Enver Hoxha, në bazën e Pashalimanit: Ruajini të paprekshëm kufijtë tanë detarë!

Enver Hoxha, në bazën e Pashalimanit: Ruajini të paprekshëm kufijtë tanë detarë!
INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor i Flotës Luftarke Detare, kolonel në rezervë, Myfit Qorduka: “Në vitin 1948, flota mjetet primitive që kishte zhvilloi operacionin e parë luftarak. Beteja e parë për mbrojtjen e atdheut nga deti, në gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh

“Flota luftarake detare do të pajiset me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e atdheut tonë të dashur”. Këto fjalë të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, gjatë një vizite të beftë në bazën e Pashalimanit, i sjell sot në kujtimet e tij të radhës për lexuesit e “Albanian Free Press”, ish-oficeri madhor i Flotës Luftarke Detare, Myfit Qorduka. Sipas tij, gjatë asaj vizite të vitit 1954, Enver Hoxha u la detarëve edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detarë. Nga ana tjetër, Qorduka sjell ndërmend edhe kujtimet e udhëtimit të tij si student në ish-Bashkimin Sovjetik dhe kontaktet e tij me Petrit Dumen apo Teme Sejkon...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si ju erdhi lajmi për t’u shkolluar si detar i marinës luftarake shqiptare?

Mua dhe shokët e mi, Zeman Lala e Polo Guga, na thirrën në degën ushtarake të rrethit, ku na priti kryetari i degës, i cili na komunikoi se na kishte dalë e drejta e studimit për në ish-BS. Për ne ishte gëzim i madh, aq më tepër që do studionim jashtë shtetit, ku përveç mësimeve do njiheshim edhe me kulturën e jetën e popullit të madh, siç ishte Rusia me gjithë ato republika. Masat ishin marrrë dhe ne u nisëm me autobus për në Tiranë, ku na priti gjeneral Petrit Dume. Aty, të grumbulluar nga gjithë rrethet, bëmë analizat mjekësore dhe na nisën për në portin e Vlorës, prej nga do të niseshim me vaporin “Irgiz” për në Odesë. Ajo ishte një anije e tonazhit mesatar, më parë një anije luftarake dhe që e kishin adaptuar si anije transporti mallrash e për pasagjerë. Ky ishte kontakti im i parë me detin dhe detarët. Nuk ishim veçse 18-vjeçarë dhe të veshur të gjithë me rroba civile. Ndërsa po lundronim nëpër Mesdhe, disi të qetësuar nga të vjellat, papritur mbi ne kaloi një aeroplan luftarak. Gati sa nuk i prekte direkët tanë. Ishte shumë e frikshme, t’i ndalonte të vjellat menjëherë. Pastaj fluturuan mbi ne nja 4-5 të tjerë njëri pas tjetrit. Me siguri ata u ngritën nga ndonjë aeroplanmbajtëse amerikane, që ndodhej diku afër, sepse në krahët e aeroplanëve dukeshin qartë shenjat e ushtrisë amerikane. Kuptohej që pilotoheshin nga pilotë të zotë dhe energjikë. Gjithsesi, diçka ishte e saktë: avionët e NATO-s e dinin që anija “Irgiz “nuk transportonte prodhime tregtare. Pas një lundrimi 4-5 ditor arritëm në Odesë të Ukrainës dhe vazhduam për në Baku të Azerbajxhanit. Për të kisha dëgjuar nga një poezi e mrekullueshme e Eseninit, rreth vrasjes së 26 komisarëve të Bakusë, ku kishte shpëtuar vetëm Mikojani, i cili më vonë u bë dhe një ndër udhëheqësit kryesorë të kohës së vet. Treni, me të cilin ne udhëtonim nga Odesa, linte prapa stacione qytetesh e krahinash si Tragauroz, Rostov mbi Don, etj. Në Rostov ndaluam për të ndërruar trenin dhe u futëm në një restorant për të drekuar. Na shoqëronte një kolonel i marinës. Pastaj kaluam edhe afër qytetit Pitigorks, qytet i lindjes së poetit të madh rus Lermontov. Qyteti ishte shumë i bukur, me 140.000 banorë. Rreth 20 km në veri të tij, afër një aeroporti, ndodhej një qendër me ujë mineral. Dhe pas katër ditësh udhëtim me tren, na u shfaq Bakuja me pamjen e tij të mrekullueshme, me platformat e naftës që shtriheshin në det. Kryeqyteti i bukur i Azerbajxhanit, me një popullsi prej 1.700.000 banorësh. Por më vonë, gjatë viteve të qëndrimit atje, kur ne dilnim shëtitje buzë Kaspikut na trishtonte fakti që deti ishte i ndotur nga mbeturinat e naftës dhe njerëzit nuk mund të laheshin në atë det shumë të bukur e tërheqës.

 

Ku u përgatitën kuadrot e parë të Flotës? Vetëm në ish- Bashkimin Sovjetik?

Jo. Për të qenë korrekt, kudarot e para u përgatitën në ish-Jugosllavi. Por para shkuarjes atje, u shënua ditlindja e Flotës Ushtarake Detare. Në vitin 1945, u nxorën nga fundi i detit tre motoskafë të mbytur e në datën 15 gusht 1945, shënohet edhe data e ringritjes së flotës sonë detare. Ata motoskafë drejtoheshin nga partizanët tanë. Krahas vështirësive të panumërta, nisi kështu rruga e mundimshme e ringritjes dhe modernizimit të flotës, që do kulmonte me anijet e mëdha luftarake dhe nëndetëset. Në vitin 1948, flota me ato mjete primitive zhvilloi operacionin e parë luftarak, betejën e parë për mbrojtjen e atdheut nga deti. “Kjo betejë, - tregonte veterani Selam Qejvani, - u zhvillua në dhjetor 1948, në gjirin e Vunoit ndaj një grupi diversantësh. Ne dinim vendin e zbarkimit, idenë e operacionit, muajin, mjetet e numrin e njerëzve që do vepronin. Por nuk dihej ora edhe mënyra e veprimit. Prita u organizua me idenë që forcat e mbrojtjes do vepronin në tokë dhe flota do vepronte në det me komandant Çelo Arzën dhe komandant grupi anijesh Selam Qejvanin. Ideja e përgjithshme ishte të lejohej afrimi i anijes diversioniste terroriste, depërtimi i saj në thellësi të gjirit, zbarkimi i diversantëve dhe kur forcat e bregdetit të hapnin zjarr, atëherë do të futeshin në luftim anijet tona, aksion ky që do të realizohej në befasi në dy krahët e pritës dhe në mënyrë të skalionuar. Por prita jonë u dekonspirua dhe ata u larguan drejt Korfuzit, duke u shoqëruar nga breshëritë e armëve tona“. Këtu përfundon tregimin e tij Selam Qejvani.

Ndërkaq, përveç modernizimit të mjeteve, koha kërkonte edhe përgatitjen e kuadrove që do t’i drejtonin ato. Nevoja emergjente e shtetit shqiptar për fuqizimin e Flotës Luftarake Detare Shqiptare që në muajt e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, krahas pajisjes me anije e nëndetëse bashkëkohore, kërkonte përgatitjen e oficerëve detarë në shkollat e njohura evropiane. Fillimisht, menjeherë pas Luftës, në vitin 1946, oficerët shqiptarë detarë u përgatitën në shkollat e marinës jugosllave, ndërsa me prishjen e marrëdhënieve pas vitit 1948 e në vazhdim, ushtarakët shqiptarë u përgatitën në shkollat dhe akademitë sovjetike, ndër më të njohurat e detarisë luftarake në atë kohë. Periudha që nga viti 1945 deri në vitin 1954, sipas dokumenteve luftarake që ruhen në arkivin e FLD-së, efektivave tona detare, krahas vështirësive të ringritjes së këtij shërbimi, si dhe pajisjes me teknikë dhe armatim bashkohor, iu desh të përballeshin edhe me incidente të shumta detare, tentativa rrëmbimi apo arratisje të anijeve luftarake nga ushtarakë shqiptare të vënë në shërbim të agjenturave të huaja. Në këto incidente, pati edhe viktima detarësh e oficerësh, por që u përballuan me sukses.

 

Cilët dërgoheshin për përgatitje në shkollat jashtë vendit?

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga çlirimi i vendit dhe kur njësitë luftarake detare ishin riorganizuar e ishin vënë në ruajtje të kufijve ujorë, nisi menjëherë edhe dërgimi i kuadrove për përgatitje në shkollat jashtë vendit. Për të realizuar kërkesën mbi përgatitjen e kuadrit të flotës, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë zgjodhi nga radhët e saj ish-ushtarakë (shumica me arsim fillor) dhe në dhjetor të vitit 1946 dërgoi në Dyvulje të ish-Jugosllavisë 84 kursantë të shoqëruar nga kapiteni i parë, Abdi Mati. Baza e vjetër detare e Duvuljesë ishte bazë edhe për hidroplane. Afër kësaj baze ndodhej qyteti i vogël Trogir, aty ku kursantët mësuan se veprat e artit të kishës së qytetit ishin bërë nga piktorë shqiptarë dhe përballë qytetit ndodhej fshati me emrin “Albania”. Ndërkaq, në fillim të vitit 1947, dërgohen në kurs 1-vjeçar në Dalmaci, një grup ushtarakësh për t’u përgatitur si specialistë për anijet luftarake. Kur këta u kthyen në Shqipëri para kohe, me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, në kinema “Iliria” të qytetit të Durrësit, u organizua edhe ceremonia e gradimit të studentëve që u përgatitën atje. Të gjithë morën gradat dhe emërimet, përveç Isuf Mullait, të cilit nuk iu dha emërimi. Ai iu drejtua Kadri Hazbiut për sqarim dhe ai iu përgjigj: “Mos u shqetëso, se ti do të marrësh një detyrë shumë të rëndësishme”. Dhe me të vërtetë, Sigurimi i Shtetit e dërgoi atë me mision special në oborrin e mbretit Zog që ndodhej në Francë. Kështu, më vonë, Isufi do të bëhej personazhi kryesor në romanin “Mërgata e Qyqeve” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi. “Këta kursantë, falë përkushtimit e ndjenjës së përgjegjësisë, përfituan mjaft nga përvoja e ushtarakëve fqinjë, për t’i vënë më pas në zbatim në anijet e nëndetëset tona luftarake”, - kujton Qemal Hysaj, një nga kuadrot më të vjetër të FLD-së dhe drejtues për një kohë të gjatë i Akademisë Detare Shqiptare. Kuadrot specialistë të përgatitur në shkollën jugosllave të detarisë, punuan me përkushtim në njësitë tona detare luftarake, duke patur rastin të jenë edhe drejtues të këtyre njësive. Njëzetë e një prej këtyre kursantëve, mbasi kryen 11 muaj studime, i ndërprenë ato dhe u kthehen në Shqipëri për të drejtuar një grup prej tre dragaminash të përdorura e gati të amortizura, që qeveria shqiptare ia bleu asaj jugosllave. Këto mjete u pritën me entuziazëm në portin e Durrësit, ku ishin të pranishëm gjeneral Mehmet Shehu dhe ministri Nako Spiru. Filluan menjëherë çminimin e Kanalit të Korfuzit.

 

Si vazhdoi përgatitja e oficeravë tanë detarë?

Ish-Bashkimi Sovjetik u bë shkolla e madhe e detarëve tanë ushtarakë. Që nga viti i parë i pasluftës e deri në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri- BS në vitin 1961, shkollat detare dhe akademitë e njohura sovjetike të marinës ishin vendet ku u përgatitën breza të tërë kuadrosh të detarisë shqiptare. Grupi i parë i kuadrove të marinës luftarake detare për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik, është dërguar në vitin 1949 dhe janë kthyer në atdhe, në detyra të ndryshme në flotë, në vjeshtë të vitit 1949.

Ndërkaq, në vitet 1957 -1958, kur Flota Luftarake u rrit ndjeshëm në anije, nëndetëse dhe armatim bashkëkohor, siç tregojnë dokumentet zyrtare të kohës, qeveria shqiptare në kuadrin e përparësisë që merrte ky shërbim për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, krahas sjelljes nga ish-Bashkimi Sovjetik të anijeve luftarake bashkëkohore, tregoi kujdes të posaçëm mbi përzgjedhjen e kontigjentit të studentëve shqiptarë që dërgoheshin për t`u përgatitur në akademinë detare të ish-Bashkimit Sovjetik. Ky kontigjent kalonte në një “sitë” tepër të imët, duke zgjedhur më të mirët midis gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë të armëve dhe shërbimeve të ndryshme. Në këtë periudhë, përparësia e përzgjedhjes së kuadrove për Flotën Luftarake, u sanksionua dhe në një urdher të veçantë të dërguar nga qeveria në Ministrinë e Mbrojtjes, me firmën e Enver Hoxhës. “Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavine, e vetmja mundësi shkollimi për ushtarakët e flotës sonë, mbetën akademitë e njohura të ish-Bashkimit Sovjetik”, kujton Muhedin Brokaj, i cili ka qenë vetë student në ish-BS.

Përkujdesja e Petrit Dumes dhe e Teme Sejkos për ne, ishte e veçantë. Kështu Petriti, që ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, jo vetëm interesohej vazhdimisht në hollësi për problemet deri në hallkën më të ulët të njësive luftarake detare, por shpesh gjendej midis tyre, duke u dhënë udhë vetë problemeve të ndryshme. Ndërsa kundëradmirali Sejko, i cili në janar 1958 u emërua Komandant i Flotës Luftarake Detare, mbahet mend si njeri i aftë dhe i përkushtuar, që bëri jo pak për këtë shërbim të rëndësishëm në ato kohë të vështira.

Pasi u përcollëm për në ish-Bashkimin Sovjetik dhe u porositëm gjatë nga Petrit Dume, kujtoj se para nisjes në Vlorë, patëm një takim të gjatë me kundëradmiralin e komandantin e Flotës, Teme Sejko. “Ju shkoni në një vend të madh, me një ekonomi të zhvilluar e me shkencë konkurruese me shumë vende perëndimore. Duhet të përfitoni sa më shumë e të bëheni kuadro të mirë, se ju do na zëvendësoni ne”, na tha ai.

 

Si ishte jeta studentore në ish-Bashkimin Sovjetik, si ishin kushtet atje dhe si ju trajtonin?

Jeta studentore kishte larmitë e saj. Krahas punës që bënim në fakultetin e inxhinierisë navale për të përvetësuar artin e lundrimit, të themi të vërtetën, vitet e para ishin të vështira. Por aktivitetet në kohën e lirë i bënim të larmishme dhe kjo na argëtonte e na jepte një kënaqësi të veçantë. Fakulteti ynë, ku bënim pjesë ne studentët shqiptarë kishte një skuadër të mirë futbolli e lojtarë cilësorë, që vazhdimisht dilte “kampion” midis studentëve dhe si fakultet, së bashku me studentë të tjerë të huaj, si bullgarë, rumunë, gjermanë, vietnamezë e kinezë, ishte në krye të skuadrave të akademisë. Për këtë, herë-herë skuadra jonë zgjidhej për të zhvilluar ndeshje edhe me kombëtaren e Azerbajxhanit. Këto ndeshje i trasmentonte edhe televizioni i Bakusë. Të mos harrojmë se në ato vite, ne as emrin nuk ia dinim televizorit në Shqipëri. Mbahen mend studentët futbollistë që bënë emër në ato aktivitete: Lek Lleshi e Vaskë Ziu, që dalloheshin për kombinacionet që bënin me rumunët Popa e Francesku; mesfushorët Kristaq Çito, Gëzim Begaj e Luan Gjonçaj; qendërmbrojtësi “postbllok” i skuadrës, Faik Sinani, që me ndërhyrjet e tij në kohën e duhur e me vendosmëri, bënte që të largohej rreziku nga zona e rreptësisë dhe skuadra me të ndjehej e sigurtë. Ndue Jaku, si portier kur nuk pësonte gol, shokët e ngacmonin: “Qëndrove në portë si shqiptar. E nderove Shqipërinë“, se vërtet ai luante me shumë sedër e me emocion të veçantë dhe çdo rezultat ai e lidhte me atdheun, Shqipërinë. Ndërsa Shpëtim Idrizi bënte pjesë në skuadrën e volejbollit të akademisë. Ai, para se të shkonte në ish-Bashkimin Sovjetik, kishte qenë volejbollist i kombëtares sonë. Por ne nuk mbeteshim prapa as në aktivitetet artistike, ku në mënyrë të veçantë dalloheshin për interpretimin e këngëve e për zërin plot ngrohtësi nga Todi Gerveni, Bardhyl Shehu e Leonidha Dhima, ndërsa Taqo Aleksi, jo vetëm këndonte bukur, por ishte edhe kitarist i mirë. Teksa vëmendjen në koncerte e tërhiqnin më shumë Hamza Koçiu e Fadil Zeqiri, që recitonin krijimet e tyre poetike në rusisht. Më vonë, Hamzai u bë një poet i shquar dhe Fadili shkrimtar me emër, por të dy kanë qenë pedagogë të nderuar në Akademinë e Detarisë në Vlorë dhe gjithashtu të dy kanë shkruar me frymëzim e dashuri për detin e detarët, për heroizmat e tyre, prandaj dhe Flota Detare i pret me kënaqësi krijimet e tyre.

 

Viti 1954

 

Vizita e beftë e Enver Hoxhës në bazën e Pashalimanit

E veçantë në periudhën e fuqizimit të Flotës Luftarake Detare dhe të përballimit me sukses të incidenteve e provokimeve të shumta të anijeve e nëndetëseve të fqinjëve, ishte inspektimi që bëri Enver Hoxha në Pashaliman dhe në ishullin e Sazanit në vitin 1954. Lidhur me këtë inspektim,Vangjel Nano, një nga drejtuesit e efektivave detare, në kujtimet e tij shkruan se më 24 prill 1954, nga Vlora afër Sazanit, Hoxha, i shoqëruar nga silurëhedhësja “Heroi” dhe  komanduar nga një ekuipazh krejtësisht shqiptar, mbërriti para efektivit të detarëve të Sarandës, ku midis të tjerave, theksoi: “Jam i gëzuar që detarët tanë janë në gjendje të drejtojnë anije luftarake moderne. Populli e partia kanë pasur e kanë besim të patundur te detarët, se ata do t’i  ruajnë dhe mirëmbajnë gjithmonë në gatishmëri e t’i përdorin ato me efektivitet në çdo kohë. Flota do të pajiset shpejt dhe me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e atdheut tonë të dashur”. Ndërsa na dha edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detarë.