Holanda e paqartë për Shqipërinë, Franca mban "çelësin" e negociatave

Holanda e paqartë për Shqipërinë, Franca mban "çelësin" e negociatave
Holanda mbetet e dyzuar për t'i ndezur Shqipërisë dritën jeshile mbi çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.  Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok, i pranishëm dje në komisionin parlamentar për çështjet europiane të Parlamentit holandez shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për veton ndaj Shqipërisë.

Holanda duket se po pret vendimin e Francës, një vendim që pritet të mësohet më 15 tetor.

"Vendet kandidate duhet te përmbushin kushtet strikte përpara se të bëjnë një hap tjetër në procesin e integrimit. Holanda ndjek në mënyrë  kritike progresin në të dyja vendet dhe është e mendimit se Këshilli duhet të vlerësojë secilin vend sipas meritave të veta. Holanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar",  thuhet në njoftimin e ambasadës holandeze publikuar mbrëmë menjëherë pas përfundimit të seancës në komisionin e Jashtëm të Parlamentit në Holandë.

Ndërkohë për Gjermaninë çelja e negociatave lidhet me plotësimin e 6 kushteve, dy prej tyre sa më parë. Gjermania ka paralajmëruar se vendimi mund të shtyhet deri në muajin Dhjetor, kohë kur Shqipëria do të ketë mundur të realizojë dy kushtet paraprake dhe Holanda e Franca do të jetë bindur për të dhënë "ok" -in.

Qeveria holandeze mendon se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave, por ka ende paqartësi nëse do të vërë veton për këtë vendim në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në 15 Tetor apo samitin e liderëve europianë në 18 Tetor.

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok u pyet  nga deputetët nëse duhen hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë apo jo. Ministri shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për veton ndaj Shqipërisë, por ndryshe nga përgjigjja për Maqedoninë, la të kuptohet se Shqipëria nuk është në nivelin e duhur për hapjen e negociatave.

Pas pyetjes të tre partive të koalicionit qeveritar nëse mbetet në fuqi mocioni i aprovuar nga 2/3 e deputetëve holandezë për Shqipërinë, ai është shprehur se ky mocion mbetet në fuqi./Afp.al

loading...
loading...