Banka e Shqipërisë dhe qeveria thonë se ka shumë të holla në qarkullim

Banka e Shqipërisë dhe qeveria thonë se ka shumë të holla në qarkullim
Popullsia shqiptare ka një përfshirje të ulët financiare, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, por dhe me vendet e rajonit.

Të gjitha këto reflektohen në një përdorim të lartë të parasë fizike në ekonominë shqiptare.

Kështu u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë sesionit të pestë të Komitetin Kombëtar të Sistemeve të Pagesave, i cili theksoi nevojën e një strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar, e cila do të minimizojë përdorimin e parasë fizike.

Nga studime empirike të kryera nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore rezulton se përdorimi i cash-it në ekonomi, përtej efekteve zbehëse te mekanizmat e Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atij financiar, dhe zhvillimit ekonomik, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”, pohoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.

“Krijimi i Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në veçanti në ato europiane”, tha Sejko. Komiteti është konceptuar si një entitet strategjik, konsultues dhe komunikues, vendimet e të cilit kanë për objektiv mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve pjesëmarrëse në fushën e pagesave. Në këtë kuadër, vlen të theksojmë se gjatë këtyre 5 vjetëve janë arritur rezultate të rëndësishme, ku ndër më të spikaturit konsiderohet miratimi i Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023).

Për rrjedhojë, strategjia në fjalë synon të krijojë një treg bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin.

“Kjo strategji, e ndërtuar me mbështetjen mjaft të vlefshme të Bankës Botërore, është produkt i një pune të gjatë studimore dhe analitike, dhe synon të adresojë më së miri nevojat e tregut vendas”, tha Sejko.

Realizimi i këtij vizioni vlerësohet të materializohet nëpërmjet një sërë zhvillimesh jo vetëm ligjore e rregullative, por edhe infrastrukturore, të cilat promovojnë zhvillimet teknologjike dhe inovacionin në tregun e pagesave.

“Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj se përfshirja e zhvillimeve të teknologjisë së informacionit në shërbimet financiare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e bankave qendrore dhe të autoriteteve rregullative e mbikëqyrëse në mbarë botën. Praktikat ndërkombëtare dhe ato vendase diktojnë se një përqasje gjithëpërfshirëse nëpërmjet bashkëpunimit mbështet ndjeshëm arritjen e rezultateve efektive dhe optimale”, pohoi guvernatori.

Ministrja e Financave Anila Denaj u shpreh se aksioni ant-infromalitet duhet të shoqërohet edhe me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe hartimin masash ligjore.

Komitetin Kombëtar të Sistemeve të pagesave është krijuar në vitin 2015.

loading...
loading...