Basha: Fundi i qeverisë-bandë! Jo kompromis me ëndrrën tonë

Basha: Fundi i qeverisë-bandë! Jo kompromis me ëndrrën tonë
Kreu i Partisë Demokratike nuk i ndahet idesë se qytetarët kërkojnë realizimin e ëndrrës “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”

Partia Demokratike vazhdon që t’i mbetet realizimit të ëndrrës “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe në emër të saj nuk do të pranojë asnjë lloj kompromisi. I këtij qëndrimi është shprehur dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë pas protestës së fundit të opozitës, zhvilluar para Kryeministrisë dhe para Parlamentit.

Përmes një komenti të posaçëm, të cilin e ka shoqëruar edhe me imazhe nga protesta në fjalë, ai ka pohuar se ky është fundi i “qeverisë-bandë”. Duke e cilësuar atë si rrezikun kryesor  për demokracinë dhe sigurinë në vend.

“Ky është fundi i qeverisë-bandë të kapur duke vjedhur zgjedhjet me kriminelët, kërcënimi nr.1 për demokracinë, sigurinë, mirëqenien”, komentoi ai. Duke shtuar mes të tjerash edhe faktin se “nuk ka kompromis me ëndrrën tonë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, me standardet europiane për zgjedhje të lira, drejtësi dhe ekonomi të lirë!”.

Nga ana tjetër, ai ka shtuar se banda në krye të qeverisë, e cila sipas tij i ka vjedhur dhe nëpërkëmbur për gjashtë vjet me radhë, e ka vendin në burg.

“Ne jemi deri në fund në krah të njerëzve që janë ngritur kundër qeverisë-bandë që, bashkë me krimin dhe oligarkët, ka vjedhur dhe dhunuar shqiptarët, ka shkatërruar demokracinë dhe shtetin ligjor dhe po kërcënon të ardhmen europiane te Shqipërisë! Fati i qeverisë-bandë është rrëzimi i saj! Krerët e kësaj bande i pret burgu që sot e kanë mbushur me protestues të pafajshëm!”, ishte një tjetër mesazh i shpërndarë dje nga kreu i demokratëve.

Për të treguar në këtë mënyrë insistimin e forcës politike që ai drejton, por edhe gjithë mbështetësve të saj se nuk do të ketë ndalim në aksionin opozitar për ta përmbysur qeverinë aktuale të mazhorancës socialiste.