Pas zgjedhjeve, u injektuan miliarda lekë në ekonomi

Pas zgjedhjeve, u injektuan miliarda lekë në ekonomi
Zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan verën e vjetshme në Shqipëri, e kanë “shkundur” ekonominë vendase nga paratë. Teksa ajo ka shfaqur menjëherë pas tyre një nevojë të madhe për to, të cilën duket se ia ka zgjidhur  Banka e Shqipërisë. Një fakt i tillë konfirmohet prej kësaj të fundit, duke pranuar se ka ndërhyrë në tregun vendas të parasë, menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. “Në tremujorin e tretë të vitit 2017, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë konsistuan në operacionet e tregut të hapur për injektim likuiditeti”, cilëson banka qendrore lidhur me një situatë të tillë. Duke sqaruar më tej se krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, likuiditeti i injektuar në sistemin bankar rezultoi përkatësisht rreth 6 miliardë lekë më i lartë, duke arritur në rreth 38.5 miliardë lekë. Dhe duke reflektuar në të njëjtën kohë, nevojën që bankat e nivelit të dytë të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë paraqisnin për para’, pikërisht pas periudhës së zgjedhjeve. E cila nuk duhet harruar se u shoqërua edhe me një krizë të zgjatur disamujore politike, që natyrshëm shkaktoi stepjen e investitorëve. “Në kushtet e rritjes së mungesës së likuiditetit gjatë sezonit veror, u rinovuan për shuma më të larta edhe marrëveshjet të riblerjes me maturim deri në 3 muaj për mesatarisht 14.6 miliardë lekë, kundrejt 10.5 miliardë lekë gjatë tremujorit të mëparshëm”, sqarojnë mes të tjerash ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Për të konfirmuar kështu se gjatë periudhës në fjalë ka patur një nevojë të bankave për likuiditet, e që ka detyruar pikërisht Bankën e Shqipërisë të ndërhyjë, për ta rregulluar situatën. Por në të njëjtën kohë ka konfirmuar edhe faktin se bankat e nivelit të dytë, pas zgjedhjeve nuk kanë patut rezervat e duhura të fondeve, njësoj si para atyre.

 

Bankat fitojnë më shumë likuiditet, por nuk çlirojnë fondet për kreditim

Por edhe pse kanë patur likuiditet më të bollshëm në arkat e tyre gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar, kjo edhe falë ndërhyrjes në tregun e parasë me likuiditet nga ana e Bankës së Shqipërisë, bankat private në vendin tonë vazhdojnë të hezitojnë për të kredituar ekonominë. Këtë e kanë faktuar të dhënat e kreditimit si i tillë për tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit të kaluar, sipas të cilave kreditimi ka ardhur në rënie gjatë tyre, në krahasim me pjesën e parë të vitit. E duke reflektuar në këtë mënyrë efektet negative të krizës politike që shoqëroi vendin para zgjedhjeve të 25 qershorit 2015. “Standardet e kredisë janë shtrënguar për bizneset, ndërsa janë lehtësuar për individët”, thuhet në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e tretë 2017.  Ku për këta të fundit, sqarohet më tej se “standardet e kredisë rezultuan të lehtësuara, si në segmentin e kredisë për blerje shtëpie, ashtu edhe për kredinë konsumatore”.

Forumi Ekonomik Botëror: Shqipëria, e 91-ta për prodhim

Shqipëria renditet e 91-ta në botë ndër 100 ekonomi botërore, sa i përket aftësisë për të prodhuar. Kjo shifër është dhënë në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Botëror mbi manifakturën. Gjithsesi, sipas këtij institucioni të njohur botëror, jo çdo gjë shkon keq në ekonominë shqiptare. Teksa një ndër treguesit që merr vlerësimet me të larta është ai i kapitalit njerëzor, ku me përjashtim të migrimit, thuajse të gjithë nën-indikatorët janë të kënaqshëm. Nga ana tjetër,  një sektor që merr nota pozitive është edhe tregtia, ku Shqipëria renditet e 53-ta në botë, kryesisht si rrjedhojë e tarifave tregtare, ku renditet vetëm e 36-ta n botë. Kurse sa u përket investimeve ndërkohë, situata është krejt tjetër, pasi renditet e 91-ta në botë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: