TURPI SHQIPTAR, “ISHIM MIRË KUR ISHIM KEQ”- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

TURPI SHQIPTAR, “ISHIM MIRË KUR ISHIM KEQ”- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

 

TABELA

SISTEMET E QEVERISJES DHE KOHËZGJATJA E TYRE NË SHQIPËRI

Pleqësi, 1912-1914 - 2 vjet.

Monarki (principatë), 1914 - 6 muaj

Sistemi parlamentar, 1920-1925 - 5 vjet

Sistemi presidencial, 1925-1928 - 3 vjet

Monarki, 1928-1939 - 11 vjet

Sistemi monarkik nën pushtimin italian, 1939-1943 - 4 vjet

Sistemi qeveritar nën pushtimin gjerman (Regjencë),1943-1944 - 1 vit

Sistemi komunist,  1944 1990 - 46 vjet.

Sistemi demokratik, 1990-2017 e në vazhdim - 27 vjet

Vera e re në fuçinë e vjetër

TURPI SHQIPTAR, “ISHIM MIRË KUR ISHIM KEQ”

Kur pas tre muajsh, shteti shqiptar pritet të mbushë 105 vjet nga themelimi, një raport i BERZH tregon se 31 për qind e popullsisë preferojnë më tepër një sistem autoritar, se sa sistemin aktual demokratik. Kjo shifër është tre herë më e lartë se sa ajo e qytetarëve të Europës Perëndimore dhe 5 për qind më e lartë se ajo e vendeve të Europës Lindore që kanë kaluar komunizmin. Thënë me fjalë të tjera, shqiptarët preferojnë ende në një masë të konsiderueshme diktaturën komuniste, se sa sistemin e lirë që po jetojmë. Këto shifra janë të denja për t’i barazuar me habinë që i shkaktoi aktorit të madh Bujar Lako, në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, kur si kandidat për deputet i PD-së në zonën zgjedhore të Tiranës së Re, ai mori rreth 25 për qind të votave kundrejt rivalit të PS, që mori afër 70 për qind të votave. Dhe aktori i madh lëshoi batutën që ende mbahet mend: Edhe në Moskë të kisha kandiduar, do të merrja më shumë vota.

Po cilat janë arsyet që shqiptarët vazhdojnë të thonë se “ishim mirë kur ishim keq”? A është kjo një shifër vetëm e nostalgjikëve të komunizmit apo mes 31 përqindëshit ka edhe përfaqësues të brezit që ka lindur pas vitit 1990? Janë një radhë me pyetje që lindin pas këtij raporti dhe më shumë se kaq, janë shumë arsye që bëjnë që gati një e treta e shqiptarëve, të ëndërrojnë sistemin që ka 27 vjet që ka rënë.

SË PARI/ Në këto 105 vjet shtet, Shqipëria ka kaluar pothuajse të gjitha format e regjimeve dhe qeverisjeve, duke u bërë një vend unikal në historinë botërore. Nga pleqësia në monarki. Nga sistemi parlamentar në atë presidencial. Nga sistemi presidencial në atë monarkik. Nga sistemi monarkik nën pushtimin italian dhe më pas nën pushtimin gjerman. Më pas, me instalimin e sistemit komunist dhe pas vitit 1990 e deri më sot, sistemi demokratik i lirisë së mendimit dhe i tregtisë së lirë. Pra, mungesa e qëndrueshmërisë së sistemeve në Shqipëri, ka krijuar mungesën e tipizimit të një sistemi jetëgjatë në të cilin të mund të ishte krijuar një traditë si vendet më të zhvilluara në botë. Përjashtim këtu bën sistemi më i keq i mundshëm, komunizmi. Nga 105 vjet shtet, Shqipëria ka kaluar 46 vjet nën diktaturën komuniste; pra, afërsisht gjysmën e shtetit, ne e kemi patur nën komunizëm. Rrjedhimisht, ndikimi dhe memoria e shqiptarëve, në një formë apo tjetër, është e lidhur me këtë sistem. Shumica e familjeve shqiptare si prindërit dhe fëmijët e tyre e kanë njohur dhe kanë jetuar në sistemin komunist. Ndryshe ka ndodhur me zbatimin e sistemeve të tilla si monarkia e cila, në kohën e princit gjerman, Wilhelm von Wied, pati vetëm gjashtë muaj jetë dhe në kohën e mbretit Zog, pati 11 vjet jetë. Apo sistemi presidencial si i SHBA-së, që pati vetëm 3 vjet jetë, rrjedhimisht, edhe  ndikimi i këtyre sistemeve në memorien e popullit, është shumë herë më i vogël dhe i papërfillshëm.

SË DYTI/ Koha e gjatë e sistemit komunist ka lënë shenjë dhe ndikim në memorien e popullit shqiptar, për shumë e shumë vendime, ngjarje dhe deri çudira tipike tonat. Për 46 vjet me radhë, u instalua diktatura e proletariatit dhe si e tillë ky sistem krijoi tipizimin e vetëm. Mjafton të përmendim se gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, vuajtën vetëm për bindje politike 100 mijë shqiptarë të pushkatuar, arrestuar, dënuar, internuar dhe përndjekur. Pjesa tjetër që nuk ishte pjesë e kësaj vuajtje, ka qenë e bindur se për ta kjo ishte fitore, triumf dhe arritje. Madje, brenda këtij sistemi pati çudira vetëm shqiptare, që kulmuan me atë të vitit 1967, kur u bëmë i vetmi shtet ateist në botë. Një vendim që edhe sot, ka ndikimin e vet në masën e gjerë të popullsisë. Shembulli më i qartë i kësaj janë interesi ekstrem i rubrikave dossier në gazeta dhe televizione, të cilat kanë lexueshmëri dhe shikueshmëri mjaft herë më të lartë se çdo rubrikë tjetër në media. Aq e theksuar është kjo, saqë kur kryeredaktorët e gazetave vërejnë ulje të shitjeve të gazetave, si shpëtim kanë histori me Enverin, Mehmetin, Ramizin, por edhe me vrasjen e Xhevdet Mustafës, Nako Spirut dhe Koçi Xoxes.

SË TRETI/ 46 vitet e komunizmit janë periudha që është rritur pothuajse një brez i plotë që, me plot gojën, i quajmë gjenerata komuniste. Ata që lindën pas Luftës së Dytë Botërore  në vitin 1990 kur ai sistem u rrëzua, ishin 46 vjeç, një moshë që jo vetëm ishin brumosur me atë sistem, por njëkohësisht ishin bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë të atij sistemi. Ata u lindën nën atë sistem, u shkolluan, i shërbyen dhe një pjesë e tyre, në formë idealiste, i besuan verbërisht atij sistemi. Thjesht, ata ishin vetë sistemi. Në këtë mënyrë ka qenë tepër e vështirë që ky brez të pëlqejë apo përqafojë një sistem tjetër, përveç atij komunist, sado i mirë të jetë ai.

SË KATËRTI/ Lidhja masive e popullit me Sigurimin e Shtetit, është njolla më e rëndë që e ka shoqëruar këtë popull. Sipas të dhënave, 1 në 4 shqiptarë kanë qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit, në një formë apo tjetër, duke qenë bashkëpunëtorë, agjentë dhe ndihmës në rrethana e situate të ndryshme. Kjo solli një natyrë sjelljeje, jetese dhe funksionimi të spiunimit të çdo njeriu, pa asnjë dallim, nëse ai ishte vëllai, babai, nëna, motra, miku apo shoku. Një mënyrë që solli deformimin e karakterit, shkatërrimin e cilësive më të mira të shqiptarit dhe ngritjen në piedestal të pabesisë, dhunës dhe veseve. Nuk pritet që kjo pjesë e shqiptarëve, madje edhe e pasardhësve të tyre, të kenë brerje të ndërgjegjes për atë që kanë bërë, rrjedhimisht për ata sistemi komunist ishte ai në të cilin ndjeheshin të vlefshëm. Për ta, sistemi demokratik është ai që i demaskon apo mund t’i demaskojë dhe natyrisht sistemi i ri nuk është kurrë i pëlqyeshëm për ta.

SË PESTI/ Nostalgjia për sistemin komunist vazhdon të jetë e gjallë edhe sot. Janë nostalgjikë të asaj kohe që, në një formë apo tjetër, kanë jetuar mirë në krahasim me të tjerët, ndërsa tashmë e kanë humbur çdo privilegj dhe fajin e gjejnë tek sistemi demokratik. Këta lloj nostalgjikësh gjatë komunizmit, kanë qenë pjesë e çdo pushteti, nga më të lartat e deri tek të ulëtat. Nostalgjik nuk është vetëm një ish-pushtetar, por edhe një zanatçi i asaj kohe që, në një formë apo tjetër, ndjehej më i rëndësishëm dhe i vlefshëm në atë kohë se sa sot.

SË GJASHTI/ Mungesa e rendit dhe sigurisë ka bërë që, disa herë, shqiptarët t’i kthejnë sytë nga siguria e kohës së komunizmit. Nuk ka ngjarje të rëndë në Shqipëri, të mos dëgjojmë disa të thonë se në kohën e Enverit nuk kishte nga këto krime, apo se një grua nuk  kishte frikë të ecte në rrugë edhe në mesnatë, e nuk i ndodhte gjë. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë edhe për faktin se gjatë sistemit komunist, ngjarjet nuk bëheshin fare publike dhe çdo gjë mësohej vetëm nga lagjja dhe fshati ku ndodhte, ndërsa media e kishte të ndaluar t’i pasqyronte. Por kjo është e njëjta logjikë si gjatë kohës së komunizmit kur pas një ngjarje të rëndë, dikush kujtonte se kohën e Zogut  një xhandar i vetëm mbante qetësinë e një krahine. Megjithatë, për hir të vërtetës, gjatë komunizmit kishte shumë më pak vrasje dhe ngjarje kriminale se sa sot. Është e vërtetuar që diktaturat vendosin rend dhe siguri, ndërkohë që vetë shteti kryen vrasje masive. Po, a mund të quhet siguri kombëtare kur nuk ka vrasje në rrugë, por vetë shteti vret dhe pushkaton për bindje politike, qindra e mijëra qytetarë të vet?

SË GJASHTI/ Platforma e Katovicës është një tjetër arsye që e bën të preferuar komunizmin në Shqipëri. Ndonëse në Shqipëri, kjo teori është shoqëruar përherë me debate, bindja e një prej filozofëve shqiptarë si Servet Pëllumbi, tregon jo pak. Më shumë se një herë, Pëllumbi ka nënvizuar se Ramiz Alia e aplikoi platformën e Katovicës, duke lejuar rrëzimin e komunizmit, por disa komunistëve u dha prona, toka dhe biznese, duke fituar pushtetin ekonomik. Atëherë, këta biznesmenë komunistë, kë sistem preferojnë tani? Shifrat duhet të jenë brenda raportit të BERZH.

SË SHTATI/ Klasa e rënë nga pushteti është padyshim ajo më e interesuara. Bijë dhe pinjollë të pushtetarëve komunistë, janë ende nën efektin e drogës komuniste e cila jo vetëm nuk u ka dalë, por ata e shikojnë me nostalgji gjithçka që u ka ikur nga duart. Në të gjitha deklaratat apo intervistat publike të pasardhësve të pushtetarëve të asaj kohe, ata flasin me krenari për atë periudhë, nuk ndjejnë pendesë dhe shprehin keqardhje për rrëzimin e atij sistemi. Dhe mendoni, kjo masë nuk është e papërfillshme.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: