
Ronaldo, aktualisht lojtari i vitit, e ka rigjetur veten pas një pauze, në kohën e duhur. PSG, ndërkaq, shpreson te Neymar, futbollisti më i kushtueshëm i planetit dhe një fitues i mundshëm i Topit të Artë në të ardhmen. Për t’i dhënë fund epokës Messi-Ronaldo, Neymar do të mjaftohet këtë sezon me fitimin e Champions League, ose të Kupës së Botës me Brazilin në verë. Braziliani u largua nga Barcelona për te Parisi me qëllim që t’i largohej edhe hijes së Lionel Messi, që e ndiqte nga pas. Ronaldo u kthye gjatë fundjavës me një tripletë në fitoren 5-2 ndaj Sociedad. Me 7 gola të shënuar në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, ai me Bale e Benzema, është gati për të dhuruar të tjera emocione sot në mbrëmje në përballje direkte me rivalët e tij të PSG. Neymar, në gjashtë muaj te PSG, u përfol për një krisje me sulmuesin tjetër Edinson Cavani. Megjithatë, edhe me Mbappe, lojtari tjetër i sulmit francez, Neymar kërkon të tregojë sot rëndësinë e një lojtari me ambicie të mëdha. “Ne kemi lojtarë shumë të mëdhenj, por lideri ynë në fushë është Neymar”, theksoi trajneri i PSG, Unai Emery. Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo mes Port e Liverpool.
Ndalet Juve, kthesë heroike e Totenhem
Finalistët e Champions League gjatë sezonit të kaluar, ndalen në barazim nga Totenhem, në një ndeshje plot emocione, duke vënë në dyshim kualifikimin për në çerekfinale. Nuk parashikohej kaq e lehtë fitorja e Manchester City, që shkatërroi Basel 4-0, duke pritur i qetë kualifikimin. Champions League dhuron emocione të tjera sot në mbrëmje për të mbyllur javën tjetër turin e ndeshjeve të para, me favoritë të tjerë si Barcelona e Bayern.
Juventus-Totenhem 2-2
Juventus fitoi një goditje dënimi që u ekzekutua shpejt nga Miralem Pjanic e Gonzalo Higuain me një trajektore të bukur e dërgoi topin në rrjetë. Pas goli të parë, Juve gjen edhe të dytin falë një 11-metërshi. Ben Davies ndal gabimisht Bernardeschi në zonën e Totenhem dhe gjyqtari nuk nguron, ndërsa Gonazalo Higuain shënon kur ende nuk janë mbyllur 10 minuta lojë. Totenhem, megjithatë rikthehet në lojë, me të zakonshmin Harry Kane, i cili shënoi pas një asisti të Ali, duke mposhtur Buffon. Por kur Juve duhej të mbyllte ndeshjen, në fundin e pjesës së parë, me Higuain i cili humbi një 11-metërsh, në pjesën e dytë e pati të vështirë të mbronte fitoren e ngushtë 2-1. Anglezët u futën në lojë për të gjetur golin e barazimit. Në 72’ Eriksen vë në barazpeshë gjithçka dhe me këtë barazim që lë të hapur kualifikimin mbyllet ndeshja e parë në Torino.
Basel-Manchester City 0-4
Pa histori mbyllet ndeshja mes Basel e Manchester City. Diferencat mes dy ekipeve, ndonëse skuadra e Taulant Xhakës kishte faktorin fushë, dolën në pah brenda 45 minutave të para. Manchester City me plot tre gola të shënuar pa kaluar as 30 minuta mbylli ndeshjen, duke e pritur i qetë kualifikimin në kthim. Ilkay Guendogan, Bernardo Silva dhe Sergio Aguero realizuan tre golat e parë të këtij takimi. Mesfushori kuqezi Taulant Xhaka, siç pritej, humbi durimin dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Me fillimin e pjesës së dytë, Guendogan shënoi golin e katërt dhe të dytin personal. City i drejtuar nga Pep Guardiola , me 16 pikë diferencë ndaj United në krye të Premier League, me këtë fitore hedh kandidaturën edhe për një trofe tjetër më të rëndësishëm, atë të Champions League.
Juventus-Tetenhem 2-2
Shënues: Higuain 2’, 9’/Kane 35’, Eriksen 72’
Juventus (4-2-3-1): Buffon; De Sciglio, Benatia, Chiellini, Alex Sandro; Khedira (Bentancur 66), Pjanic; Bernardeschi, Douglas Costa (Asamoah 90), Mandzukic (Sturaro 76); Higuain. Trajner: M. Allegri
Tottenham (4-2-3-1): Lloris; Aurier, Sanchez, Vertonghen, Davies; Dier, Dembele; Eriksen (Ëanyama 90), Dele (Son Heung-Min 85), Lamela (Lucas 89); Kane. Trajner M. Pochettino
K.V: Benatia, Higuain, Bentancur/ Davies, Aurier
Gjyqtar: Felix Brych
Champions League 1/16-at
(Dje-7 mars)
Juventus-Tottenham 2-2
Basel -Manchester City 0-4
14 shkurt & 6 mars
Porto - Liverpool
Real Madrid - PSG
20 shkurt & 14 mars
Chelsea - Barcelona
Bayern München - Beşiktaş
21 shkurt & 13 mars
Sevilla v Manchester United
Shakhtar Donetsk - Roma