Shpallet në kërkim administratori i “Gega Oil”

Shpallet në kërkim administratori i “Gega Oil”
Policia njoftoi se ka shpallur në kërkim Paulin Gegën administratorin e “Gega Oil”, një nga shoqëritë më të mëdha të karburanteve në vend. Gega akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Sipas policisë në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, ajo ka ushtruar kontroll në datën 07.08.2019 në “Gen Klaudis” sha.

Sipas njoftimit “nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt”. Pas hetimeve intensive është arritur në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregëtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme. Ky shtetas është proçeduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave. Policia njofton se prokuroria ka nxjerrë një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezultoi se është larguar nga vendi të premten më 9 gusht.

loading...
loading...