Pastrimi i parave/ Shqipëria shënon përkeqësim, mes 15 vendeve me rrezikun më të lartë

Pastrimi i parave/ Shqipëria shënon përkeqësim, mes 15 vendeve me rrezikun më të lartë
Basel AML Index (Indeksin Kundër-Pastrimit të Parave) i publikuar nga Instituti i Bazelit tregon se viti 2017 ka rezultuar me shifrat më pesimiste se ato të dy viteve të fundit lidhur me pastrimin e parave.

Në analizë janë 146 vende mes të cilëve edhe Shqipëria, ku rezulton një përkeqësim i indeksit. Bazuar në të dhëna publike, indeksi mat rrezikun e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste duke u nisur nga rreziku më i ulët( me 0 pikë) tek rreziku më i lartë( me 10 pikë).

Në bazë të publikimit, Shqipëria renditet në vendin e 85 me një vlerësim prej 5.75, duke shënuar përkeqësim në krahasim me vitin e kaluar, kur i njëjti indeks shënonte 5.04, pas nivelit prej 5.56 në vitin 2015.

Megjithëse shifrat tregojnë se kemi një përkeqësim në indeks, por nga ana tjetër vihet re përmirësim në renditje pasi në vitin 2016 renditeshim në vendin e 102 duke u ngjitur kështu me 17 vende për 1 vit.

Vlen të thuhet se kjo nuk është meritë e përmirësimit tonë por e përkeqësimit të vendeve të tjera të marra në studim.

Në tabelat e raportit, Shqipëria renditet mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, së bashku me Bosnjë Hercegovinën e Serbinë.

Më keq, mes 146 vendeve në botë sipas Indeksit Kundër Pastrimit të Parave të Bazelit, renditet Irani kurse më mirë renditet Finlanda.

Indeksi AML i Bazelit funksionon duke matur riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit të vendeve të cilat merren në shqyrtim duke u bazuar në burimet publike të disponueshme. Vlersimin total të riskut e bëjnë një seri prej 14 indikatorësh që lidhet me rregulloret kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit, korrupsionin standardet financiare, ndikimin politik dhe zbatimin e ligjit.

(Marrë nga Monitor)

/f.ç/

Foto: Google

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: