Sejko me drejtues të FMN dhe BB: Ekonomia shqiptare vijon të përmirësohet

Sejko me drejtues të FMN dhe BB: Ekonomia shqiptare vijon të përmirësohet
Aktiviteti ekonomik në Shqipëri ka vijuar të shënojë përmirësim, ndërsa treguesit e saj konfirmojnë stabilitetin makroekonomik.

Një fakt të tillë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e ka bërë me dije gjatë takimeve që ka zhvilluar me drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, në mbledhjet e tyre vjetore, që u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse përsa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë si dhe me një nivel të kënaqshëm kapitalizimi dhe likuiditeti.

Ndërsa lidhur me nivelet e larta të euroizimit, ai raportoi se po ndiqet një përqasje strategjike afatgjatë për deeuroizimin e ekonomisë shqiptare, që nëpërmjet reduktimit të përdorimit të euros brenda saj, do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë konfirmon se gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si ruajtja e stabilitetit dhe vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, mbeten të një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Por një tjetër takim mjaft i rëndësishëm, i realizuar nga kreu i Bankës së Shqipërisë ishte edhe ai i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës.

Gjatë tij, Guvernatori njohu të pranishmit lidhur me planin e veprimit ndërinstitucional dhe masave të ndryshme të Bankës së Shqipërisë në drejtim të uljes së kredive me probleme, si dhe nënvizoi se trajtimi i tyre ka qenë një ndër angazhimet kryesore të saj. Sipas tij, masat e ndërmarra, kanë dhënë efektet e tyre graduale dhe të qëndrueshme, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj kredisë totale të zbresë në nivelin më të ulët që prej vitit 2011, dhe pritet të vazhdojë në këtë drejtim edhe në të ardhmen e afërt.

/n.e/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: