Në stadiumin e marrëzisë…

Në stadiumin e marrëzisë…
Nga Sonila Meço

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press dhe www.afp.al

Zeitnot-i troket edhe një herë përmidis nervave të tendosura të pritjes.

Kësaj here edhe më rëndë, të një pritjeje pa adresë, të një kuturisjeje kokëfortë të një qeverie që ka thyer çdo pasqyrë dhe një opozite që po kërkon të legjitimojë shqetësimet e saj si popullore.

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet të hënën në seancë të jashtëzakonshme për të votuar komisionet e Vetting-ut.

Opozita vijon në Çadrën e Lirisë protestën për garantimin e zgjedhjeve të lira nëpërmjet krijimit të një qeverie teknike.

Kryeministri i vendit hyn në Çadrën e Vettingut për të firmosur peticionin popullor proreformës në drejtësi.

Shefja për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, pavarësisht kërkesës së komunikuar nga Tirana për vijimin e dialogut në institucione, mori jo-në e opozitës për t’u rikthyer në kuvend deri në plotësimin e kërkesave të saj, duke shënuar një moment të ri për mitin e BE-së në Shqipëri (për të mos shtuar edhe dyshimet e mediave mbi përfaqësuesit e BE-së në Shqipëri, apo një çkompleksim ballkanik mbi një arbitër historik).

Media tradicionale çapitet mes censurës, vetëcensurës dhe përpjekjesh individuale për të dhënë ndonjë fakt mes rreshtash propagande.

Media e re, ajo sociale, kryesisht portalet jashtë frekuencës së “megafonit”, mbushen me informacione, të verifikuara, ose jo mbi nivelin e tejskajshëm të abuzimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Në këtë kaos ku humbet edhe dëshira për të kuptuar, jemi shndërruar në sehirxhinjtë e një stadiumi ku  fusha është ndarë në dy skuadra të vendosura për jetë a vdekje politike: Ekipi i Vettingut kundër Ekipit të Zgjedhjeve të Lira, me një arbitër ndërkombëtar të konsumuar në dilemat e veta, bilbilin e të cilit tashmë e sfidojnë fort edhe lojtarët në fushë.

Dhe kjo është ndarja më e padrejtë që një shtetar mund t’ia ofrojë një publiku të tërhequr zvarrë në përpjekjen e vet për t’u llogaritur. Në fakt, kjo ndeshje as nuk duhej të ekzistonte, sepse  demokracia i do të gjitha, zgjedhjet e lira e një drejtësi të pakorruptuar dhe asnjë gram prej saj nuk mund të justifikohet për një stabilitet të rremë që sot ka mbushur stadiumin e marrëzisë sonë.

Ndeshja, ndërtuar si e tillë pas kundër-reagimit të qeverisë ndaj Çadrës së Lirisë, me ngritjen e Çadrave të Vetting-ut është dëmi më i madh ndaj përpjekjes së qytetarit për të përftuar përmasën reale të situatës ku ndodhet.

Për këtë do të mjaftojë një vështrim i afërt, fare i afërt, i ditëve të fundit, për të kuptuar se në ç’përplasje qesharake militanteske i shtyn me zor qeveria dhe institucionet e kapura prej saj qytetarët, duke u rrjepur çdo aftësi gjykuese e reaguese për t’i lidhur verbërisht në shkallët e stadiumit të marrëzisë së vet, ku duhet të fitojë doemos Vetting-u mbi zgjedhjet e lira dhe jo të dyja njëkohësisht.

Në një kalim telegrafik:

Qytetarët duhet të ishin të pagjumë prej disa ditësh, qëkurse nga mediat e vendit fqinj, fillimisht portali pianetaitalianews.it e më pas e përditshmja Roma, u publikuan të dhëna mbi hetimet që po zhvillohen mbi trafikun ndërkufitar të mbetjeve nga Italia në Maqedoni. Në bazë të publikimeve, dyshohet se një numër i madh i kontenierëve me mbetje të rrezikshme, kanë humbur midis portit të Barit nga ku janë nisur dhe Maqedonisë ku nuk kanë mbërritur. Qeveria nxitoi ta komentojë mashtrim, mediat pranë saj cituan prokurorinë shqiptare se hetime të tilla nuk kanë nisur, ndërsa dihet se sa më të rënda të jenë akuzat e dyshimet aq më thelbësor bëhet roli i gazetarëve. Aq më tepër që qeveria u imponua fort pak kohë më parë, në kalimin e një ligji që do të lejonte importin e mbetjeve në Shqipëri, pa transparencë, në kundërshtim me premtimin e saj elektoral, nën hijet e dyshimit të shumë aferave që lidhen si me ekomafian, ashtu edhe me kontrollin në dogana, apo vënia në punë e landfilleve me procedura të dyshimta. Sot shqiptarët janë të paqetë, nuk dinë nëse jetojnë në një vend ku ka patur import ilegal e groposje mbetjesh urbane të rrezikshme, ose jo. Dhe po flasim për cilësinë e jetës që kërcënohet drejtpërdrejt nga një skandal i tillë, në rast se faktohet.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për vitin 2016, dëshmon korrupsionin dhe ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. Raporti thotë se  qeveria nuk e ka zbatuar në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarë publikë dhe kjo ka bërë që funksionarët publikë  të angazhuar në praktika korruptive, shpesh, të mbeten pa u ndëshkuar. Korrupsioni sipas raportit është i përhapur në të gjitha degët e qeverisë. Ndërsa prokurorët kanë bërë progres të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët, krimet e nivelit të lartë kanë mbetur të paprekshëm për shkak të frikës së hetuesve nga hakmarrja dhe korrupsioni brenda vetë gjyqësorit. Që nga shtatori, ILDKPKI ka gjobitur 253 persona, duke përfshirë ministra, zëvendësministra, deputetë të Kuvendit dhe drejtues të institucioneve për fshehje të pasurisë, apo konflikt interesi. Procesi i informimit publik shpesh nuk është i qartë dhe zyrtarët hezitojnë të japin informacion. Pra një retorikë për reformën në drejtësi nga qeveria që merr këtë vlerësim për raportin e saj me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Edhe më të paqetë duhet të ndihen shqiptarët kur hajdutët kruajnë fytin duke u çjerrë “kapeni hajdutin”.

Protesta e banorëve të Zharrëzës përfundoi me dëmshpërblimin monetar të tyre; pra, merren paratë e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, për të shlyer qytetarë të pafajshëm shqiptarë për dëme që shteti dhe një kompani private u kanë bërë me dashje e për të cilat, askush nuk ndëshkohet. Shteti dorëzohet me disa kontrata krejt të pafavorshme për shqiptarët përballë koncesionarësh që nuk denjojnë as t’i respektojnë, refuzon t’u njohë shqetësimin për një kohë të gjatë dhe kur e bën e ngarkon çdo faturë në dëm të qytetarëve. Edhe më të paqetë duhet të ndihen shqiptarët kur kjo është një nga shumë kontratat koncesionare që ata i trajton si qenie të dorës së dytë.

Ndërsa një vit më parë qeveria krekosej me suksesin e luftës kundër kultivimit të kanabisit, pak ditë më parë kumtoi nevojën e një Plani Kombëtar kundër tij. Qartazi është pranuar me një ironi therëse, dështimi. Kur lajmet e përditshme për tonelatat e drogës së sekuestruar me origjinë Shqipërinë nuk shqetësonin ndërgjegjen e zyrtarëve për një mobilizim të gjithanshëm, pas “suksesit” kërkohet plani strategjik. Dhe pasi shefi i Antimafias Italiane, Franco Roberti, shkeli Shqipërinë për të folur për problemin që qeveria shqiptare këmbëngulte mos e pranonte. A thua se një vizitë e këtij kalibri bëhet thjeshtë për turizëm. Shqiptarët duhet të jenë të paqetë se, tashmë, pranohet nga mohuesit patologjikë se përmasa është e frikshme. E sado të bukura strategjitë, rezultatet do dëshmojnë vullnetin e fuqinë për të ndalur dukurinë që kriminalizon çdo qelizë të jetës në këtë vend.

Për këto arsye të vetëm pak ditëve të fundit, është verbëri militante të mos kuptosh se në ç’situatë ndodhet sot Shqipëria. Do t’i shohim problemet në sy, apo do të kuturisemi në ndeshjen për jetë a vdekje politike, që po na serviret si beteja morale e shekullit: Vettingu vs Zgjedhjet e Lira? Nëse krimi, sipas të dhënave më lart, ka kapur fort shtetin e qeverinë, a mundet kjo e fundit të garantojë edhe vettingun edhe zgjedhjet e lira njëkohësisht? Nëse në kohën e lajmeve të rreme, me skepticizmin në alert, këto të dhëna nuk i konsiderojmë të vërteta, a mund t’i cilësojmë të paktën sinjale? A ka mundësi t’i bëjmë një pyetje të thjeshtë vetes: e meritojmë të jetojmë kështu? Sehirxhinj - të drobitur nga dyshimi, pa besim tek asnjë arbitër vendas a i huaj, duke pritur që këmbët e njërës palë të lodhen para tjetrës në një ndeshje që kurrë nuk duhej të ekzistonte?

Apo tek e fundit, ne nuk mund të qeverisemi më mirë se ç’e meritojmë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruara nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: