Mbyllet zyrtarisht numërimi i votave, shpallen fituesit por ka edhe gjoba. DASH mirëpret krijimin e qeverisë së re

Mbyllet zyrtarisht numërimi i votave, shpallen fituesit por ka edhe gjoba. DASH mirëpret krijimin e qeverisë së re
Lëvizja Vetëvendosja është shpallur fituese dhe Albin Kurti tashmë ka në dorë formimin e qeverisë.

Në kohën kur numërimi i votave të rregullta ka përfunduar, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, po kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave, në nivel vendi. Por ky pretendim është rrëzuar nga KQZ.

Në bazë të rezultatit aktual, pas numërimit të të gjitha votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 25.4 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 21,24 për qind, koalicioni AAK-PSD me 11.57 për qind dhe Lista Serbe me 6.62 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit pritet të marrë zyrtarishtr konfirmimin për krijimin e qeverisë së re, që duket se do ta krijojë në aleancë me partinë e dytë më të votuar, LDK-në.

Por, duke pretenduar se ka disa probleme teknike, PDK dhe LDK po kërkojnë kthimin e procesit të numërimit në pikën zero.

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se rinumërimi i votave duhet të ndodh për faktin se formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.

“Realisht ne kemi kërkuar të numërohen votat e PDK-së, sepse votat tona në të gjithë formularët e vendvotimeve janë bartur te një parti tjetër”, tha Gashi.

Gashi tha se për shkak të këtij gabimi nuk mund të shkruhet saktë rezultati përfundimtar.

Edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar rinumërimin komplet të votave, pasi dyshohet në gabime të ndryshme.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se për të qenë në rregull në aspektin juridik, rinumërimi i votave është i domosdoshëm.

“Kemi kërkuar rinumërim sepse ka qenë një problem teknik që i atribuohet KQZ-së lidhur me procesverbalet e numërimit të votave. Një parti e listuar dhe pjesëmarrëse në garë nuk ka figuruar fare në listë. Ky problem duhet të zbardhet deri në fund për të parë pastaj se si kanë dalur procesverbalet dhe a ka rregullshmëri në renditjen e partive dhe numrave”, tha Haziri.

Haziri ka shprehur bindjen e tij se edhe nëse ndodh rinumërimi i votave nuk do të ketë ndryshim të rezultatit aktual.

“Nuk presim që do të ketë impakt [ndikim] në rezultat, por do të ketë vetëm legjitimitet të procesit”, tha Haziri.

Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se mbështetësit e këtij subjekti politik duhet të jenë të qetë, pavarësisht kërkesave për rinumërim të votave.

“Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumrimi”, ka shkruar Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të dielën, më 6 tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtar, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

Sakaq, parregullsitë janë shoqëruar edhe me gjoba.

Mul Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Pareshtresa është shprehur se rreth 360 mijë euro gjobë janë dhënë ndaj partive politike për shkelje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor.

Partia që është gjobitur më shumë është Partia Demokratike e Kosovës, ku kandidat për kryeministër ishte Kadri Veseli.

“Deri më tani për shkeljet që janë vërtetuar nga paneli, janë gjetur përgjegjëse subjektet politike për ato shkelje, paneli ka shqiptuar gjoba në përgjithësi në vlerë prej 359 mijë e 550 euro, ndërsa më së shumti është gjobitur Partia Demokratike e Kosovës me 100 mijë e 100 euro, LDK me 74400 euro, LVV me 14100, Lista Serbe me 36500, koalicioni AAK-PSD me 89600 euro, NISMA-AKR-PD 33100 euro”, thekson Desku.

Dy ditë pas zgjedhjeve, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehet se  “mirëpret mundësinë për të punuar me një qeveri të re pro-dialog”. Sipas një lajmi publikuar nga Zeri i Amerikës, një zëdhënës i DASH, në deklaratën e parë bërë për zgjedhjet në Kosovë, shprehet se “udhëheqja e re në Kosovë duhet të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi të martën Ambasadorin e SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett. Në një deklaratë të bërë nga Vetëvendosja, thuhet se është diskutuar për “mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë”. Më tej, citohet fjala e Albin Kurtit, ku përsëritet qëndrimi se “dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës.

“Dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Josep Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”./AFP.al/

loading...
loading...