Miqësoret e fundit dhe merkato/Kukësi i tregon “muskujt” Partizanit, në Antalia

Miqësoret e fundit dhe merkato/Kukësi i tregon “muskujt” Partizanit, në Antalia
Ekipet pretendente për titull mbyllin përgatitoren në Antalia me miqësore. Përveç fitores Kukësi zyrtarizoi blerjen e Faton Xhemaili, i cili vjen nga kampionati serb, si dhe është pjesë e Kombëtares shqiptare të U-21, përforcim që në letër forcon pozitat e verilindorëve karshi rivalëve të Partizanit

Nga Aranit Muraçi 

Kukësi dhe Partizani janë drejt mbylljes së fazës përgatitore në Antalia të Turqisë, ku dje zhvilluan edhe secila miqësoret e fundit, si test prove para nisjes së fazës së dytë. Pjesën e parë të këtij sezoni Partizani e mbylli si kampion dimri, tre pikë para Kukësit, në vendin e dytë. Partizani, ende në pritje të një blerje të fundit dhe cilësore për sulmin, para se të mbyllet merkatoja e janarit, është sfiduar sërish nga Kukësi në Antalia, rivali kryesor për titullin kampion.

Prezantimi

Faton Xhemaili zyrtarizohet si përforcimi më i fundit i Kukësit, para pjesës së dytë të kampionatit. Lojtari pranoi ofertën e drejtuesve të Kukësit, duke nënshkruar një kontratë që e lidh me klubin verilindor deri në qershor të vitit 2021. - “Kjo është hera e parë që luaj në kampionatin shqiptar dhe personalisht ndihem shumë mirë që do të bëhem pjesë e Kukësit. Jam në një ekip që po lufton për titullin kampion dhe me Kukësin besoj se do të luajmë në Europë”. Mbrojtësi 20-vjeçar zbulon arsyet që e bindën të pranonte ofertën e skuadrës së drejtuar nga Armando Cungu dhe shpreson që kjo eksperiencë t’i shërbejë për një karrierë më të mirë jashtë vendit. Ai më parë duhet të fitojë një vend titullari, pasi konkurron me një futbollist cilësor si Rrumbullaku, në të njëjtin rol, por kjo nuk e tremb aspak. I lindur në Bujanoc, ai vjen me optimizëm te Kukësi. “Në fillim e di që do të jetë e vështirë, por me punë mund të fitoj vendin në formacion”. Xhemaili para prezantimit me Kukësit është aktivizuar në kampionatin serb me Radnik Surdulica, si dhe është pjesë e Kombëtares shqiptare të U-21.

Miqësoret

Kukësi para rikthimit nga Antalia fitoi miqësoren ndaj Shakter Karagandi me rezultatin 2-0, në një ndeshje ku debutoi me gol blerja e janarit, Vasil Shkurtaj. Ish-lojtari i Luftëtarit kaloi Kukësin në epërsi në 9′ kurse në fund të pjesës së parë dyfishoi shifrat Arbër Çyrbja. Trajneri Armando Cungu aktivizoi këta lojtarë: Frashëri, Maliqi, Shameti, Cuculi, Rrumbullaku, Krasniqi, Dzaria, Rroca, Kordeiro, Et’hemi, Shkurtaj.

Nga ana tjetër miqësorja e tretë e të kuqve, që më parë kanë barazuar 1-1 me Sivasporin dhe Antaliasporin, u mbyll me humbjen 2-1. Por nisur nga kundërshtari, një emër shumë i fortë, si Dinamo e Zagrebit, me shumë shqetësim për trajnerin Skënder Gega kanë qenë pas ndeshjes dëmtimet e dy lojtarëve: Dilaver Dukës, që debutoi në këtë takim dhe të Bruno Telushit. Bardhi kaloi me një 11 metërsh në ‘ 12 të kuqtë në epërsi të kuqtë, por kroatët përmbysën shifrat me anë të Moro në ’28 dhe Petkoviç në 52’. Trajneri Gega e nisi ndeshjen me këta lojtarë: Hoxha, Trashi, Atanda, Belica, Ibrahimi, Telushi (Çinari 20′), Hila (Rexhepi 46′), Duka (Kardozo 40′, Kalari 87′), Mala (Kote 62′), Asani (Mensah 70′), Bardhi (Hebaj 52′. Trajner: Skënder Gega