Peleshi: Siç bëmë me thertoret, do bëjmë me të gjithë ata që tregtojnë ushqime

Peleshi: Siç bëmë me thertoret, do bëjmë me të gjithë ata që tregtojnë ushqime
Autoritetet ushqimore do të kryejnë kontrolle intensive në tregun e qumështit dhe nënproduktet e tij për të parë kushtet dhe sigurinë në të cilën tregtohet.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, teksa ka paralajmëruar se inspektimet do të përfshijnë dhe supermarketet e do të ndërtohet një sistem për sigurinë e produkteve.

“Kishim shumë thertore, që kishin investuar miliona euro dhe nuk punonin, sepse deri dje konkurroheshin nga pika të therjes me investime 5 mijë euro, 10 mijë euro, pra thjesht me një çengel të varur dhe i kishin kostot pothuajse zero, dhe i kishin çuar drejt mbylljes investimet e mëdha. Tani ka ndodhur e kundërta, këto pika therjeje janë mbyllur. I njëjti skenar do të ndodhë, po e them shumë shqip, pa u tërhequr, edhe në fushën e përpunimit të qumështit. Jemi të vetëdijshëm që është një fushë më e komplikuar, por nuk tërhiqemi, do të shkojmë deri në fund, derisa tregu i prodhimit dhe i përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri, të jetë njëlloj si në gjithë Europën”, tha ai.

Duke përfunduar se “mund të mbijetosh, të bësh biznes, të ndërtosh një ekonomi të mirë edhe duke qenë i vogël, një prodhues i vogël, apo një përpunues i vogël”.

Kjo nuk është një reformë për të mbyllur të vegjlit dhe për të lënë të mëdhenjtë. Kjo është një reformë, për të lënë në lojë, ata që janë seriozë”.

/n.e/

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: