“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Edi Rama sabotoi autobusin e ekipit të futbollit të Ballshit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Edi Rama sabotoi autobusin e ekipit të futbollit të Ballshit
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" hapet sot, me një lajm jo të mirë për peshkatarët e kryeqytetit.

Prefekti i Tiranës lajmëroi se rruga Durrës-Tiranë dhe anasjelltas, nuk do përmbytet më.

Ndaj kur të ketë përmbytje, kush ishte bërë gati të mblidhte peshq në këtë rrugë, duhet të dalë në vend tjetër me rrjetat e tij.

E meqë ra llafi te rruga. Autobusi i ekipit të futbollit të Ballshit, mbeti rrugës. Nuk u ndez as me të shtyrën që i bënë futbollistët. Do shkonte në Gjirokastër të luante, por u gufos e nuk ecte dot. Kjo, sigurisht, jo për shkak të naftës që del nga Rafineria e Ballshit, aspak.

Ne kemi siguruar fakte se, një dorë e fshehtë e pushtetit, e ka kryer këtë akt sabotazhi.  Dikush që ka menduar që futbollistët e Bylisit, mos të lodheshin në ndeshjen e Kupës.

Kjo do të sjellë si rrjedhim që, pastaj, gjithë energjitë e tyre t'i hedhin në kampionat, duke rivalizuar sportklub Tiranën, thënë ndryshe Tironën, për t'u ngjitur në Superiore.

Ne kemi të dhëna, apo siç thuhet në gazetari, disponojmë informacione se, ky akt sabotazhi ndaj Autobusit të Bylisit, është orkestruar nga shoku Olsi Rama. Pra, logjikisht, edhe nga Edi Rama, se Olsi për çdo gjë i thotë të vëllait të tij më të madh. Dihet rivaliteti midis dy klubeve të kryeqytetit.

Madje, ne dimë se nuk ka qenë Partia Socialiste dhe as Edi Rama, që ju tha këshilltarëve të tij bashkiakë, të votonin para disa viteve, që stadiumin të cilin e ndërtoi diktatura, t'ia jepte sportklub Tiranës. Ata votuan në kokë të tyre.

Dhënia e stadiumit që ndërtoi diktatura, shkaktoi pakënaqësi jo vetëm te tifozët, por madje edhe te disa të tjerë të cilët nuk duan të luajnë në një objekt që e ka ndërtuar ai sistem i poshtër, meqë gjatë viteve të monizmit, klubi i futbollit ka qenë antisistem.

Prokuroria duhet të hapë një hetim për ngjarjen e autobusit!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: