PD: Ne nuk i dhamë zgjidhje pronarëve, por sa të vijmë në pushtet anulojmë të gjitha ligjet e Ramës

PD: Ne nuk i dhamë zgjidhje pronarëve, por sa të vijmë në pushtet anulojmë të gjitha ligjet e Ramës
Partia Demokratike thotë se me ardhjen e saj në pushtet, do të anulohen të gjitha ligjet antikushtetuese të qeverisë “Rama” të cilat sipas saj kanë dëmtuar pronarët e vërtetë në përpjekjet e tyre për të marrë pronat.

Jorida Tabaku nga PD, tha sot se Komisioni i Venezias ndan të njëjtin opinion si opozita: Çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

Ndaj, tha Tabaku, “Partia Demokratike në qeveri do të pezullojë të gjitha ligjet antikushtetuese, që u mohojnë të drejtën e pronës pronarëve të vërtetë”.

Sipas Tabakut, që nga viti 2013 Qeveria e Edi Ramës ka miratuar disa ligje për pronën, të cilat kanë një qëllim të vetëm: zaptimin e pronës private dhe publike dhe transferimin e saj tek disa klientë të Edi Ramës.

Sipas opozitës, çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.

Tabaku tha sot se në këtë përfundim ka dalë edhe Komisioni i Venezias, i cili ndan të njëjtin opinion si opozita, Presidenti dhe shoqatat e pronarëve se qeveria shqiptare, me të padrejtë, u heq mundësinë e kompensimit fizik pronarëve, duke i përdorur këto toka për interesat grabitqarë të disa oligarkëve, pa u dhënë pronarëve të vërtetë mundësinë e gëzimit të pronës.

“Komisioni i Venecias ka dalë në përfundimin se edhe ligji i ri për “Tokën”, është në kundërshti me të drejtat e njeriut dhe nuk merr parasysh të drejtat e sanksionuara në konventat ndërkombëtare të njeriut”, - tha zyrtarja demokrate.

Ashtu si çdo ligj tjetër që kanë hartuar për pronën, - vijoi Tabaku, - gjithë paketës ligjore i mungon qartësia, – thotë Venecia,- i mungon saktësia dhe, ç’është më e rëndësishme, ka një fuqi shumë të gjerë rregulluese të Këshillit të Ministrave, ka mungesë të hapave proceduralë dhe afate të caktuara qartë.

Me këtë paragraf Komisioni Venecias përmbledh shumë qartë çdo gjë që ka bërë qeveria për pronën: ka shkelur kushtetutën, ka zaptuar pronën private dhe publike, ka marrë kompetenca që nuk i takojnë, duke ndarë prona private dhe publike me Korporatën e investimeve.

Në deklaratën që mbajti, Tabaku pranoi se dështoi kur PD ishte në pushtet, që të zgjidhë çështjen e pronave në Shqipëri: “Me vetëdijen se gjatë qeverisjes sonë nuk i dhamë zgjidhje çështjes së pronës, Partia Demokratike e ka njohur Komisionin e Venezias me një plan të ri të opozitës për të zgjidhur problemin e pronave. Partia Demokratike në qeveri do të pezullojë të gjitha ligjet anti-kushtetuese, që mohojnë të drejtën e pronës si Ligji Investimeve Strategjike, Ligji për Kompensimin e Pronës të vitit 2015, Ligjin e Kadastrës dhe ligjet e tjera në lidhje me pronën”.

Në vijim, Tabaku parashtroi dhe planet e opozitës kur të vijë në pushtet: “Partia Demokratike në qeveri do të krijojë një bazë të dhënash me të gjitha pronat publike që sot jepen për 1 euro, por në vend që t’u jepen pronarëve, shfrytëzohen nga oligarkët.

Me besimin se pa gëzuar pronën, nuk mund të gëzojmë liri të vërtetë, Partia Demokratike do të bëjë të mundur që të drejtën e pronës ta gëzojnë pronarët e vërtetë, jo miqtë dhe klientët e kryeministrit, siç po ndodh me qeverinë e Edi Ramës. Këto janë bazat mbi të cilat Partia Demokratike do të miratojë një paketë të plotë ligjore që respekton pronarët dhe trajton me drejtësi çështjet e pronave, kthimin apo kompensimin fizik të tyre”.

 

loading...
loading...