RAMUSHI NUK VJEN NË FESTË POR NË KRIZË?! - Nga FRROK ÇUPI

RAMUSHI NUK VJEN NË FESTË POR NË KRIZË?! - Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ramush Haradinaj u lirua nga burgu në Colmar të Francës. Pak kush e priste këtë, pavarësisht nga deklaratat ‘patriotike’. Pala serbe njoftoi në një nga televizionet e Beogradit se ‘nuk e dinim kështu’. Ndërsa pala tjetër në Prishtinë ‘u gëzua’. Në një njoftim të dhënë nga vetë familjarët e Ramush Haradinaj, ai sot do të jetë në Prishtinë. Babai i tij është emocionuar dhe i janë parë dy pika lot në faqe...

Përtej xhamave të aeroportit ku zbret Ramushi,  ndodhet një pamje ndryshe,  ftohtë. Janë disa sy të tjerë ‘të shqyer’ që pyesin: “Pse tani?... jetojmë në krizë...”. Ramush Haradinaj duket se nuk është liruar për festën, por për krizën.

1.

Kriza e përdorimit të Kosovës. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh përditë e më shumë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë deklaruar ‘bashkimin e Kosovës me Shqipërinë’ që të tjerë e kanë quajtur shkurt: “Shqipëri e Madhe”. Qëllimi nuk është ‘naiv’ por dinak: Me ‘Shqipërinë e Bashkuar’ të dy liderët shqiptarë tentojnë të mbulojnë krizën që kanë shkaktuar. Në Kosovë ka mbytur korrupsioni, keqqeverisja, hakmarrjet politike, varfëria... Presidenti, i cili ka një jetë në pushtet është piketuar si përgjegjësi kryesor. Qytetarët e Kosovës nuk e duan më, por ‘çfarë t’i bëjnë gjarpërimit të tij’- thonë. Edhe në Shqipëri është instaluar një krizë e rëndë: Shteti është kthyer në narko-shtet; zgjedhjet janë të rrezikuara; pluralizmi politik dhe demokracia janë në ditët e fundit; korrupsioni është ‘galopant’- sipas Departamentit të Shtetit. Shoqëria ka marrë tension dhe mund të rrezikohet stabiliteti i vendit. Shkaktari i kësaj gjendjeje është qeveria Rilindja dhe vetë kryeministri Rama. Ky, bashkë me Hashimin kanë ‘uzurpuar’ të drejtën e qeverisjes në të dy anët; të dy janë ‘complice’ në të njëjtën situatë. Të dy kanë përdorur Kosovën për të mbuluar krizën personale dhe të qeverisjes.

Ardhja e Ramushit- ish- kryeministër, ‘armik’ i betuar i Hashimit- ndodh bash për këtë krizë.

2.

Rreziku i shpërthimit të një lufte ‘ufo’.

Si në Tiranë edhe në Prishtinë, po sillet fantazma e një ‘lufte ballkanike’. Kryeministri shqiptar ka paralajmëruar Europën se ‘po nuk na mbajtët afër’ na mori dikush tjetër. Në një njoftim enigmatik, Rama paralajmëroi se dikush do të ‘vrasë liderin e opozitës Basha’... Edhe Thaçi i është gërmush Europës se ‘nuk ke më liderë’, ose në shqip ‘nuk ke më burrë’. Në të dy gojët thuhet ‘luftë!, luftë!’. Por nga kush? Nuk tregon njeri. Kryeministri i Thanës  ka futur duart edhe në çështjet e brendshme të Maqedonisë, ku është gati konflikti- sipas mediave.

Të dy liderët shqiptarë në Ballkan fajësojnë Rusinë; por Rusia ‘nuk di gjë’ për vete se pse e akuzojnë.

Përpjekja e përbashkët për të shkaktuar konflikt ballkanik është e dukshme. Ballkani, sidomos në Tiranë e Prishtinë ku sundojnë të dy, është kthyer në një zonë me vlerë për ‘mafien europiane’ dhe për pastrim parash nga Lindja dhe Perëndimi. Aktorët e interesave mafioze duan patjetër të mbajnë në duar këtë rajon.

Ramush Haradinaj kthehet në kulmin e kësaj krize; krejt papritur.

3.

Haradinaj miku i armikut të të dyve.

Të dy..., cilët? Përsëri përballë ndodhen presidenti kosovar Thaci dhe kryeministri shqiptar Rama. Armiku i të dyve në botën e madhe të politikës është presidenti Trump i Shteteve të Bashkuara. Rama kishte luftuar ‘me thikë në dhëmbë’ që të mos zgjidhej president i Amerikës; në emër të Soros. Thaçi qëndroi më në prapaskenë, por u armiqësua me Ramushin. Armiqësia u duk fort kur mori vesh se “Ramushi do të merrte pjesë” në ceremoninë e Inaugurimit të Trump. Fjalët u përhapën si në Prishtinë edhe në Tiranë. Po të ndodhte kjo, atëherë Thaçi binte në Prishtinë. Por nuk ndodhi, ndodhi vetëm burgimi i Haradinajt. Liderët e Partisë AAK, e Haradinaj, kanë deklaruar hapur se dyshojnë se Ramushi është burgosur me intrigat e Thaçit...

Pyetja shtrohet më tej: Sa po përparojnë politika dhe strategjitë sipas Trump në Ballkan? Këtu është çështja dhe kriza. Në vend të doktrinës Trump këtu vjen fshehurazi iniciatori i lëvizjeve anti- Trump, Tony Blair; dhe në Prishtinë vizitojnë presidentin ‘diplomatët’ e Hillary Clinton. Mediat e Thacit ‘duartrokasin’ mbi ‘rrezikun Trump ndaj shqiptarëve...

Në mes të kësaj krize mbërrin Haradinaj. Festa ka mbaruar para mbërritjes.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: