ka ndodhur më 9 prill 2019, në orën 14:57 ku në pistën e aeroportit të Rinasit janë futur 5 persona të armatosur me një fugon të kamufluar si hetimi tatimor, prej ku kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar shumë shpejt përmes portës veriore të aeroportit dhe drejt Niklës, më konkretisht drejt Tapizës”, - tha z.Lleshaj.

Ai pohoi se ngjarja është njohur, por shtoi se ajo “është dëshmi e një serie dështimesh të disa hallkave përgjegjëse për sigurinë në aeroport”.

Sipas tij operatori privat, i ngarkuar për sigurinë e aeroportit ka njoftuar 5 minuta e 21 sekonda më vonë Policinë e Shtetit, ndërkohë që në mënyrë zyrtare kompania e ruajtjes së aeroportit ka njoftuar sallën operative të komisariatit të Rinasit 6 minuta e 30 sekonda më vonë nga fillimi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas ministrit të brendshëm shqiptar, TIA ka njoftuar Aviacionin Civil Shqiptar 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. “TIA ka njoftuar Aviacionin civil shqiptar 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Po ashtu kontraktori privat i sigurisë së aeroportit nuk ka lejuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë të hyjnë në aeroport kur ato e kishin marrë njoftimin në rrugë të tretë”, - tha z.Lleshaj.

Ai bëri dhe një tjetër akuzë të rëndë: “Policia ka tentuar të hyjë brenda por nuk është lejuar për arsye se porta përkatëse nuk është hapur dhe portën e ka në komandë kompania që është e ngarkuar me sigurinë e aeroportit”.

Lleshaj bëri me faj Kuvendin për situatën e sigurisë ku ishte lënë aeroporti. “Me një ligj të miratuar në këtë Kuvend para 15 vitesh përgjegjësia e sigurisë së aeroportit të Rinasit i është transferuar një kontraktori privat. Sigurisht unë nuk do ta kisha votuar kurrë dhe nuk do e kisha kuptuar kurrë këtë vendim”, - tha Sandër Lleshaj dhe shtoi:

“Vendimi për ta transferuar këtë përgjegjësi të ruajtjes së drejt një operatori privat madje të huaj privat është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar, toleruar, pëlqyer për 15 vite me radhë dhe ju e dini fort mirë se kush ka qëndruar në këto karrige gjatë 15 viteve. Dhe askush nuk e ka atakuar, adresuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e rëndësishme e sigurisë së aeroportit të Rinasit është transferuar në duar privati”.

 

Lleshaj: Grabitja nuk ishte një turp kombëtar

“Nuk e konsideroj dhe nuk jam kurrë dakord që këtë ta quajmë një turp kombëtar, ky është një incident. Mos harroni ka patur shtete shumë më të fuqishme që kanë rënë në gjunjë në situata të tilla. Të fillojmë nga superfuqia e madhe e botës, mos harroni “11 Shtatorin” se ç’ndodhi, apo edhe shumë e shumë raste të tjera incidente, goditje terroriste, goditje nga të gjitha llojet kanë ndodhur, por asnjë komb nuk çohet të vetë-akuzojë dhe ta shpallë turp, gjendje të pashpresë. Nuk ka asnjë gjë për t’u alarmuar. Ju them miqësisht, nuk ka asnjë gjë për t’u alarmuar”.