“Prishja e muzeumeve, krizë e identitetit tonë historik”

“Prishja e muzeumeve, krizë e identitetit tonë historik”
INTERVISTË/ Flet prof. Kastriot Bezati, historian i njohur: Nëse do t’u hiqnim pjesën ideologjike muzeumeve të asaj kohe, mund të them se ato ishin një pjesë e artë e historisë së Shqipërisë

Shqipëria, disa dekada më parë ka qenë një vend me muze të kompletuar dhe me një historik tepër të saktë. Po sot? Nuk gjen asgjë. Asnjë muze në fshatra, apo qytete... Ky është shqetësimi që historiani Kastriot Bezati, për 36 vjet me radhë drejtor i Kulturës dhe Muzeumeve në Përmet, ngre në lidhje me situatën ku gjenden aktualisht këto të fundit. Në këtë intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”, ai flet gjithashtu edhe për problemet aktuale të arsimit, ku mitmarrja është kthyer në problem, si edhe marrëdhëniet me nxënësit. Teksa tregon edhe një episod tjetër në lidhje me ceremoninë e inaugurimit të busteve të vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit, ku ai lejoi të merrte pjesë në të Nevrezi, vajza e Naimit. Por që nga ana tjetër, ajo kishte djalë xhaxhai Mit’hat Frashërin, i cili kishte pasur divergjenca të mëdha me Enver Hoxhën....

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Në përurimin e busteve të vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit, ku ju ishit organizator, çfarë të veçantash kishte ajo ceremoni?

Inaugurimi i busteve të vëllezërve Frashri në Frashër të Përmetit u bë më 16 qershor të vitit 1974. Për mua mbetet një nga ditët më historike  të jetës sime, pasi shtëpia e tyre u kthye në muze dhe u vendosën bustet e tyre aq të bukur. Një peizazh i rrallë, një inaugurim madhështor dhe një respekt i madh për këta rilindës kaq të mëdhenj. Në këtë datë historike, nga Tirana kishte ardhur kryetari i Akademisë së Shkencave, Aleks Buda dhe ministri i Arsimit, Thoma Deliana. Por ajo që më bënte përshtypje atë ditë ishte se në oborrin e shtëpisë, kur ne u futëm të shikonim brenda shtëpinë muze, qëndronte Naime Rusi, nëna e ish-volejbollistit të madh Asllan Rusi. Ajo thuajse qëndronte e vetme në oborr dhe e tërhequr. E pashë nga dritarja disa herë dhe më vinte keq.

Po përse të vinte keq? Kush është në fakt Naime Rusi që ju ka bërë aq përshtypje vetmia e saj?

Naime Rusi është nëna e Asllan Rusit, volejbollistit të madh. Por nga ana tjetër, ajo është vajza e Nevrez dhe Shahin Kolonjës. Nevrezi ishte vajza e Naim Frashërit. Ndërsa Shahin Kolonja ishte një patriot i shquar shqiptar, aktivist i përpjesëtimeve kombëtare, me kontribut të jashtëzakonshëm për Rilindjen shqiptare. Merita më e madhe e tij ishte puna e tij si botues dhe kryeredaktor i gazetës “Drita” nga viti 1901 deri në vitin 1908, që dilte nën moton “Shqipëria e shqiptarëve”. Ajo ishte një gazetë demokratike dhe patriotike dhe luajti një rol të madh për aktivizimin e lëvizjes nacional-çlirimtare shqiptare. Duke mbajtur lidhje me aktivistë të shquar në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare në vende të ndryshme, Shahin Kolonja në faqet e gazetës “Drita” pasqyronte luftën dhe përvijonte detyrat që qëndronin para patriotëve shqiptarë. Jepte shumë ide dhe propozime të reja. Personalisht, Shahin Kolonja mori pjesë në veprimtarinë e patriotëve shqiptarë në Shqipëri ose në vendet fqinje. Ai luajti një rol udhëheqës në klubin “Bashkimi” në Manastir, krahas Gjergj Kirijazit. Gjatë vitit 1905, Shahin Kolonja merrte pjesë aktive në themelimin e komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”. Ai vizitoi Bukureshtin dhe Egjiptin për t’i bindur bashkatdhetarët e tij që të hyjnë në këtë komitet, ose ta ndihmonin veprimtarinë e tij. Jo rastësisht gazeta “Drita”, e importuar në mënyrë ilegale në Shqipëri, kishte një ndikim të veçantë mbi patriotët shqiptarë atje. Ndërsa Nevrezi është vajza e Naim Frashërit. Por nga ana tjetër, ajo kishte djalë xhaxhai Mit’hat Frashërin, i cili kishte pasur divergjenca të mëdha me Enver Hoxhën. Mit’hati ishte i biri i Abdyl Frashërit. Pra, Naimja e kishte djalin e xhaxhait Mit’hatin dhe prandaj shikohej me sy te keq nga Enveri për shkak të tij, ndaj rrinte e tërhequr atë ditë. Edhe pse lavdia e asaj dite i takonte asaj.

Po ju si vepruat?

Kur e pashë në atë situatë, i them menjëherë Thoma Delianës dhe Aleks Budës se jashtë ishte Naimja, mbesa e vëllezërve Frashëri. Ata më thanë ta ftoja brenda. Shkova dhe e ftova. Ajo shtangu. Nga sytë i rrodhën lotë. Ishte një moment shumë delikat për mua pasi kjo grua e mirë kishte marrë pjesë në ceremoninë e ardhjes së eshtrave të Naimit nga Turqia në 2 qershor 1937.  Pra, mori pjesë e nderuar në kohën e Zogut dhe tani lihej në heshtje në sistemin komunist. Ndjeva se bëra një detyrim ndaj Frashërit dhe mesazhit të Frashërllinjve.

Sa muze kishte në atë kohë rrethi i Përmetit?

Në atë kohë, thuajse të gjitha fshatrat e mëdhenj kishin muzetë e tyre, por edhe vatrat e kulturës. Kishte një jetë kulturore shumë të bukur dhe të organizuar. Në çdo të shtunë, në fshatra kishte mbrëmje vallëzimi për të rinjtë dhe të rejat. Muzetë ishin të kompletuar dhe me një historik tepër të saktë. Po sot? Nuk gjen asgjë. Asnjë muze në fshatra. Për 36 vjet, si drejtor i Qendrës Kulturore dhe Muzeumeve në rrethin e Përmetit, mund të them se tashmë jemi në krizën më të madhe të identitetit historik për shkak të prishjes së muzeumeve në fshatra, por edhe në qytete. Nëse do hiqnim pjesën ideologjike të tyre, mund të them se ato ishin një pjesë e artë e historisë së Shqipërisë.

 

EPISODI

“Si i vura notën 9 në mësim, vajzës së Enver Hoxhës ...”

 “Praktika për ata që mbaronin studimet, më ra ta bëja tek  gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Aty ku mësonin fëmijët e udhëheqjes. Unë shumë gjëra s’i dija dhe shkova për të dhënë mësim me atë dëshirën për të qenë korrekt dhe idealist. Një ditë çoj në dërrasë një vajzë simpatike me emrin Pranvera. Një vajzë shtatlartë deh shumë e edukuar. Ajo u përgjigj mirë, por në një vend bëri një ngatërresë. Kur u ul, unë i thashë “merr notën 9”. Sa thashë këtë, e gjithë klasa lëshoi një “uuu ...” të zgjatur. I pashë i habitur, por dhe shumë serioz. Duke parë qëndrimin tim korrekt, klasa heshti. Vajza u skuq paksa dhe nuk foli fare. Kur mbaroi mësimi dhe dola nga klasa, një nxënës afrohet dhe më thotë: “Profesor, ajo vajza që i vure 9”, është vajza e Enver Hoxhës...”. Për një moment shtanga, por e mblodha veten. “Po mirë, - i thashë, - unë i vura notën që meritonte, nuk e fyeva”. Ajo vetë nuk reagoi asnjëherë rreth kësaj që ndodhi. Përkundrazi, sa herë më shikonte, më përshëndeste me shumë edukatë. Ishte një vajzë e formuar dhe e ditur. Madje, edhe shumë vite më pas, sa herë më shikonte, më përshëndeste me respekt. Ruaj kujtimet më të mira për të.

ARSIMI

“Mësuesit e asaj kohe ishin heronj”

“Mësimdhënia, ora e mësimit dhe gjithë procesi mësimor në atë regjim ishte tepër korrekt dhe me nivel. Mësuesit përgatiteshin në mënyrë sistematike dhe me shumë përgjegjësi. Atëherë, mësuesit ishin të detyruar të bënin dhe mësim jashtë klase për nxënësit me rezultate jo të mira. Mësuesit ishin heronj dhe shumë herë punonin edhe në kushte të vështira. Punonin në fshatrat më të thellë, ku bora ishte e pashmangshme për tre muaj. Nuk kishte fshat pa shkollë, përveç të ndonjë rasti tepër të rrallë. Për mitmarrje?! As që bëhej fjalë. As nuk njihej si fenomen. As i shkonte ndërmend njeriut për diçka të tillë. Më e shumta ishte një kafe dhe konjak për mësuesit e largët, që nuk mundeshin të shkonin në shtëpitë e tyre pro flinim 5 ditë në fshatrat e largët. Kishte një marrëdhënie të shkëlqyer nxënës-mësues-prind. Të tria palët ishin të interesuar për mbarëvajtjen e nxënësve në shkollë. Kërkesa e llogarisë ishte e madhe dhe komunikimi ishte tepër korrekt. Atëherë nuk mund të mendohej që nj nxënës i klasës së 9-të të pinte cigare. Them për cigare, pasi për hashash as nuk njihej dhe as nuk mendohej. Të pinte dikush hashash ishte sikur të përmbysej shkolla. Rregullat ishin rregulla dhe askush nuk luante me to. Nuk njihej analfabetizmi dhe shkolla 8-vjeçare ishte e detyruar dhe ishte gati të bëhej edhe e mesmja e tillë. Librat ishin të unifikuara, të mirëkontrolluara, pa gabime dhe tepër korrkte. Prindërit kishin interes të madh pr fëmijët që të mësonin dhe shkolla ishte kthyer në edukatë. Nuk mund të mendohej njeri që të luante me shkollën.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: