Kokëdhima: Basha kërkon ruajtjen e monopolit PS-PD mbi zgjedhjet

Kokëdhima: Basha kërkon ruajtjen e monopolit PS-PD mbi zgjedhjet
Partia Demokratike prezantoi sot “Platformë e opozitës për Reformën Zgjedhore’, duke vlerësuar se kjo do ta nxjerrë vendin nga kriza dhe duke i kërkuar kryeministrit që ta zbatojë, ose të largohet nga pushteti.

Koço Kokëdhima, kryetar i partisë Zgjidhja dhe ish aleat i fortë i Edi Ramës thotë se platforma opozitare është hartuar që të mos ndryshojë asgjë nga monopoli PS-PD mbi zgjedhjet, nuk zgjidh, por i rëndon krizat që kalon vendi dhe çimenton për dekadat e ardhshme pushtetin bipartizan të dy partive të vjetra, duke e shkatërruar përfundimisht Shqipërinë.

Sipas Kokëdhimës, Basha po kërkon një pazar tjetër PS-PD për Kodin Zgjedhor, të certifikuar nga ndërkombëtarët. Edhe pse thotë se diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke ftuar në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile, kryetari i PD-së kërkon që komisioni i reformës zgjedhore të drejtohet nga një strukturë e organizmave ndërkombëtarë si OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj., një përfaqësues i parlamentit dhe një përfaqësues i opozitës që drejton PD-ja. Kështu ai lë jashtë procesit partitë e tjera joparlamentare, shoqatat, inteligjencën dhe përfaqësuesit më në zë të diasporës së madhe shqiptare.

Basha nuk ka ndërmend të heqë dorë nga administrimi politik i zgjedhjeve. Ai shprehet se ‘KQZ nën kontrollin politik të partisë në pushtet nuk garanton paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore, duke anulluar të gjitha garancitë që ofron ligji për subjektet zgjedhore’, duke kërkuar që të mbetet në këmbë KQZ-ja e drejtuar nga tri parti të vjetra, që numërojnë votat e të gjitha partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Ai, bashkë me PS-në dhe LSI-në, nuk ka ndërmend të lëshojnë as KQZ-në dhe as KNV-të e mbushura me militantët e tyre që vjedhin dhe trafikojnë votat e partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Partia ‘Zgjidhja’ i bën thirrje Lulzim Bashës që ta tërheqë urgjentisht këtë “platformë’ që është pazari i radhës me Edi Ramën, që nuk e zgjidh krizën, por e shtresëzon atë dhe e shemb përfundimisht demokracinë shqiptare. ‘Zgjidhja’ u bën thirrje edhe partive që janë në aleancë me PD-në që të mos bëhen pjesë e këtij pazari të ndyrë për një vend të premtuar në listën e PD-së për deputetë.

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, ‘Zgjidhja’ i bën thirrje OSBE-së dhe miqve të tjerë të Shqipërisë që të refuzojnë monitorimin dhe certifikimin e pazarit të radhës të partive të vjetra, që jo vetëm nuk përmbushin rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por e gjymtojnë reformën e shumëpritur zgjedhore dhe e lënë sërish Shqipërinë, të vetmin vend në Europë që nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të barabarta, përfundon deklarata e Kokëdhimës.

loading...
loading...