Ambasadori gjerman: Zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga partitë shqiptare

Ambasadori gjerman: Zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga partitë shqiptare
Debati në Bundestag është një dëshmi se Shqipëria do të pranohet në BE. Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf e ka komentuar vendimin e parlamentit të vendit të tij duke iu referuar medias dhe sipas pikëpamjes se është sinjal pozitiv.

“Debati në Bundestag ishte i thellë dhe serioz, kjo ashtu siç është shprehur dhe një gazetar gjerman është një dëshmi që Shqipëria do të pranohet në BE. Në të vërtetë Bundestagu ka formuluar disa kushte që duhet të plotësohen në një hap të parë dhe më pas në një fazë të dytë duhet të plotësohen kushtet e tjera. Është e rëndësishme që të theksojmë tani po pritet se çfarë vendimi do të marrin dhe vendet e tjera të BE. Kushtet që u formulën ishin artikuluar prej kohesh para këtij vendimi”, tha Zingraf.

Nga ana tjetër ambasadori gjerman nuk ka ngurruar të apelojë për zgjidhjen e konflikteve politike nga vetë partitë politike.

“Jam i bindur që zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga partitë politike, nga institucionet shqiptare, Gjermaninë nuk e shoh në rolin e ndërmjetësit. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë teknike. Pjesëmarrja në tryezën e Reformës Zgjedhore të shumë partive politike ishte sinjal pozitiv”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në kuvendin e Shqipërisë ka nisur miratimi i një rezolute për këtë hap në pritje, nisur nga komisioni i integrimit evropian, thelbi i të cilit ka të bëjë me angazhime brenda vendit dhe kërkesë ndaj Vendeve Anëtare që të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.

loading...
loading...