Ekskluzive/Zef Bushati: S’ka zgjedhje pa reformë zgjedhore, është kusht për negociatat

Ekskluzive/Zef Bushati: S’ka zgjedhje pa reformë zgjedhore, është kusht për negociatat
INTERVISTË Ambasador Zef Bushati, kryetar i Partisë Aleanca Demokristiane, komenton zhvillimet e fundit në bisedë me “Albanian Free Press”

Partia Aleanca Demokristiane po përpiqet të fitojë gjithnjë e më shumë terren në elektoratin shqiptar. Tre dekadat e fundit ajo ka qenë një burim jo i pakët votash duke bërë që të copëzohet në disa parti. Fundi i viteve ’90 dhe fillimi i viteve 2000 i gjeti demokristianët në tetë parti të ndryshme. Me kalimin e viteve disa prej tyre humbën mbështetje popullore dhe vetëm pak parti mbijetuan.

Zef Bushati, kryetar i PADSH dhe Eduard Ndocaj, kryetar i një tjetër partie të kristianëve shqiptarë, bënë një lëvizje strategjike së fundi, duke i shkrirë dy partitë në një, me emrin Partia Aleanca Demokristiane. Ndërsa Bushati kishte elektorat të djathtë në partinë e tij, Ndocaj dominonte me elektorat të majtë. Duke bashkuar partitë, këta dy politikanë shpresojnë që të marrin vota majtas e djathtas në zgjedhjet e ardhshme. Demokristianët e djathtë dhe ato të majtë do të kenë në fokus të gjithë personat që ndihen të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer nga PD, PS dhe LSI duke përfshirë të rinjtë, katolikët si edhe personat e besime të tjera.

Zef Bushati, në këtë intervistë për “Albanian Free Press”, ndalet në zhvillimet e vrullshme politike të ditëve të fundit në Shqipëri.

 

Intervistoi: Albert Zholi

Partia kryesore e opozitës shqiptare, shpalli djegien e mandateve të deputetëve dhe bashkë me të, të njëjtin vendim morën dhe partitë aleate. A është normale kjo djegie në një shtet demokratik dhe çfarë do të sjell në politikën shqiptare kjo iniciativë?

Po t’i hedhësh një sy historikut të politikës shqiptare që nga viti 1990 e këndej nuk është rasti parë që ky ndodh në vendin tonë por është një rast i çuditshëm që nuk ndodh në politikën europiane. P.sh., PS ka braktisur zgjedhjet e majit të vitit 1996. Pra nuk ishte parë asnjëherë në një vend demokratik që ditën e zgjedhjeve një parti kur janë hapur kutitë e votimit të braktisë zgjedhjet. Kjo masë ekstreme erdhi pas disa protestave të vazhdueshme që bënte PS pas përpjekjeve që bënte PS për të pushtuar dhe sheshet nga keqqeverisja e Berishës, por që Berisha nuk ua lëshonte sheshin “Skënderbej” se e donte vetë. Pra pas kaq protestave duke parë që Berisha nuk bëri lëshime PS u detyrua që të bojkotonte zgjedhjet pikërisht ditën e zgjedhjeve, një braktisje që ka hyrë në histori kjo. Kjo lëvizje e PS i habiti të gjithë ndërkombëtarët që nuk ishte parë kurrë që partia kryesore në vend të largohet nga zgjedhjet ditën e zgjedhjeve. Tashti koha vjen që përsëri kjo parti që atëherë ishte në pozitë, por tashmë në opozitë, të djegë mandatet e deputetëve. Neni 71 i Kushtetutës, ka një pikë që përcakton kur dhe si digjet mandati. Por tani vjen një moment tjetër pasi kjo parti apo aleatët duhet të bindin të gjithë ata që janë poshtë në lista që të mos pranojnë marrjen e mandateve të rinj. Dhe kur as ata nuk i pranojnë mandatet e reja atëherë Parlamenti mbetet pa opozitë. Kështu bëri dhe PS në vitin 1996 edhe tani PD do ta braktisë parlamentin por edhe zgjedhësit e saj. Por ku është precedenti? Ne si shumica në Evropë jemi republikë parlamentare dhe asnjëherë në Evropë nuk ka ndodhur që partia e dytë më e madhe në vend të djegë mandatet. Kjo situatë nuk mund të mendohet në Europë. Parlamenti është tribuna e çdo shteti, aty është zëri i votuesve të çdo partie. Kjo situatë nuk mund të mendohet, pasi aty përçohen problemet e popullit çohen ato që shqetësojnë votuesit e çdo deputeti. Por lind pyetja, a e pranon populli, votuesit e PD këtë djegie mandatesh? A janë ata dakord të mos dëgjohet zëri i tyre në Parlament. Ndaj duhet të kihet parasysh se PD në radhë të parë duhet të takohet me elektoratin zonë më zonë, ku të bashkëbisedojnë për këtë nismë. Në mos të jenë 10 mijë le të jenë 2 mijë, por duhet patjetër që të bashkëbisedohet. Pa fjalën e tyre Basha nuk duhet të marrë këtë vendim pasi vetëm pasi të dëgjojë ata duhet të thërrasë Këshillin Kombëtar se si duhet të veprojë. Mandati nuk është i deputetit, por i votuesve që i kanë dhënë votën ndaj ata duhet të pyeten të parët. Ata e kanë fuqinë të djegin mandatin. Mandati nuk është marrë vetë në mënyrë individuale. Ndaj ky është një proces i vështirë.

Pra nuk është nismë e drejtë?

Për mendimin tim nuk është e kohës kjo nismë, nuk është për një vend demokratik. Për protestën jam shumë dakord pasi është tjetër gjë. Ishte një protestë që ka të drejtë ta organizojë çdo organizatë apo parti kur ka keqqeverisje. Shumë mirë që bëhen protesta, pasi e vënë shtetin para përgjegjësisë e bëjnë të jetë më korrekte në qeverisje.

Për protestën nga mazhoranca thuhet se ishte e dhunshme. Ju si mendoni?

Nuk jam dakord me atë çka propagandon mazhoranca. Pra thuhet e dhunshme. Por ne në botë po shohim protesta shumëmujore më të dhunshme. “Lejlekët e verdhë” në Francë kanë bërë skena më të dhunshme, apo protestat po kaq të mëdha edhe në Serbi ku opozita kërkon dorëheqjen e Presidentit. Mazhoranca nuk duhet t’i mëshojë deklaratës se protesta ishte e dhunshme. Nuk kishte dhunë se u thyen dy xhama apo u prish një kërpudhë. Në protesta këto janë normale. Pra këto shenja dhune janë shumë shumë të vogla krahasuar me ato në Francë. Protestat duhet të jenë të pranishme në çdo vend demokratik. Në këtë këndvështrim unë nuk jam dakord me hiperbolizimin që i bën qeveria akteve të dhunës. Unë kurrë nuk e justifikoj dhunën, por ama edhe nuk duhet hiperbolizuar në këtë farë mase. Ajo ishte një protestë që zgjati vetëm 5 orë, po ato që në Francë e gjetkë që zgjatin me muaj, çfarë duhet thënë për dhunën e tyre?

Protesta erdhi si një frymë kundër keqqeverisjes së PS, a mendoni se kabineti “Rama” ka bërë gabime dhe shkelje në ato përmasa që e demaskojnë Basha dhe Kryemadhi? Ku janë gabimet më të mëdha?

Po. Ka bërë gabime, absolutisht ka bërë gabime, pasi edhe kur ha bukë bëhen thërrime. Por edhe PD kur ishte në pushtet ka bërë shumë gabime dhe PS i kundërvihej. Tashti ndodh e njëjta gjë, PD i kundërvihet gabimeve të PS. Kjo është normale pasi kjo është detyra e opozitës. Opozita këtë detyrë ka që me protesta t’i bëjë të qartë qeverisë që të mos luajë me paratë e taksapaguesve. Pra gabime ka, protestat duhen, por të mos arrijmë në ekstremitete, as në dhunë ekstreme. Por edhe mazhoranca të mos i zmadhojë problemet e protestës.

Në këto kushte a rrezikohen në qershor hapja e negociatave?

Sigurisht që rrezikohen. Një nga kushtet e negociatave është zgjedhjet e rregullta vendore. Madje u ka vënë dhe kusht që në se nuk bëhet reforma zgjedhore para zgjedhjeve lokale nuk do të hapen negociatat. Rezoluta e PE e miratuar nga 470 deputetë i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare të ndryshojnë ligjin zgjedhor, të bëjnë reformën zgjedhore. Ka kërkuar që reforma zgjedhore të kryhet dhe të përfundojë para zgjedhjeve lokale. Pra kjo është detyrë e dy partive të mëdha PS dhe PD. Është detyrë kyçe për hapjen e negociatave, por asnjëra s’po e vë ujin në zjarr.

Po PD a e ka ngritur këtë problem?

Çuditërisht asnjëherë, as PD as Basha s’e kanë ngritur këtë problem. Kjo pasi KQZ është e politizuar, pra ka si anëtarë, pjesëtarë të dy partive të mëdha, dhe këto dy parti duan të bëjnë ligjin dhe nuk duan të thyejnë pushtetin e tyre në KQZ pasi nuk duan të ndajnë pushtet. Me këtë mënyrë si e kanë politizuar KQZ të dy partitë e mëdha bien në ujdi në heshtje pasi vetëm kështu ndahet pushteti gjithmonë mes këtyre dy partive. Në këtë institucion nuk duhet të ketë asnjë përfaqësues të partive politike. Në fakt është krejt ndryshe. Po ndodh e kundërta, ata nuk e ndryshojnë këtë mënyrë drejtimi se në të kundërt procesi i zgjedhjeve nuk kontrollohet (komandohet) nga dy partitë e mëdha kështu ata humbin pushtetin. Në KQZ janë ndarë anëtarët pozitë-opozitë. Ndaj po frenohet reforma zgjedhore.

Nëse nuk bëhet reforma zgjedhore, ju mendoni se nuk mund të zhvillohen zgjedhje të ndershme?

Po si do të zhvillohen kur KQZ-në e kontrollojë dy partitë e mëdha? Ku dinë partitë e vogla çdo bëhet me votat e tyre? Pra ata e ndajnë pushtetin dhe nuk ua lënë të tjerëve. Ky është problemi. Nuk ndodh si në Itali, Greqi, etj., ku partitë e reja marrin votat e sakta pasi KQZ është i depolitizuar. Kurse tek ne, të dy partitë kryesore kur vijnë në pushtet luftojnë me të njëjtat armë kundërshtarin për problemet e vendit për të ardhur në pushtet. Kështu ka bërë dhe PS më parë edhe greva në mes të bulevardit, por për reformën zgjedhore heshtin, heshtin. Korrupsioni, droga, krimi i organizuar, këto janë problemet e çdo qeverie dhe akuzat janë të njëjta sipas pushtetit. Pse ikin shqiptarët? Sepse ka korrupsion dhe duan punë dhe të jetojnë mirë. A e dini se Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku, që nga viti 1990 dominojnë vetëm dy parti që thuajse i ngjajnë njëra-tjetrës? Kjo bëhet sepse dy partitë e mëdha, me forma të ndryshme i mbysin partitë e vogla, nuk i lënë të marrin frymë. Në Europën lindore kanë dalë shumë parti të reja që kanë marrë pushtetin ndërsa në Shqipëri vazhdojnë ta mbajnë ato parti që lindën me rënien e komunizmit. Edhe në Itali dhe Greqi parti të reja kanë marrë vazhdimisht pushtetin, ndërsa në Shqipëri sa lind një parti e re mundohen ta mbysin. Kështu ndodhi edhe me lëvizjen apo protestën e studentëve. Një proteste e lirë, demokratike që do të sillte një frymë të re. Por nuk e lanë, me njëmijë marifete e shuan. Dy partive të mëdha nuk u intereson asnjë parti apo lëvizje e re, jo, fare, se u heq nga duart pushtetin.

Mendoni se në këtë situatë do të ketë zgjedhje të reja parlamentare?

Edhe nëse do ketë zgjedhje të reja, nëse nuk bëhet reforma zgjedhore do të jemi aty ku ishim. Absolutisht! Ky është kushti për ndryshimin e situatës. Kur PE ka dhënë një rezolutë, ajo duhet të ratifikohej nga Parlamenti shqiptar. Edhe nëse nuk i zbaton 100% rekomandimet e të ratifikojë 80%, por ama ta hedhë këtë hap. Por Parlamenti ynë nuk e merr fare në konsideratë.

Në zgjedhjet lokale ju do të dilni më vete?

Kjo është shumë e vështirë. Si të shkosh në këtë situatë, si parti e vetme. E kanë provuar shumë të pavarur dhe nuk bëhet gjë. Pastaj duhen edhe 5 mijë firma. Kjo situatë nuk është në favor të partive të vogla. Me këtë Kod Zgjedhor nuk mund të hyhet vetëm. Njëherë kam bërë debat kur kam qenë ambasador në Vatikan me ambasadoren gjermane në një takim me trupin diplomatik, i thashë: Kolege, partia e Merkelit a ka anëtarë të KQZ nga partia e vet? Po partia Socialdemokrate ka anëtarë të saj në KQZ? Po në Francë, Spanjë, Angli, partitë kanë anëtarë të partive në KQZ apo janë të pavarura? Në këto kushte a mund të futesh i vetëm në zgjedhje? Jemi duke parë situatën.