Kuvendi, votë unanime për Maqedoninë e Veriut në NATO

Kuvendi, votë unanime për Maqedoninë e Veriut në NATO
Shqipëria bëhet ndër vendet e para që ratifikon protokollin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO

Parlamenti miratoi dje me vota unanime protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Atlantikun e Veriut, NATO.  Në seancën plenare, u hodh për votim projektligji “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Asnjë forcë politike nuk u shpreh kundër tij dhe përfundimi i votimit u prit me duartrokitje.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pohoi se Maqedonia e Veriut kaloi sprova të mëdha deri në këtë moment.

“Sot jemi në ditën e shumëpritur nga të gjithë, protokolli i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO nga përfaqësuesit e vendeve të NATO-s. Shpreh kënaqësinë që Kuvendi Shqipërisë është ndër të parët që po e ratifikon këtë protokoll, duke i hapur kështu rrugën Maqedonisë së Veriut në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, tha Ruçi.

“Ky anëtarësim u bë i mundur falë marrëveshjes së Prespës mes dy vendeve fqinje tanë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, vazhdoi ai.

“Ne e kemi të qartë se kjo nuk do të ishte bërë e mundur, pa vullnetin, guximin politik dhe emancipimin e  shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe forcave politike që i përfaqësojnë ata. Partitë politike shqiptare, pa dallim orientimi politik, qofshin në qeverisje apo në opozitë, kapërcyen polarizimin politik e dallimet ideologjike dhe votuan me vetëdije të plotë ndryshimet kushtetuese që i hapën Republikës së tyre dritën jeshile për në NATO. Me këtë qëndrim ata u treguan europianistë dhe auroatlantikas të vërtetë”,- shtoi z.Ruçi.

I pranishëm në seancë ishte dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.

Ai tha se me këtë rast Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen e saj ndaj fqinjit lindor.

Po ashtu ai shprehu përkushtimin e qeverisë së vendit të tij për ndërtimin e një “shoqërie për të gjithë”, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale apo tjetër.”