Basketbolli shqiptar, 70- vjeç! Migena Plasa: Mbështes reformat e presidentit Ponari

Basketbolli shqiptar, 70- vjeç! Migena Plasa: Mbështes reformat e presidentit Ponari
Presidentin i Federatës Europiane të Basketbollit, Turgaj Demirel, i pranishëm në Tiranë vlerësoi përpjekjet që po bëhen në Shqipëri  për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti 

Nga Aranit Muraçi

Një nga sportet më të dashura në botë, edhe për shqiptarët, basketbolli, festoi dje 70-vjetorin e krijimit të tij në Shqipëri. Federata Shqiptare e Basketbollit është themeluar në vitin 1947, në Shqipëri.

Presidentin i FIBA Evropë, Turgaj Demirel erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në këto festime, ky përvjetor është një gur kilometrik për koshin shqiptar. “Jam i lumtur që gjendem sot këtu në një përvjetor të rëndësishëm siç është ai i 70-vjetorit të Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe më gëzon fakti që ky përvjetor ka marrë rëndësinë dhe peshën e duhur” tha ai. Më tej Demirel shtoi se: “Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta çojmë edhe më përpara këtë sport në vendin tuaj, që duhet theksuar se ka bërë mjaft hapa pozitiv në drejtim të rritjes dhe zhvillimit.

Vetë pjesëmarrja juaj e gjerë me një numër ekipesh përfaqësuese në fazën eliminatore është domethënëse dhe unë besoj se Federata po bën maksimumin për ta çuar më përpara këtë sport, për ta shndërruar atë në një faktor të rëndësishëm në jetën sportive në Shqipëri dhe për të konkurruar me sukses edhe në rajon dhe në kontinent.” 70 vjetori i basketbollit shqiptar për presidentin e federatës, Avni Ponari, vjen në një nga periudhat më të mira të këtij sporti.”

Do të them më mirë se asnjë herë se është viti i tretë së paku marrim pjesë me shtatë ekipe kombëtare në kompeticione europiane dhe ndoshta do të jetë viti i parë që do të marrim pjesë në ligat e Europës me një ekip shqiptar” thotë Ponari, i cili nënvizoi se ky është një ndryshim i madh. Ponari shtoi gjithashtu se, basketbolli shqiptar ka nevojë për mbështetje. “Ka nevojë për mbështetje financiare, terrene sportive” thotë ai. Sipas kreut të FSHB, talente ka dhe mundësitë e zhvillimit të këtij sporti janë të mëdha. ” Ne sot kemi një kontigjent mjaft të madh lojtarësh të talentuar që janë të nivelit europian”. Në këtë 70-vjetor, basketbolli shqiptar e ka hedhur vështrimin drejt eliminatoreve të verës, ku shpresat për të pasur sukses, sidomos tek meshkujt, janë të mëdha.

 

Mbrëmja gala

Federata Shqiptare e Basketbollit në festën e 70-vjetorit të themelimit, organizoi një mbrëmje gala ku ishin të ftuar sportistë që kanë shkruar historinë  basketbollit tonë ndër vite, sportistë aktualë, drejtues të këtij sporti, si dhe miq e dashamirës të shumtë të basketbollit. Ky përvjetor për presidentin e FSHB, Avni Ponari, vjen në një nga periudhat më të mira të këtij sporti. Ndërkohë edhe Presidenti i FIBA Evropë, Turgaj Demirel, vlerësoi ecurinë e basketbollit shqiptar ndër vite.

Kapitenia e Flamurtarit

Migena Plasa: Mbështes reformat e presidentit Ponari për zhvillimin e basketbollit 

Migena Plasa, kapitenia e ekipit të basketbollit të femrave të Flamurtarit, u shpreh për “Albanian Free Press”, lidhur me festën e 70-vjetorit të Federatës Shqiptare të Basketbollit. - “Vlerësoj maksimalisht përkushtimin e presidentin e FSHB për organizimin e kësaj feste të familjes sonë të madhe të basketbollit” .

Ajo shtoi se presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka ndërmarrë reforma premtuese për të ardhmen e këtij sporti në Shqipëri. - “Mbështes të gjitha reformat e ndërmarra nga presidenti Ponari për zhvillimin e këtij sporti.” Të dielën në mbrëmje basketbolli i femrave luajti aktin e parë të finales së këtij sezoni. Flamurtari triumfoi ndonëse me vështirësi,  me një pikë të vetme, 62-61, ndaj Tiranës. Ekipi vlonjat i basketbollit të femrave edhe këtë vit mbetet ekipi më i mirë në vendi, duke dominuar kampionatin tonë prej disa vitesh.

 

 

Legjendat ndër vite

Vlerësimi i merituar i Gazmend Çaçit, ikonës së harruar të koshit

Basketbolli shqiptar identifikohet, më mirë, me ata që kanë shkruar historinë e këtij sporti ndër vite. Edhe pse, vitet e fundit, ky sport e ka humbur disi shkëlqimin e dikurshëm, po bëhen përpjekje që ai të ringrihet sërish. Pa një vlerësim për legjendat e basketbollit shqiptar, ndër vite, vështirë të besosh se ky sport do të ketë të ardhme. Prandaj, ndoshta, për këtë arsye, ish-lojtari i Ekipit Kombëtar të Basketbollit, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Gazmend Çaçi, mori titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit, vetëm dy ditë para se të festohej 70- vjetori i themelimit të këtij sporti në Shqipëri.

Titulli iu dorëzua mjeshtrit të këtij sporti në një ceremoni mjaft të veçantë, zhvilluar në Pallatin e Sportit të qytetit ku lindi ikona e basketbollit shqiptar, në prani edhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Kryeministri i vendit, Rama, gjithashtu një ish-basketbollist ndër vite i Dinamos dhe i kombëtares, e quajti një nder shumë të madh, jo vetëm për qytetin e Përmetit, por për mbarë kombin kontributin e Gazmend Çaçit në basketbollin shqiptar.

Kryeministri vlerësoi edhe figurat e tjera shquara të basketbollit shqiptar ndër vite. Ish- basketbollistët të shquar të Shqipërisë, si Vaso Shaka, Bashkim Milo, Qemal Shalsi, Besnik Çela, Edgar Prifti, Artan Huqo e të tjerë emra të mëdhenj të basketbollit shqiptar, zbritën në parket për një ndeshje nostalgjie mes tyre. Nuk kishte se të mos ndihej i vlerësuar ish-rekordmeni Gazmend Çaçi, i cili ka fituar plot 20 kampionate, duke shënuar rreth 20 pikë në çdo ndeshje,  me titullin që mori. “Dua të falënderoj të gjithë këto figura të mëdha të basketbollit shqiptar, të Ekipit Kombëtar dhe të gjithë Shqipërisë,” – u shpreh Gaz Çaçi.

 

Basketboll meshkuj, Vllaznia “prek” titullin kampion

Vllaznia ka fituar 3-1 ndaj Studentit, duke çuar në 2-0 duelet finale të “play off”-it mes këtyre dy skuadrave. Vllaznia fitoi ndeshjen e dytë që u zhvillua në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Me kwtw fitore, shkodranëve, nga 3 sfidat e mbetura finale, u mjafton vetëm një fitore për të arritur titullin e parë kampion në historinë e këtij ekipi.

Ndeshja e dytë që u luajt në Shkodër, ka pasur rivalitet. Studenti në disa momente vuri në vështirësi Vllazninë, ndërsa nga ana tjetër kuqeblutë dominuan si në lojën sulmuese, por duke qenë më të saktë edhe në lojën e bllokut.

Vendësit gjejnë fitoren në setin e parë në shifrat 25-22 duke marrë epërsinë e lojës 1-0.

Në setin e dytë, Studenti arrin shifrat, 8-1. Vllaznia tenton të afrohet, por e ka të pamundur që ta përmbysë rezultatin duke bërë që Studenti të fitojë 25-14 setin e dytë. Baraspeshë, 1-1.

Kuqeblutë vazhdojnë dominimin dhe fitojnë 25-19 setin e tretë duke u rikthyer në avantazh, 2-1. Miqtë luajnë shansin e fundit në këtë përballje në setin e katërt, por Vllaznia shkon e qetë drejt fitores. Skuadra mike vuan edhe momente tensioni nw fund dhe nuk arrin që t’ia dalë ndaj një Vllaznie që tregohet e fortë në fushën e saj.

Kuqeblutë fitojnë 25-13 setin e katërt dhe e mbyllin ndeshjen, 3-1. Me këtë fitore, shkodranët arrijnë dy fitore në dy takimet finale të deritanishme. Atyre u mjafton edhe një fitore tjetër për të sjellë në Shkodër titullin e parë kampion në histori.

Akti i tretë final, që pritet të vendosë fatet e sezonit, do të luhet më 28 prill në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Mark Kroqi, trajneri i Vllaznisë: Fitorja shkon për mbesën time të vogël

“Një pjesë të madhe të kësaj fitoreje ia dedikoj mbesës sime të vogël, e cila, sa herë që vjen në Shkodër, më sjell fat. Natyrisht që kjo fitore shkon edhe për të gjithë tifozët që na mbështetën dhe lojtarët që treguan vlera. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu dhe të sigurojmë titullin kampion sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet të bëjmë kujdes në ndeshjen e radhës në Tiranë, sepse Studenti tregoi se është një ekip shumë i mirë.”

Arben Sako, trajner i Studentit: Me këtë publik është mision i pamundur

“Ne u munduam që të ndalim Vllazninë, por përballë publikut të mrekullueshëm shkodran ishte e pamundur. Vllaznia luajti mirë, ndërsa skuadra ime nuk u ngrit në lartësinë që kërkoja. Jemi në finale dhe ende asgjë s’ka mbaruar. Shpresojmë që me përgatitje të këtyre ditëve të arrijmë që të fitojmë ndeshjen e tretë sepse nuk i kemi humbur shpresat për titullin, edhe pse ndaj Vllaznisë nuk do jetë e lehtë”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: