Elmaz Sherifi për “Albanian Free Press”: Politika nuk e njeh ligjin, kriza do thellohet

Elmaz Sherifi për “Albanian Free Press”: Politika nuk e njeh ligjin, kriza do thellohet
INTERVISTA / Ish-deputeti i PS dhe kryetar i Partisë “Lidhja për Progres dhe Drejtësi” flet me gazetën “Albanian Free Press”: Jemi si 105 vjet më parë, kur Shqipërinë e drejtonte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit 

Zëvendëspresidenti i PPE, David McAllister dhe raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, kryesojnë delegacionin që mbërriti të hënën në Tiranë për zgjidhjen e krizës politike. Eurodeputeti sllovak Eduard Kukan, nuk ishte pjesë e këtij delegacioni për shkak të angazhimeve të tjera të tij. Delegacioni është një mundësi për të zgjidhur ngërçin aktual politik dhe për të arritur një marrëveshje. Që prej 18 shkurtit, mbështetësit e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike, kanë bllokuar bulevardin kryesor të Tiranës dhe kanë organizuar protesta përpara zyrave të Kryeministrisë. Bojkoti i Kuvendit nga opozita ka penguar gjithashtu edhe reformën gjyqësore, e cila u miratua unanimisht vitin e kaluar. Për të përcjellë një ide rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, “Albanian Free Press” zhvilloi një bisedë me ish-deputetin e PS, z. Elmaz Sherifi.

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Zholi

Si do t’i komentoni zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, pas ardhjes së delegacionit të përfaqësuar nga dy politikanë të PE si negociatorë mes partive qeverisëse dhe opozitës së kryesuar nga PD?

Ajo që është shqetësuese për Shqipërinë është fakti që, ashtu si 105 vjet më parë, kur Shqipërinë e drejtonte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, në një shtet që sapo ishte shpallur më vete, edhe sot, problemet dhe ekuilibrat mes institucioneve të shtetit shqiptar, nuk është në gjendje t’i realizojë klasa e sotme politike shqiptare, por duhet ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve. Kjo është ajo që më shqetëson mua dhe çdo shqiptar dhe kjo tregon një mentalitet shumë të prapambetur në drejtim të kulturës politike institucionale. Nuk ka asnjë të re në këtë çështje, pritet cilat janë negociatat dhe opsionet që do të shtrohen nga të dërguarit europianë.

Duke pasur parasysh që kërkesa e Bashës është qeveria teknike, mendoni se ndërkombëtarët, në një nga opsionet, mund të kenë dhe këtë linjë, pra krijimin e qeverisë teknike?

Në Shqipëri gjithçka është futur në rrugën antiligjore, pra parimi i ligjshmërisë në Shqipëri ka rënë. Tërësisht, të gjitha veprimet e fundit që po kryhen në politikën shqiptare, janë në kundërshtim me normat ligjore. Madje ka dhe veprime të çuditshme, kur dy kryetarët e grupeve parlamentare të partive që qeverisin vendin, i bëjnë kërkesë KQZ, jashtë çdo mandati, jashtë çdo tagri, për të shtyrë regjistrimin e partive politike në zgjedhje. Pra antiligjshmëria tani është bërë një normalitet demokratik në Shqipëri. Antiligjshmëria ka zëvendësuar konstitucionalizmin dhe politikën institucionale në Shqipëri. Unë mendoj që sot institucionet politike në Shqipëri janë në një krizë të vërtetë të funksionimit, ndaj kërkohet një zgjidhje e cila nuk ka munguar dhe në vendet tona fqinje. Edhe në Maqedoni BE imponoi një zgjidhje e cila ishte jashtë normave juridike kushtetuese. Kjo ka të bëjë me atë që artikulova më parë, se në Shqipëri, Maqedoni dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor, ende, nuk kanë një ndërgjegje politike institucionale që bazohet në kushtetutshmërinë dhe respektimin e normave kushtetuese. Janë elementë të politikës të cilët diktojnë mbi kushtetutshmërinë. Fatkeqësisht Shqipëria është një vend tipik, ku mendësia politike partiake, dominon mbi normat ligjore, kushtetuese dhe ato që bazohen në Kodin Zgjedhor, për të cilin po flasim.

Ju mendoni se palët do të bien në ujdi për të shkuar në zgjedhjet e 18 qershorit?

Unë mendoj se negociatat do të jenë shumë të vështira, sepse, kur ka negociata, duhet të ketë luajalitet mes palëve që janë në konflikt. Unë kam konstatuar se, edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i opozitës, kanë kapur gurin kilometrik dhe deklarojnë se ne nuk lëvizim nga ky pozicion. Nga ky këndvështrim, unë e shoh të vështirë zgjidhjen e krizës sot. Do të uroja të ndodhte ndryshe, por unë nuk e besoj.

Nëse nuk besoni në zgjidhjen e krizës me këtë ndërmjetësim, cila mund të jetë rruga që duhet të ndiqet?

Ideja ime buron nga koncepti që kam për shtetin e së drejtës. Në Shqipëri, me sa konstatohet, jo vetëm që jemi larg këtyre koncepteve, për arsye të interesave politike, por mendoj se janë arsye më të thella. Klasa politike nuk i njeh parimet e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe prandaj Shqipëria ka kaluar në 100 e ca vjet nga ekuilibri në disekulibër, nga normaliteti në një anormalitet. Tipike janë sjelljet politike në periudhën që ne e cilësojmë demokraci parlamentare të këtyre 26 vjetëve, ku nuk janë respektuar normat juridike kushtetuese dhe ndërhyrja mbi institucionet politike-juridike të shtetit ka qenë e dhunshme. Këtu janë rrënjët e të gjithë pasojave që vuajmë tani. Zgjedhje mund të ketë, siç ka deklaruar dhe Kryeministri, por zgjidhje të krizës politike nuk do të ketë. Unë mendoj se, nëse do të ndodhë kështu, kriza politike do të bëhet edhe më e thellë në Shqipëri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: