Rama nga Vlora: Votoni numrin dy, për Shqipërinë që duam dhe atë kuqezi

Rama nga Vlora: Votoni numrin dy, për Shqipërinë që duam dhe atë kuqezi
Kryeministri Edi Rama, ka zgjedhur qytetin e Vlorës për të mbyllur fushatën elektorale. Në fjalën e tij para qytetarëve vlonjate Rama, tha se fjalimin e tij të fundit donte ta mbante në Vlorë.

“Do të zgjidhja Vlorën po të ishte dita ime e fundit, do të zgjidhja prapë Vlorën edhe për fjalimin tim të fundit në publik. Sikur të më duhet të them ku janë bashkë në të njëjtin vend Shqipëria dhe Kosova unë them Vlora”,- tha ai.

Ndër të tjera Rama tha se nderi më i madh që i është bërë është të zgjidhet deputet.

“Nderi më i madh që më bëtë është të jem deputet dhe i dyti kryeministër i Vlorës pas Ismail Qemalit. Përulja ime ndaj popullit të Vlorës është një detyrim i pashlyeshëm dhe një emocion i pashlyeshëm”,- tha ai në nisje.

Rama premtoi se nëse do t’i besohet sërish qeverisja e vendit do të bëjë shumë herë nga sa ka bërë gjatë mandatit të tij të parë.

“Në 44 muaj kam bërë për Vlorën jo aq sa desha, por aq sa munda. Për 4 vitet e ardhshme nëse do ma jepnin mundësinë do të bëj për Vlorën dhe Shqipërinë katërfishin e atyre që janë bërë në këto 44 muaj”, deklaroi Rama.

Më tej Rama u ka kërkuar falje qytetarëve për sjelljen punonjësve në administratë, duke theksuar se kjo nuk është administrata që u duhet shqiptarëve.

“I kërkoj falje çdo qytetari për çdo abuzim në zyrat e shtetit. Nëse ka një gjë që më bën më njerëzor përpara çdo qytetari është sjellja e neveritshme e administratës. Kjo nuk është administrata që duam”, theksoi Rama.

Rama i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen dhe të votojnë numrin 2, pasi sipas tij pasi partitë e tjera kërkojnë të ndajnë shqiptarët për të ndarë tepsinë e pushtetit. “Të tjerët duan t’ju mbajnë juve të ndarë për tepsinë e pushtetit, ndërsa unë dua që t'ju bashkojë juve me njëri tjetrin. Zgjidhni numrin dy, të bashkohemi për të gjithë këtë Shqipëri.”, tha Rama.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: