EKRANET SHQIPTARE TË DEBATIT SI LAVATRIÇET E DIKURSHME ALBALUX! - Nga ROVENA DILO

EKRANET SHQIPTARE TË DEBATIT SI LAVATRIÇET E DIKURSHME ALBALUX! - Nga ROVENA DILO
Nga ROVENA DILO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Dikur, në fëmijërinë tonë, lavatriçet që mund të bliheshin dhe përdoreshin në familjet tona, quheshin Albalux. Këto lavatriçe, sa e lehtësonin gruan e shtëpisë, po aq edhe e lodhnin të gjorën.

Sistemi i tyre larje-shtrydhje, ishte i ndarë, kështu që procesi duke mos përfunduar brenda lavatriçes, bënte rrëmujë gjithë shtëpinë dhe, besomëni, kur nëna ime p.sh., kishte ditën e larjes - sepse s'mund ta vije sa herë të doje lavatriçen – ne, të gjithë, ishim kaq të bezdisur sa do të donim më mirë të ishim rrugëve, sesa në shtëpi. Zhurma, ecejaket, legenët, me një fjalë rrëmuja e përgjithshme, na e prishte terezinë dhe ne kalamajtë (unë me vëllanë) qeshnim ndonjëherë, dhe thoshim: “Ama, kjo lavatriçe më shumë bën rrëmujë!

E pra, jo më kot, ua përshkrova një ditë të "proletares Albalux", sepse një ditë e punës së saj më ngjan me, "një ditë pune" i një debati parazgjedhor.

Zakonisht, puna e debatit është të sqarojë apo bindë shqiptarët për këtë apo atë çështje, që kanë në interesin e tyre të ngushtë një grusht njerëzish të cilët mëtojnë, gjoja, të jenë sa më luajalë dhe të sinqertë, me ata që i ndjekin dhe me interesat e tyre, ndërkohë gjithçka është po në funksion të një kauze të vogël partiake (sepse shqiptarët nuk e kuptuan, ndonjëherë, që këta pak njerëz, partitë i kanë për vete, jo për popullin).

Por debatet funksionojnë në Shqipëri, si lavatriçja Albalux e kohës së Enverit. Në fakt, qëllimi nuk është shpjegimi, sepse kujt do t’i interesonte të qartësonte shqiptarët.

Të krijohet përshtypja se një pjesë e mirë e njerëzve që dalin ekraneve (se, larg qoftë, të quhen të gjithë analistë) s'janë as vetë të bindur a të kthjellët për ato që flasin.

Ndihet të ketë kaq shumë mllefe, fanatizma partiakë, inate personale.

Sigurisht, nuk mungojnë edhe profetët, parashikuesit e mëdhenj, ata që shohin ardhjen e ditëve të errëta.

O bo bo! Çfarë rrëmuje po bën Albaluxi!

Sa më çorap t'jua bësh mendjen, aq më lehtë i tërheq për hunde (moto tashmë e njohur), dhe populli ynë i ngratë, ngatërrohet keq i varfëri, nuk gjen rehat e prapë dëgjon e dëgjon, e veç ai humb e vuan. Këtë bën shqiptari. Mallkon varfërinë, shan e ulëret kundër "burrave të mençur" që gjoja vrasin mendjen për të zgjidhur "nyjën"e ngërçit politik, konfliktohet nga divani ku është ulur me drejtuesin që i jep fjalën këtij apo atij, përsëri shan këtë mut, katrahure dhe, në fund, ka një lëmsh të madh në kokë. I duket sikur diçka bën, por ekrani është një kuti edhe më mashtruese sesa kutia e votimit. Kur do gjendet ndonjë "burrë i rëndë" të mendojë për ta. Të gjithë janë pjesë e mekanizmit të lavatriçes Albalux.

Mirë që duan të lajnë e shpëlajnë trutë e shqiptarëve, por këta të bëjnë rrëmujë e çorap gjithë shtëpinë, Shqipërinë deja të thosha, sepse të dashur bashkatdhetarë, ju që nuk u ngopkeni kurrë me debate, për ç'arsye gozhdoheni vazhdimisht përpara ekraneve sa herë ka përplasje fjalësh, analizë aktualiteti, sondazhe të ndryshme?

A ju ka vajtur mendja se, nëse keni dëgjuar një debat te Blendi, Sokoli, Ilva, Eni, Albani etj., etj., zëreni se keni dëgjuar edhe njëqind debate të tjera që do të vijnë në ditët në vazhdim... Sikur t’i llogarisnit kështu, orët përpara ekranit, do të ishte më mirë t’i kursenit, sa jeni në kohë.

Apo nuk bëni dot pa pallavra politike apo u janë kthyer në ves? Por bëni kujdes, se vesi është i keq e të lë pa punë, d.m.th. pa bukë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: