Biznesi adoptoi vjet 2.604 standarde, pjesa më e madhe siç i kërkon BE-ja

Biznesi adoptoi vjet 2.604 standarde, pjesa më e madhe siç i kërkon BE-ja
Biznesi privat që ushtron aktivitetin e tij në Shqipëri ka adoptuar gjatë vitit të kaluar 2.604 standarde.

Kjo konfirmohet në raportin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme e Standardizimit, sipas të cilit, pjesa më e madhe e tyre janë evropiane dhe më pak ndërkombëtare.

Më pak standarde në fakt, se një vit më parë, kur biznesi adoptoi 2.839 të tilla në total.

Kurse sa i përket ndarjes konkrete të tyre, ekspertët sqarojnë se 1.096 standarde ishin të publikuara nga CEN (Komiteti Europian i Standardizimit), 488 nga CENELEC (Komiteti Europian për Standardizimin në Fushën e Elektroteknikës), 400 nga ETSI (Instituti Europian i Standardizimit në fushën e Telekomunikacionit), 470 nga ISO (Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin) dhe 150 nga IEC (Komisioni Ndërkombëtar për Standardizimin në fushën e Elektroteknikës).

Që të gjitha, në shërbim të aktivitetit normal të biznesit, në mënyrë që ai të bëhet konkurrues, si ato të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendet e tjera të botës.

Dhe kjo, pasi një standard në vetvete është një dokument që përcakton kërkesat për një produkt, material, komponent, sistem ose shërbim të veçantë dhe jep detaje/specifikime teknike për një metodë ose procedurë të veçantë.

Si të tilla, ato e lehtësojnë tregtinë ndërkombëtare, duke siguruar përputhshmërinë dhe ndërveprimin e përbërësve, produkteve dhe shërbimeve.

Por nga ana tjetër, prej standardeve përfitojnë edhe konsumatorët, pasi për ta një produkt që i ka ato nënkupton se ato janë të sigurta, të besueshme, por në të njëjtën kohë edhe me cilësi më të lartë.

Ndërkaq, po sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme e Standardizimit, në total në Shqipëri janë adoptuar si standarde shqiptare 25.395 të tilla evropiane, të ndara në 3.069 të ETSI, 6.620 të CENELEC dhe 15.706 të CEN dhe 4984 standarde ndërkombëtare të ISO & IEC.