KOREJA NUK ËSHTË E FUNDIT- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KOREJA NUK ËSHTË E FUNDIT- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Mirë se me Korenë po merren të gjithë, por me të gjithë, kush do të merret?...

Kjo është çështja ekzistencialiste që mund të shtrohet botërisht tani për tani. Koreja e Veriut është në qendër. Një herë, Kim kërcënon Amerikën, herën e dytë i bën thirrje Amerikës se po pres kërcënimin tënd. Nuk është lojë fëmijësh, as veç një i çmendur. Sot, kërcënon se do të hedhë raketa bërthamore mbi Guam, - ishulli strehë i bazave ajrore ushtarake Amerikane, nesër bën sikur kërkon zgjidhje diplomatike përmes Kinës. Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se, në rast sulmi, pasojat për Korenë e Veriut do të jenë të rënda, se do të përmbyset regjimi dhe se vendi do të vihet në flakë ...

Deklarata e Amerikës prek partneritetin e rrezikuar të Kinës dhe të Rusisë... Zinxhiri hapet.

... Të gjithë merren me Korenë dhe rrezikun. A kanë të drejtë të gjithë që të merren? Padyshim që po. Sikur të ndodhte ndryshe, para një rreziku të një lufte të tmerrshme, atëherë të gjithë do të zgjonim nga gjumi të gjithë.

Por çfarë po ndodh me të gjithë teksa merren me rrezikun e vetëm, Kore!? Ajo çfarë po ndodh është si në një ngushëllim tradicional shqiptar që thotë mos e harrofsh. Fillimisht duket si mallkim, por pastaj kupton se fjala e hidhur ka kuptimin që, ajo e keqe, të mbetet e fundit...

Kjo është çështja: Se mes fjalëve për luftë ku po merren të gjithë, rreziku është që Koreja të mos mbetet në krye të të gjithave. Brenda detit të konfliktit dhe tendencave, po lindin disa “Kore” që mund të kërcënojnë nga shumë anë.  Ndaj Koresë të gjithë po luajnë rol dhe dëshirë parandaluese; po të tjerat, kush do t’i parandalojë?

Me Korenë po merremi edhe ne këtu, në një spot të Ballkanit, por me ne dhe me Ballkanin, kush po merret? Prej kohësh, politika në Tiranë dhe në Beograd po përhap zëra se Amerika nuk merret tashmë me ne. Madje lëshuan edhe zëra se këtë rajon po e synon Rusia. Duke parë venitjen e Bashkimit Europian, - si një organizatë që nuk mban dot më peshën e vet e jo më peshat e satelitëve, që këtej u përhapën zëra se po nuk na morët ju, diku tjetër do të atashohemi... A ka konflikt këtu? Konflikti është i pranishëm që në momentin kur preken lidhjet me qendrën. Ballkani dhe veçanërisht vendi ynë, Shqipëria, këto 3 dekada postdiktaturë, jemi qendërzuar te aleatët perëndimorë: SHBA dhe Europë. Në momentin kur vihet në dyshim ky radhim drejt qendrës sonë, atëherë që në këtë moment, trupi ynë është i hapur për konflikt. Para konfliktit global, përherë përfitojnë pushtetet tona të vogla, rritet arroganca, demagogjia, varfëria dhe rreziku për konflikt të brendshëm.

Pas kësaj, asgjë tjetër nuk është në krye, d.m.th., i fundit,  si Koreja.

Mes të gjithëve, dikush po funksionon që të hyjë në radhën e Koresë. Brenda për brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kryeson garancinë e paqes dhe të luftës kundër rrezikut bërthamor verior, zhvillohen elementët e luftës. Liberalët globalistë me organizata të financuara nga George Soros, po krijojnë stuhi protestash rreth Shtëpisë së Bardhë. Brenda “Shtëpisë” ndërtojnë skema për dobësimin e presidentit. Administratorët e kaluar të Sigurisë Kombëtare dhe FBI kanë angazhuar mekanizmin e provave me qëllim që të shtojnë dorëheqjet brenda stafit të presidentit Trump. Tre ish- kandidatë presidencialë nga radhët e Republikanëve, - që nga Mc Cain te Marco Rubio, u renditën në krah të lëvizjeve majtiste për “korrektimin e historisë”. Por në fakt “të gjithë” po kuptojnë se tendenca është minimi i presidentit Trump.

A mund të përballet rajoni ynë me një rishkrim? Aq më pak me një korrektim të historisë?

Efektet e luftës mes majtistëve, afrikano-amerikanëve dhe të të djathtëve ekstrem në Shtetet e Bashkuara, përplasen së pari mbi rajonin tonë, i ndjeshëm ndaj historisë. Brenda pak ditësh, duke nisur nga Virginia, atje janë shkatërruar disa monumente të Luftës Civile, që nga Robert E. Lee.

Sot, media amerikane po flet se mund të zhvendoset edhe monumenti i Lincoln. “Aq sa na frymëzoi e mbajtëm, tani pse na duhet?”, - tha dikush sot, në median amerikane. Parmbrëmë natën janë shkatërruar katër monumente në Baltimore; në mëngjes u duk vendi bosh dhe u mburr kryetari i bashkisë- një afrikano- amerikan. Deri më sot, është vrarë një njeri dhe janë plagosur njëzet në protestat për të mbrojtur dhe për të shembur monumentet...

Zinxhiri i simpatisë dhe urrejtjes për historinë përhapet shumë shpejt, sidomos në vendet tona të nxehta. Nëse rrëzojnë monumentin e Knjaz Milloshit në Serbi, a mund ta rrëzojnë edhe Gjergj Kastriotin në Shqipëri?!... Nuk po i shikoni disa tendenca rrëzimi edhe pse vijnë ashtu si infantile dhe idiote? Por ja ku janë... Ja ku janë vendet e tjera të nxehta... Sikur të hapet kutia historike mes Pakistanit dhe Indisë se cila është historia ime e cila jotja, atëherë nuk mund të ketë “Virginia” që të ndalojë... Të dy shtetet e nxehta në armiqësi për  shkak të afërsisë, janë që të dyja fuqi bërthamore...

... Ku po shkojmë kështu nëpër fushat e nxehta? Këto përbëjnë realitetin para nesh. Të gjithë janë të nxehtë;  dhe frika është se “të gjithë”  fshihen ose zgjohen prapa Koresë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: