Udhët e pashkelura të të paudhëve

Udhët e pashkelura të të paudhëve
Nga Sonila Meço

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press dhe www.afp.al

“Udhëtar, rrugë nuk ka, udhët janë bërë duke ecur!” - thotë një proverb spanjoll. Zgjidhja e situatës në të cilën ndodhet Shqipëria sot, Shqipëria e Ballkanit, Ballkanit periferisë së Europës, Europës së pasigurisë së madhe, do të jetë një udhëtim që nuk ka fund.

Nga zhurmnaja e korridoreve të pushtetit dhe korenteve të çadrës opozitare, është e vështirë të deduktosh një zgjidhje. Aq më tepër, kur luftohet si për jetë a vdekje politike. E gjithnjë e më shumë, kur trazira jonë përftohet si fragment i një panorame më të madhe të një Ballkani të turbulluar. E, pothuajse e pamundur, kur konspiracioni është ushqimi më i mirë për peshqit e mëdhenj e të vegjël, por gjithnjë të uritur të gjirizit tonë politik. E vërteta mund të jetë e mesme, që vullnete perëndimore kanë ndryshuar qasje ndaj Shqipërisë e Ballkanit për shkak të “metabolizmit” të tyre elektoral, por edhe dështimi i reformave të gjeneratës tjetër, ka rivendosur aktorët politikë nën tjetër dritë a hije zhvillimesh, duke i bërë disa më guximtarë e të tjerë të trembur.

Morsa në të cilën është mbërthyer sot Shqipëria, kërkon një darë edhe më të fortë për të çliruar vendin nga kriza, krizë që kësaj here, kërcënon jo vetëm kufijtë tanë, jo vetëm të vendeve kufitarë ku jetojnë shqiptarë, por edhe të atyre që Shqipërisë as nuk ia dinë emrin, sepse kjo Shqipëri e këtij Ballkani të çartur, mund të jetë argumenti i partive ekstremiste që përgatiten të hyjnë në zgjedhje në kohën e pasigurive të mëdha në lindje dhe perëndim, në kërthizën e terrorizmit dhe atë të demokracisë.

Sot Shqipëria dhe vendet Ballkanike, në paqe numërojnë vite përpjekjesh drejt anëtarësimit në familjen e përbashkët europiane. Nuk gjen dot bazë krahasimore me vende në luftë, si Siria, Iraku e Afganistani dhe sërish njerëzit emigrojnë prej këtij rajoni, duke iu larguar varfërisë, mungesës së mundësive, krizave të vijueshme politike dhe një ekonomie të lodhur.

Ndihmat ekonomike nga Europa, nuk kanë sjellë as zhvillim ekonomik e as më shumë demokraci. Dhe as synimi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, nuk i bëri dot të frytshme reformat. Dhe panorama është e njëjtë për vendet e Ballkanit:

Papunësia vijon të mbetet e lartë, korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi e frustrojnë tregun e punës që nuk i gjegjet dot meritës, partitë politike e kanë shtrirë ndikimin kudo në shoqëri, duke u shndërruar në punëdhënësit më të mëdhenj, duke vendosur kush meriton çfarë. Për këtë përfshirja në politikë bëhet për të siguruar mundësi më të mira jete. Infrastruktura sociale mbetet e dobët, me një sistem shëndetësor nga i cili ikin çdo vit me qindra mjekë, nga më të aftët. Shteti është kapur nga oligarki të fortifikuara rreth udhëheqësve. Media sforcohet çdo ditë mes censurës e vetëcensurës për shkak të lidhjeve okulte mes pronarëve dhe pushtetit. Lidhjet me krimin e organizuar ndotin arteriet e pushtetit dhe shtetit. Shqipëria ka edhe dy rekorde tipike të sajat, prodhimin dhe kultivimin e kanabisit si edhe disa ulëse në kuvend rezervuar për deputetët me të shkuar kriminale.

Nëse ka një sinjal që zgjoi receptorët e Europës mbi atë që po ndodh në Ballkan, është numri i madh i atyre që kërkojnë të largohen nga vendet e Ballkanit. Shqipëria do të niste rekordet e veta alarmuese në vitin 2015, ndërsa rajoni vijon të furnizojë me emigrantë, krim e trafiqe, vendet europiane. Radarët e Bashkimit Europian nuk mund të mos tronditeshin nga fakti se mes atyre që i largohen luftës, terrorizmit janë edhe ata që largohen nga rajoni i paqes. Se reformat që mbështeten me miliona euro, nuk e ndalin dot fluksin e atyre që duan të largohen, thjesht, sepse nuk zbatohen, mbeten retorikë dhe mjet shantazhesh politike.

Një shpërdorim i egër i kapitalit social, që favorizon elitat politike, shkatërron njerëzit, jetën, pritshmërinë e tyre. Nxënë disa mësime nga pranvera arabe, europianët po kuptojnë se diktaturën nuk e mbajnë vetëm lufta, uria, tortura e terrorizmi, porse mungesa e shpresës mund të krijojë të tjera diktatura. Dhe liderët e Ballkanit, tashmë, po etiketohen si autokratë. Kur Victoria Nuland, Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit deklaronte se liderët rajonalë duhet të kenë kujdes kërcënimet e terrorizmit, korrupsionit dhe kriminalitetit, u kujtoi edhe autokratët e oligarkët që rrezikojnë shtetet me mbrojtjen e interesave të tyre. Shumë e analizuan si një shembull që targetonte Rusinë, por në fakt autokratët i kish përballë, në rajonin që në letër ngjan si një perspektivë e sigurt perëndimore me statusin e kandidatit në EU, apo anëtarësimin në NATO. Por në praktikë, sot është një vatër kaosi e kërcënimi real:

Bosnjë-Hercegovina, me një marrëveshje Dayton-I ende në fuqi, në një shtet thuajse të dështuar, me Republika Srpska që kërkon daljen nga marrëveshja, me Kosovën e frustruar ende nga mosnjohja, provokimet e forta të Beogradit që edhe trenin me të cilin kërkonte të ndizte një fitil e mori të prodhuar në Rusi, me bllokimin e liberalizimit të vizave nga një demarkacion që shënjon konflikte të ashpra të brendshme dhe të jashtme politike, me Serbinë që vetëm pak muaj më parë ushtronte ca muskuj ushtarakë në një stërvitje të përbashkët me forca ruse e bjelloruse pagëzuar “Vëllazëria Sllave”, një trazirë në Ballkan do të krijonte kaos mjaftueshëm për të hutuar perëndimin. Një perëndim të ndarë mes erës Trump dhe zgjedhjeve në tri qendra të rëndësishme vendimmarrjeje evropiane, - Hollandë, Francë e Gjermani.

Por kjo qasje e re europiane, e kushtëzuar kryesisht nga zhvillime të brendshme dhe fuqizimi i partive ekstremiste që buçasin fushatave për kaosin e krijuar nga emigracioni e krimi që vjen prej vendeve në luftë, por edhe atyre në paqe (si Ballkani), po ndërton edhe sfondin e çdo arsyetimi të mundshëm në analizat mbi lëvizjet e orëve të fundit politike në Shqipëri.

Që Ballkani i është nënshtruar një klase autokratike, që Rusia po ndërton prej kohësh strategjitë e saj duke shfrytëzuar konjukturat e rajonit dhe politikat e Europës, tashmë, edhe me erën e re të zhvillimeve të përtej Atlantikut, s’ka mbetur analizë ndërkombëtare pa e ezauruar. Por që duke lexuar hapësirën e gjeopolitikës së madhe të interpretosh zhvillimet e bulevardit tonë, është ushtrim shumë i sforcuar për muskujt e qafës sonë të lodhur, nga politika vendase e dështuar.

Nëse ka dështuar një reformë zgjedhore që sot ngujon në mungesë besimi palët, këtu nuk ndihmon as rusishtja dhe as gjermanishtja. Mundet që gjuhët europiane të kenë vënë bast të fortë tek reforma në drejtësi, duke toleruar fjalorin dhe sjelljen antidemokratike të elitave politike, por, mesa duket, kanë besuar shumë tek vetëm një lojtar, ai që zakonisht preferon të marrë çdo përgjegjësi mbi vete, të flasë në emër të kujtdo, të garantojë në emër të vet e t’i dalë për zot reformave të pesë a gjashtë gjeneratave. Mundet, por ja që sot ky njeri duhet t’i dalë për zot edhe atyre lëshimeve që Perëndimi me ambasadorët e vet këtu bëri në emër të reformave që nuk do të prodhonin sërish flukse emigratore, krim, drogë, trafiqe, apo edhe një përplasje të re në rajonin ku era e barutit është e freskët.

Këtu nis e përfundon konspiracioni i madh mbi “armikun e jashtëm” të cilin në fakt kryeministri e shndërroi vetë nga mikun e tolerantin e madh, të buzëqeshurin e batutave të tij hokatare, në “çekanin” që i prish rehatin, skemat, fitoren e sigurt zgjedhore. Fitore në rast se reformat do të kishin mundur të prodhonin ndëshkim të krimit, mirëqenie të shoqërisë e për këtë do të kishin shmangur tonelatat e drogës nëpër kufij, trafiqet, azilantët e dënuar në varfëri dhe emigrantët në mungesë shprese. Po do kishin lënë edhe bulevardin e lirë për protesta të shoqërisë civile mbi ndotjen, të drejtat e shtresave të margjinalizuara, sindikatave dhe jo opozitës që me çadrën e lirisë ka vendosur vijën nga ku rinis loja politike: zgjedhje të lira e të ndershme.

Me ekonominë e rrënuar, lënë peng skemave PPP në duar të disa oligarkëve, me krimin bërë faktor në pushtet, me prodhimin e drogës jashtë kontrolli, me frikën e ndëshkimit pa pushtet të gjesh edhe rrugën e daljes, do të thotë të vësh këmbën jo vetëm në udhë të pashkelura, por pa asnjë rreze drite andej nga perëndon dielli. Të mendosh se minat i ka shtruar më herët “armiku i jashtëm”, është një pranim pa kushte i faktit se ke ecur andej nga ka dashur ai. Ndaj konspiracionet e mëdha në gjetjen e shtegut të zgjidhjes, nuk ndihmojnë më së pari spin-ët e propagandës që është ndërtuar deri më sot nga pushteti. Do të qe më efikase të pranohet se në përpjekjen për të ecur vetëm, drejt një pushteti absolut, duke shkelur e shantazhuar, kërcënuar e përkëdhelur nga disa pritshmëri të faktorit ndërkombëtar, me pretekstin e reformave, të gjendesh në një shteg ku ajo që sheh përpara nuk të pëlqen, ama nëse kthen kokën e nuk të pëlqen edhe ç’ke lënë pas, është koha të dalësh fare nga kjo udhë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: