Bien kreditë me probleme, niveli më i ulët në 7-8 vjet

Bien kreditë me probleme, niveli më i ulët në 7-8 vjet
Qytetarët shqiptarë po tregohen më korrektë në shlyerjen e kredive ndaj bankave ku i kanë marrë ato. Duke bërë kështu që kreditë e këqija si të tilla, të jenë gjithmonë e më të pakta. Këtë dukuri e konfirmojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave, ato të kenë arritur tashmë në nivelin e tyre më të ulët që kanë njohur gjatë 7-8 viteve të fundit. Konkretisht, sipas tyre, rezulton se në muajin tetor të këtij viti, kreditë me probleme ishin vetëm në nivelin prej 14.5% të totalit, nga 14.8% që ato rezultuan në fund të shtatorit. Në vlerë absolute, kredia e keqe në fund të tetorit ishte 80 miliardë lekë, apo rreth 590 milionë euro. Një nivel ky që sipas ekspertëve, është më i ulët që nga dhjetori i vitit 2010. Kujtojmë sakaq se vlera më e lartë e tyre arriti pikërisht në vitin 2014, deri 24%, e konsideruar si mjaft e rrezikshme për sistemin bankar nga ekspertët e tij. Por qëkur nisi procesi i pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë e vjetra problematike, të mbartura ndër vite prej shumë kohësh, ky tregues nisi rënien e tij. Për të krijuar kështu tashmë edhe një tablo më realiste të portofolit të sistemit bankar në vendin tonë. Teksa një tjetër efekt po jep gjithashtu edhe përdorimi i efektshëm i mekanizmit të ristrukturimit të hershëm të kredive. Nga ana tjetër, fakti që nëpër banka ka më pak kredi me probleme se më parë, do të thotë edhe se ato po vënë më pak fonde në dispozicion për provigjionimin, duke shkaktuar kështu një normë më të lartë fitimi të tyre. Por në të njëjtën kohë, edhe më shumë fonde në dispozicion për t’u dhënë kredi qytetarëve apo bizneseve të interesuar për të marrë një të tillë.

BILANCI

Fshirja e kredive që s’ktheheshin, 43 miliardë lekë që nga viti 2015

Tre vitet e fundit, sistemi bankar është përfshirë në një fazë ristrukturimi, ku një peshë të rëndësishme ka luajtur fshirja nga bilancet e kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin (ndërkohë që bankat vijojnë përpjekjet për t’i mbledhur), shoqëruar me ristrukturimin e huave të tjera problematike. Konkretisht, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur më herët se nga janari i vitit 2015 dhe deri në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 43 miliardë lekë ose 316 milionë euro. Si rrjedhojë, pa fshirjen, kreditë me probleme do të ishin rreth 1.2 miliardë lekë, apo rreth 22% e totalit.

 

RAPORTI

BEI: Bankat në Shqipëri, po japin kënaqshëm kredi

Industria bankare në Shqipëri paraqet një shtim të kredive të dhëna ndaj qytetarëve, por edhe biznesit. Një fakt i tillë konfirmohet së fundmi nga Banka Europiane e Investimeve (BEI), në raportin e radhës për vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, mes të cilave edhe për Shqipërinë. Sipas tij, kjo ecuri pozitive e kreditimit do të vijojë edhe përgjatë gjashtë muajve në vijim. Dhe kjo, për shkak të kërkesës së fortë të brendshme e projekteve madhore në infrastrukturë, e në veçanti gazsjellësit, të cilas sipas BEI-t, mund të nxisin edhe më tej kërkesën për financim. Sa i përket krahut të ofertës nga bankat për hua, në raport thuhet se, vetë bankat projektojnë që të lehtësojnë më shumë kushtet e huadhënies në muajt e ardhshëm.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: