Kuvendi/ Çfarë pritet për shkarkimin e Metës? E ardhmja e Shqipërisë në BE, Kodheli flet për "shkopinj nën rrota"

Kuvendi/ Çfarë pritet për shkarkimin e Metës? E ardhmja e Shqipërisë në BE, Kodheli flet për "shkopinj nën rrota"
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punimet, teksa në seancën e sotme do të diskutojë projektrezolutën “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Po sot në fund të punimeve, Kuvendi do të diskutojë për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Komisioni Hetimor në mbledhjen e 18 Shtatorit vendosi zgjatjen me dy muaj të punimeve.

Mandati i komisionit hetimor mbaron më 8 Tetor, por puna e tij nuk mund të mbyllet, pasi deputetët presin opinionin zyrtar dhe përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Ai do miratohet dhe bëhet publik më 12 Tetor, çka e bën të domosdoshme edhe zgjatjen e afateve të Komisionit Hetimor që ngriti Kuvendi për hetimin dhe shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta.

Gjatë diskutimeve në Parlament, për rezolutën e integrimit të Shqipërisë, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se duhet të punohet pa "shkopinj nën rrota" për t'i dhënë një shans shpresës evropiane të Shqipërisë.

"Asgjë nuk mund të arrihet pa vullnetin e plotë për frymën e  bashkëpunimit ndërpartiak dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile", u shpreh Mimi Kodheli nga foltorja e Kuvendit.

"Kuvendi i ka të gjitha mekanizmat për mbikëqyrjen dhe nxitjen e qeverisë, për zbatimin e përparësive të vendosura nga KE si kusht për çeljen e negociatave."

"Shumë popuj përdorin të njëjtin aforizëm, "shpresa është e fundit që vdes". Le t'i japim një shans shpresës evropiane duke punuar të bashkë dhe pa shkopinj në rrota. Fëmijët tanë duhet të jenë bijtë e shpresës".

"Ju ftoj ta miratojmë rezolutën duke inkurajuar vendet anëtare që në mbledhjen e ardhshme të KiE të shprehin vullnetin për çeljen e negociatave. Shqiptarët e meritojnë", theksoi ndër të tjera Mimi Kodheli.

Sakaq, po sot në Kuvend do të diskutohet projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik”.

Sot shqyrtohet edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet

Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Europian Shqipëri, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë më cilësinë e vëzhgueses, në punën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore dhe mënyrën e kësaj pjesëmarrje në kuadrin e rregullores së Këshillit (KE), nr. 168/2007”.

Kuvendi shqyrton projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, të ndryshuar.

Kuvendi shqyrton sot edhe projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, ngritur me vendimin e Kuvendit nr. 84/2019”. /Afp.al/

loading...
loading...