Shoqërohen tre banorë, protestë para drejtorisë së Policisë, Klevis Balliu: Policia trajton më mirë nipin e Enver Hoxhës

Shoqërohen tre banorë, protestë  para drejtorisë së Policisë, Klevis Balliu: Policia trajton më mirë nipin e Enver Hoxhës
Me dhjetëra banorë të Unazës së Re janë mbledhur dhe po protestojnë para drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të protestuar për shoqërimin dhe ndalimin e disa prej tyre.

Në orët e para të mëngjesit policia ndaloi disa nga banorët e Unazës së zonës së njohur të Astirit, ndërsa në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe deputetë të opozitës.

Tre prej banorëve janë arrestuar, ndonëse protesta e tyre ka gati një vit, për shkak se sot ka hyrë në fuqi ligji që kush bllokon rrugët, përbën vepër penale dhe dënohet me burg.

Partia Demokratike, duke cituar banorët e zonës, thotë se janë shoqëruar në polici disa nga zërat kryesore të protestës. Edhe në këto momente forcat e policisë ndodhen atje, ndërsa banorë të tjerë po mblidhen në vendin ku protestojnë prej muajsh.

PD ka publikuar edhe videon e momentit një personi të quajtur Skënder Doda.

Nga protesta pati edhe tensione, madje u provokua një përplasje fizike mes banorëve dhe policisë.

Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, tha se ata që kanë ndaluar qytetarët do të mbajnë përgjegjësi.

"Këta banorë kanë bërë po aq burg, sa ka bërë nipi i Enver Hoxhës, i dënuar për trafik droge. Nuk ka drejtësi, nuk ka demokraci. Do ta mbrojmë pluralizmin në Shqipëri", tha Klevis Balliu.

Ai tha se kryeministri Edi Rama, do të mbajë përgjegjësi dhe të gjithë ata që kanë arestuar banorë të Unazës së Re.

Klevis  Balliu paralajmëroi një protestë sot në ora 18:30, protestë që tha se nuk do të ketë afat.

Njoftimi i Policisë, për ndalimin e tre banorëve:

Bllokojnë rrugën në zonën e Unazës së Re, në pranga tre persona.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit:

- S. D., 56 vjeç;

- G. Sh., 54 vjeç;

- I. K., 51 vjeç (të tre banues në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re).

Mbasditen e djeshme, këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë janë grumbulluar në vende të kalimit publik duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor.

Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimir rrugor duke cënuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit.

/Afp.al/

 

loading...
loading...