Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme, Thaçi: Ftoj qytetarët për një pjesëmarrje sa më masive

Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme, Thaçi: Ftoj qytetarët për një pjesëmarrje sa më masive
Sot Kosova në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Në Kosovë zhvillohen sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Votimet e sotme në Kosovë u hapen në orën 7.00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në ora 19.00 të mbrëmjes. Rezultatet priten të mësohen shumë shpejt.

Kjo është hera e shtatë që në mbahen zgjedhje parlamentare, që kur shteti më i ri i Europës shpalli pavarësinë 11 vjet më parë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi Kryeministri ende në detyrë Ramush Haradinaj dha dorëheqjen tre muaj më parë.

Me anë të një postimi në Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës për një pjesëmarrje sa më të madhe në votimet e ditës së sotme.

“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe të ndershëm.;

" Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova”, ishte mesazhi i Presidentit Hashim Thaçi.

Ramush Haradinaj u dorëhoq, për shkak se u ftua të dëshmonte në Gjykatën e Hagës dhe deklaroi në atë kohë se nuk dëshironte të shkonte në këtë institucion, si kryeministër i Kosovës.

Në zgjedhjet e sotme, marrin pjesë 25 subjekte politike, 20 prej të cilave parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, janë paraqitur 1068 kandidatë, të cilët garojnë për 120 vende në parlament. Kushtetuta e Kosovës, u garanton pakicave 20 vende në parlament, 10 prej të cilave komunitetit serb të Kosovës.

Koalicionet më dominuese në zgjedhjet e sivjetshme janë Lëvizja Vetëvendosje (VV), LDK, PDK, koalicioni AAK-PSD dhe koalicioni NISMA-AKR.

Pa zgjedhjeve, pritet të dali parlamenti dhe qeveria e re e Kosovës. Postin e kryeministrit e synojnë 7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike, dy prej të cilëve shihen si më favoritët, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Në zgjedhjet e 6 tetorit janë ftuar 1,937,868 qytetarë të Kosovës që kanë të drejtë vote.

Ata do të votojnë në 895 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 547 vendvotime.

Fushatën zgjedhore dhe zgjedhjet kosovare i ndjekin mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe mbi 34 mijë të tjerë nga shoqëria civile.

Lidhur me problemet e mundshme apo incidente gjatë zgjedhjeve, janë ngarkuar të monitorojnë procesin 100 prokurorë kujdestarë.

Subjekteve politike u është bërë thirrje që procesi zgjedhor të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës.

Ndërkombëtarët kanë deklaruar disa herë se nuk përkrahin asnjë forcë politike apo koalicion.

Zgjedhjet e 6 tetorit konsiderohen të rëndësishme për integrimin dhe të ardhmen e Kosovës në BE.

loading...
loading...