Migena Plasa: Titulli kampion, dedikim për tifozerinë vlonjate

Migena Plasa: Titulli kampion, dedikim për tifozerinë vlonjate
Intervista/ Një korçare kampione në Vlorë tregon sekretet e suksesit të fundit me Flamurtarin: Përpos Bashkisë Vlorë ekipi ynë ka pasur edhe mbështetjen e kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskaj,

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Aranit Muraçi

Karriera e saj ka nisur tek ekipi i Skënderbeut të Korçës në sezonin 1992-1993. Pikërisht në fund të atij sezoni u rëndit mes 5 lojtareve më të mira të Shqipërisë. Basketbollistja e sapo shpallur kampion në Shqipëri Migena Plasa vazhdoi më tej karrierën me ekipin e Skënderbeut, deri në vitin 2003. Gjatë kësaj periudhe fitoi 5 trofe: 2 Kupa Republike, 2 Super-kupa dhe një titull kampion. Në sezonin 2004-2005 ajo kaloi tek ekipi i Studentit. Në sezonin 2005-2006 u bashkua me ekipin e Tiranës, ku edhe mori Kupën e Republikës së atij sezoni. “Nga 2006 e në vazhdim karriera ime vazhdon tek Flamurtari ku kam marre gjithsej 34 trofe, Kupa Republike, Superkupa dhe tituj kampion,” – thotë Migena Plasa, një ndër pikat më të forta të ekipit vlonjat, që sapo fitoi titullin e radhës kampion. Ish-basketbollistja e Kombëtares udhëhoqi me eksperiencën e saj ekipin vlonjat drejt një suksesi tjetër, duke festuar këtë fundjavë titullin e radhës kampion me Flamurtarin në Vlorë. Ajo flet në një intervistë për “Albanian Free Press”, mbi emocionet pas këtij suksesi, karrierën dhe të ardhmen:

Migena, një tjetër trofe për Flamurtarin në basketbollin e femrave. Ku besoni se qëndron forca e ekipit tuaj që dominon prej vitesh në Shqipëri? 

Jam e lumtur që Flamurtari u kurorëzua sërish me kurorën e kampionit. Mund të them me bindje që forca e kësaj skuadre është kolektiviteti dhe mbështetja që trajneri dhe lojtaret i japin njëri- tjetrit. Përpos kësaj ka dhe faktorë të tjerë dhe më i rëndësishmi është një person shumë i veçantë, i cili ndodhet gjithmonë pranë nesh. Ai është kryetari i KLSH-së, zoti Bujar Leskaj. Mbështetja e tij ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë këtij sezoni. Sigurisht pa harruar lojtarin e gjashtë, që është sportdashësi vlonjate, i cili ndodhet gjithmonë aty, në përkrahje të ekipit.

Sa i vështirë ishte titulli i fundit kampion, nisur nga rivalët me të cilët keni garuar?

Titulli i këtij sezoni ka qenë shumë i vështirë duke pasur parasysh se ishin dhe dy ekipe të tjera shumë të forta në garë, si Tirana dhe Goga Basket.

Në një ndeshje para se të shpalleshit kampionë pati disa incidente me ekipin e Tiranës dhe u spekulua disi në media. Si ishte e vërteta?

Ka pas shumë spekulime për atë që ndodhi pas takimit të dytë në Tiranë. Nuk ka pasur asnjë përplasje fizike midis lojtareve, përveç një përplasjeje të vogël verbale që u shua shpejt. Më vjen keq që disa gazetarë dizinformojnë sportdashësit.

Personalisht kujt ia dedikoni këtë sukses?

Titujt gjithmonë janë specialë. Por dedikimi mbetet i njëjtë: për tifozerinë vlonjate.

Ekipet Kombëtare shqiptare kanë pasur një përmirësim vitet e fundit, por sërish nuk konkurrojnë si duhet apo jo... 

Ekipet kombëtare vërtet kanë pasur një rritje të lehtë të lojës, por jemi akoma shumë larg të qenit konkurrues me të tjerët. Dhe për të shpjeguar këtë situatë besoj se duhen analizuar shumë faktorë, duke filluar nga infrastruktura e shumë hallka të tjera ë nuk funksionojnë si duhet.

Pasi mbyllët një tjetër pozitiv, basketbolli i femrave dhe basketbolli në përgjithësi në Shqipëri, për çfarë mendoni se ka nevojë më shumë në këto momente?

Për planet e së ardhmes nuk dua të flas tani. Aktualisht dua të shijoj titullin kampion. Vendimet e së ardhmes le t’ia lëmë së ardhmes.

Së fundmi, cilët janë njerëzit që ju mbështesin më tepër në karrierën tuaj...pasi përgjithësisht nuk është e lehtë për sportistet femra në Shqipëri që të ndjekin ëndrrën dhe pasionin e tyre?

Mbështetja kryesore në një karrierë kaq të gjatë si e imja është familja. Pa ndihmën e saj nuk do të mundja. Më pas do të përmend shoqet e skuadrës, trajnerin, gjithë komunitetin e basketbollit dhe bashkinë e qytetit të Vlorës që ka mbështetur financiarisht ekipin në vazhdimësi.

Migena Plasa

Pjesë e ekipit Kombëtar, nga 1995 deri më 2010

Medalje ari në “Andorra 2002” dhe medalje argjendi në  2008 në Luxemburg

Shpallet dy herë Sportistja e vitit në basketbollin e femrave, 2009 dhe 2014

Shpërndajeni me miqtë tuaj: