FMN kundër qeverisë: Jo TVSH biznesit të vogël

FMN kundër qeverisë: Jo TVSH biznesit të vogël
Në një kohë kur politika shqiptare është përfshirë në debatin për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ndaj kategorisë së biznesit të vogël, një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar, vlerëson se kjo nuk do ishte aspak efektive

***

Duhet vendosur apo jo biznesi i vogël nën regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar? Fondi Monetar Ndërkombëtar mesa duket paraqitet kundër një mase të tillë, që pritet të vihet në zbatim konkret në Shqipëri pas 1 janarit 2018. Të paktën sipas një studimi të posaçëm të realizuar prej tij mbi taksat, ku theksohet se në tërësi, mbingarkesa me to, do t’i shtonte kostot e biznesit.

Në veçanti, duke iu referuar taksës së TVSH-së, ekspertët e FMN-së sqarojnë se kostoja e administrimit së saj prej biznesit të vogël, do ta shtonte në mënyrë të konsiderueshme barrën me të cilën ai përballet gjatë aktivitetit të tij të përditshëm. Duke patur si pasojë, që atij t’i mbeteshin më pak para’ për të investuar në prodhim, por edhe në modernizimin e tij, e kësisoj, ai të bëhej më pak produktiv dhe efiçent. Në këtë mënyrë, duket se institucioni i njohur ndërkombëtar financiar, del kundër kompleksitetit të taksave në tërësinë e tyre, që në rastin e Shqipërisë përkthehet për momentin, me një moskëshillim të autoriteteve për vendosje të kategorisë së biznesit të vogël nën regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Ndërsa përmes studimit në fjalë, apelon se në tërësi, ndërhyrjet administrative në taksa, duhet të vlerësohen mirë nga një perspektivë e të ardhurave tatimore.

Konkretisht, teksa analizoi të dhëna nga 21 vende  në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, institucioni i njohur financiar ndërkombëtar risjell në vëmendje faktin se vendosja e TVSH-së ndaj një ndërmarrjeje ka një kosto të caktuar. Porse kur është fjala për një të tillë të nivelit të mesëm apo të vogël, ajo është më e lartë dhe që i vendos realisht në vështirësi ato. Duke sqaruar më tej, se vështirësi përbën sidomos rimbursimi i TVSH-së si i tillë për një biznes të vogël, në një kohë kur ky proces kërkon patjetër një auditim tatimor dhe ky lloj biznesi mund të gjendet i papërgatitur.

Vendet që i janë nënshtruar këtij studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet 2013-2016 janë: Shqipëria, Armenia, Koreja, Egjipti, Etiopia, Maqedonia, Gjeorgjia, Jordania, Kenia, Kosova, Kirgistani, Madagaskari, Malavia, Malajzia, Namibia, Rumania, Serbia, Tanzania, Uganda, Vietnami dhe Zambia.

Nëse lehtësohet barra tatimore, do të ketë më pak evazion fiskal

Ndërsa qeveria shqiptare e justifikon masën e futjes së biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së me faktin se ajo do të ndihmojë në zbutjen e mëtejshme të informalitetit në vend, Fondi Monetar Ndërkombëtar duket se nuk e mbështet as këtë argument. Sepse sipas studimit të tij, bizneset e vogla në fakt janë më të predispozuara që të kenë më shumë përfitime nëse atyre u lehtësohet barra fiskale, sesa bizneset e mëdha. “Një barrë e vështirë për t’iu përgjigjur taksave lidhet me evazionin fiskal, me më shumë korrupsion, me më pak investime dhe me më pak të ardhura për bizneset”, citon studimi i lartpërmendur i FMN-së. Duke dhënë edhe një shembull konkret rreth kësaj sesi për shembull, një reduktim në nivelin prej 10% i barrës administrative të taksave ndaj kategorisë së biznesit, përkthe-het në një rritje të ardhurash në nivelin prej 3% të tij. E matur kjo me numrin e pagesave të taksave në vit, por në të njëjtën kohë edhe me kohën e nevojshme për të paguar taksat që i duhet një biznesi gjatë aktivitetit të tij të përditshëm. “Përvojat e vendeve sugjerojnë se rregullat e qarta, të thjeshta dhe informacionet e sakta rreth detyrimeve tatimore mund të inkurajojnë më tej përmbushjen e detyrimeve nga bizneset”, cilësojnë ekspertët e FMN-së. Duke mbështetur kështu faktin se në vend do të kishte më pak informalitet. “Për të rritur besimin e publikut, administrata tatimore duhet të jetë haptazi e përgjegjshme dhe veprimet e saj të bëhen brenda një kuadri përgjegjësie si për qeverinë dhe për publikun e përgjithshëm”, është një tjetër vlerësim që bëhet nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Bizneset e vogla e kanë më të lartë koston të paguajnë taksat

Bizneset e vogla e kanë më të lartë koston për të paguar një ngarkesë më të madhe taksash, sesa bizneset e kategorive të tjera. Ky është një tjetër fakt, i cili bëhet me dije nga ana e ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke dalë kështu në mbrojtje të një barre taksash më të lehtësuar të kësaj kategorie. “Studimet e kostove të pajtueshmërisë tatimore të kryera në shumë vende tregojnë se mikro-bizneset zakonisht kanë kosto më të larta të pajtueshmërisë në krahasim me bizneset e mëdha”, citon saktësisht raporti i FMN-së. Duke iu referuar rasteve konkrete të disa vendeve të ndryshme të botës rreth kësaj dukurie. Kështu, FMN-ja përmend rastin e Ukrainës ku kostot e pajtueshmërisë thuhet se për bizneset e vogla janë deri në nivelin 117% më të larta në krahasim me bizneset e mëdha. Për të shtuar më tej faktin se një element mjaft i rëndësishëm që përmirëson marrëdhënien biznes-tatime, duke ia bërë “jetën më të lehtë” është edhe edukimi tatimor si i tillë. Pra, që biznesi, të jetë i mirëinformuar dhe praktik në pagesën e taksave. Por që ta arrijë një gjë e tillë, edhe kjo ka një kosto të caktuar, e cila sipas FMN-së arrin deri në nivelin e 5%-10% të kostove të përgjithshme të taksave. Tregues ky që në vendet e zhvilluara thuhet madje se arrin deri në shifrën prej 25%, pra mjaft e lartë, duke i mëshuar kështu faktit se sa i rëndësishëm është për një biznes “kultura tatimore” si e tillë.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: