Basha thirrje Ramës të tërhiqet, ndryshe: “Më 19 qershor, Kushtetuta do të jetë e pavlefshme”

Basha thirrje Ramës të tërhiqet, ndryshe: “Më 19 qershor, Kushtetuta do të jetë e pavlefshme”
Kreu i opozitës Lulzim Basha, u shpreh sot nga çadra e ngritur para kryeministrisë, se mbrëmë 500 mijë euro iu ofrua kreut të një partie opozitare nga “pazari i peshkut të qelbur”, siç e cilëson ai aleancën e qeverisjes së majtë mes PS-së dhe LSI-së, si dhe të PDIU-së.

Basha kishte mbledhur qytetarët e Kavajës sot në çadrën e protestës. “Kavaja është shembulli ku krimi sundon një qytet e ku fasada mbulon varfërinë e thellë,” theksoi  Basha në nisje të bashkëbisedimit.

“Kjo është republika e vjetër. Ky është mjeti i vetëm i republikës së vjetër ndaj kanë ekzekutuar çdo mjet tjetër të të bërit politikë.”

“Data 7 maj do të jetë e atakut total kardiak të Republikës së vjetër.”

“Më 7 maj në Kavajën e fisnikërisë dhe të burrave dhe grave trima,  që u ngritën të parët kundër diktaturës më mizore, regjimi i republikës së vjetër do të festojë asgjësimin e pluralizmit.”

“Kavaja është e vendosur por ndryshe nga 11 korriku i 1990 që është shkruar me germa të arta, Kavaja nuk do të jetë vetëm por e gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën.”

“E gjithë Shqipëria do të jetë bashkë me Kavajën dhe së bashku do t’i japim grushtin vdekjeprurës, republikës së vjetër!”

Basha foli edhe për zgjedhjet e 7 majit në Kavajë si dhe rolin e opozitës në këto zgjedhje.

“Së bashku me rininë e Kavajës do të pamundësojnë votimin falso, kthimin de fakto të pushtetit në duart e Elvis Roshit dhe më 7 maj ne do t’i japim republikës së vjetër, goditjen finale!,” – nënvizoi Basha.”

“Të vendosur në paqe totale. Asnjë lule dhe asnjë fije bari nuk do të preket në Kavajë por asnjë qytetar i Kavajës nuk do të detyrohet nga krimi dhe droga në një proces fasadë sepse një proces të tillë nuk do të ketë në Kavajë dhe as më 18 qershor në Shqipëri.”

“Nëse republika e vjetër nuk do të tërhiqet nga zgjedhjet fasadë, nëse kjo nuk ndodh, atëherë me 18 qershor në mesnatë, Kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër do të jenë të pavlefshme. Më 19 qershor, asnjë qytetar i lirë shqiptar, nuk duhet t’i paguajë asnjë taksë republikës së vjetër dhe nuk do t’i bindet asnjë ligji."

Sakaq, ai ngriti edhe një akuzë tjetër të rëndë ndaj maxhorancës para zgjedhjeve.

“Mbrëmë u  luajt pazari i fundit i “Republikës së Vjetër”, që tregon sesa poshtë ka rënë demokracia shqiptare. Dje një grusht partish të pushtetit të anëtarëve të pazarit të peshkut që është qelbur nga koka, dhe një grup parazitësh që është paguar me lekët e drogës, nxituan në shkelje totale të paraqisnin listat e turpit pranë KQZ-së.”

“KQZ, kjo vegël e pavlerë e “Republikës së Vjetër” i pranoi me 24 orë vonesë, listat e turpit të pazarit të peshkut, të Edi Ramës, Ilir Metës dhe Shpëtim Idrizit. Republika e Vjetër, kupola kriminale dje deri në orët e vona u ofroi shuma të majme me qëllimin regjistrimin e tyre partive të vogla, në thyerje të vendit të ligjit. 500 mijë euro iu afrua një partie opozitare për të qenë me ta.”, u shpreh sot ndër të tjera kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Propozimet e bazës për kandidatët e PD-së

Sakaq, demokratët prej gati dy muajsh kërkojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve si dhe qeveri teknike. Paralel me këtë kërkesë ata nuk e ndërprenë procesin e propozimeve dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Nga propozimet që ka bërë baza e çdo dege të PD-së, mësohet se vetëm në Fier janë propozuar më shumë se 100 kandidatë për deputetë, ndërkohë që dega e Shkodrës ka sjellë në qendër 66 kandidatë.

Po kështu, në qytetet e tjera ka pasur propozime të shumta, të cilat u janë deleguar kryesive të degëve dhe më pas kanë mbërritur në qendër. Mes të propozuarve janë ish-drejtori i Policisë së Shtetit Ahmet Premçi, cili është propozuar nga demokratët e Dibrës, dhe deputetja aktuale Dhurata Çupi.

Në Tiranë në zonën e ish-Bllokut është propozuar Neritan Sejamini, aktualisht këshilltar politik i kreut të opozitës, Basha. Po në Tiranë mësohet se janë propozuar deputetja aktuale Jorida Tabaku e Grida Duma, apo në Durrës juristi i njohur i PD-së Oerd Bylykbashi. Në Sarandë Venedik Mollanji, Sytki Haxhi, Ilir Kondi, Kreshnik, Jolio Dine, Hariz Hema dhe Matilda Qurku. Në Shkodër janë propozuar Jozefina Topalli, Bardh Spahia, Ramiz Çobaj, Qamil Gjyrezi dhe Adela Kryeziu. Në Gjirokastër Altin Çomo, Esheref Shehu, Theodhoraq Vangjeli etj.

Por, pavarësisht propozimeve të ardhura nga baza, qendra e ka ndërprerë këtë proces.

PD-ja ka ngritur edhe një komision për verifikimin e figurës, i drejtuar nga Halim Kosova. Komisioni do të verifikojë të gjithë emrat e propozuar për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë, për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit si dhe për të kaluarën në raport me ligjin.

Afati zyrtar për propozimet nisi në janar dhe u mbyll më 20 shkurt.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: