CHAMPIONS LEAGUE/United-PSG, Solskjaer “qan” mungesën e Neymar

CHAMPIONS LEAGUE/United-PSG, Solskjaer “qan” mungesën e Neymar
Sot dhe nesër luhen katër ndeshjet e para, për një vend në çerekfinale të këtij edicioni. Sipakasin ndeshjes Manchester United-PSG dhe Ajax-Real Madrid

Nga Aranit Muraçi

Rikthehet Champions League, me 16 më të mirat e këtij edicioni. Sot dhe nesër luhen katër ndeshjet e para dhe një javë më vonë do të zhvillohen katër ndeshjet e dyta, për t’i lënë vend dy javë më vonë skuadrave të para që do të kualifikohen në çerekfinale. Manchester United-PSG është krye-ndeshja e mbrëmjes së sotme. Roma përballë Portos është sfida e dytë e mbrëmjes. Ndaj francezëve që po dominojnë ligën e tyre, United me ecurinë e javëve të fundit në Premier League, ka rikthyer besimin tek tifozët. Pritet një mbrëmje e madhe në “Old Trafford”.

Neymar 

Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, u shpreh se është një fatkeqësi mungesa e Neymar për PSG, kundër Manchester United. Neymar mbeti jashtë për të dy ndeshjet e Champions, pas dëmtimit. Por edhe Edinson Cavani mund të detyrohet të mos luajë sot në  “Old Trafford” për të njëjtën arsye. Cavani doli nga fusha gjatë pjesës së parë të ndeshjes PSG-Bordeaux, për shkak dëmtimi dhe trajneri i saj, Thomas Tuchel u shpreh se edhe uruguajani ka të ngjarë të mos luajë, duke pritur ndonjë lajm të mirë në momentet e fundit.

Krahasimi

Solskjaer ishte në sulmin e United kundër Real Madrid, në kohën kur luanin Ronaldo, Raul, Luis Figo e Zinedine Zidane, në vitin 2003 dhe për këtë arsye beson se edhe tifozët e Djajve të Kuq do të donin të shihnin Neymar në “Old Trafford”. – “Fatkeqësisht ai nuk mund të luajë,’ - u shpreh Solskjaer. “Kur përballesh me ekipet me të mira, dëshiron të luash edhe ndaj lojtarëve më të mirë të tyre. Turma dëshiron të shohë lojtarët më të mirë. Prandaj mungesa e tij nuk është gjë e mirë për “Old Trafford”. Trajneri norvegjez dha edhe  një shembull: Kam luajtur dy ndeshje ndaj Real Madrid, në kohën e Ronaldos e Figos, dhe ata luajtën në “Old Trafford”. Prania e tyre i dha ndeshjes një tjetër dimension”, shprehet trajneri i Djajve të Kuq.

United i ka fituar 10 nga 11 ndeshjet nën drejtimin e Solskjaer, duke mbetur ende i pathyeshëm që pas ardhjes së norvegjezit, në Premier League.

 

Champions League

Raundi i 1/16 - Sot

21:00 Manch United - PSG

21:00 Roma - Porto

Nesër

21:00 Ajax - Real Madrid

21:00 Totenham - Borusia D.

19 shkurt

21:00 Liverpool - Bayern M.

21:00 Lion  - Barcelona

20 shkurt

21:00 Atletico M. - Juventus

21:00 Schalke  - Manchester C.