FSHF/ Mblidhet Disiplina, ja çfarë rrezikon Tirana pas trazirave në derbi?

FSHF/ Mblidhet Disiplina, ja çfarë rrezikon Tirana pas trazirave në derbi?
Pas pak mblidhet Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit, ku mes të tjerave do të vendoset se çfarë do të ndodhë me tifozerinë e Tiranës, për ngjarjet dhe incidentet e shumta, që ndodhën në derbin e fundjavës së shkuar.

Duke qenë se sot zhvillohen ndeshjet e kthimit të javës së parë të Kupës së Shqipërisë, komisioni vendosi të mblidhet që në mëngjes për të dhënë një vendim.

Mes vendimeve të pritura për këtë ndeshje është zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë për skuadrën e Tiranës.

Megjithatë një ndryshim nga rastet e tjera duke parë distancimin e klubit bardheblu nga incidentet, mund të ketë një dënim selektiv dhe jo më kolektiv për tifozerinë e Tiranës, duke mbyllur kështu sektorët e grupimeve të tifozerisë, që shkaktuan problemet. Dy klubet pritet të përballen me gjoba, ndërsa Tirana me gjasa do të luajë një ose më shumë ndeshje pa tifozë.

Ndeshja Tirana-Partizani përfundoi me fitoren e të kuqve 2-1.

Por nga incidentet e rënda që ndodhën të dielën në derbi, masat nuk do të jenë vetëm sportive.

Policia dhe prokuroria e kanë çuar nën hetim 29 numrin e personave, të dyshuar si përgjegjës për dhunën dhe incidentet. Ata po hetohen kryesisht në gjendje të lirë nga policia. Materialet ndërkohë i janë referuar prokurorisë së Tiranës, ku në ditët në vijim pritet edhe akti i ekspertizës. Në rast se rezulton se gropat e hapura të disa tifozëve të Tiranës, ku do të vendoseshin lëndë të shumta shpërthyese, kishin si qëllim dëmtimin e tifozëve rivalë, atëherë çështja mund të hetohet edhe për një akt terrorist, siç pretendoi klubi i Partizanit.

Edhe pse Tirana është distancuar nga dhuna, madje u pezullua drejtori i stadiumit "Selman Stërmasi", bardheblutë janë subjekt i tre neneve të komisionit të disiplinës, për diskriminim, për dështimin në përmbushjen e përgjegjësive dhe për përgjegjësitë që ka për sjelljen e spektatorëve./Afp.al/

loading...
loading...