Zaev bie në kurthin e komedianëve rusë, pranon se ra “viktimë” me orientim anti-Nato

Zaev  bie në kurthin e komedianëve rusë, pranon se ra “viktimë” me orientim anti-Nato
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev është vënë në shënjestër të dy humoristëve rusë, të cilët përmes telefonit i janë prezentuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Një gjë e tillë, bëri bujë në Shkup pasi zoti Zaev në bisedë dëgjohet duke folur për gjëra të konsideruara si sekrete shtetërore për çka ka reaguar ashpër opozita maqedonase.

Zaev gjatë një konference shtypi sot kërkoi falje duke thënë se ishte bërë viktimë e mashtruesve me orientime anti-NATO.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u kishte besuar telefonatave në fund të gushtit 2018 dhe në janar të 2019-s nga persona të prezentuar si ish-kryeministri ukrainas Petër Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Ai e kuptoi mashtrimin vetëm pasi dy humoristët e njohur rusë Vovan dhe Leksus e publikuan këtë të hënë mbrëmje në youtube bisedën telefonike.

Zoti Zaev thotë se ishte bërë viktimë e strukturave mirë të organizuara qëllimi i të cilave është që t’i shkaktojnë dëme direkte interesave strategjike Maqedonisë së Veriut në lidhje me integrimin në NATO.

“Manipulimet, - shtoi zoti Zaev, - vinin nga media propaganduese me orientim anti-Nato për shtrirjen e ndikimit të palëve të treta”.

Kryeministri maqedonas pranon se nuk ishte viktima e parë e këtyre mashtruesve dhe se para tij në shënjestër të këtyre manipulimeve kishin qenë Sekrteari i NATO-s, Stoltenberg, ish-ministri i jashtëm britanik Boris Johnson dhe personalitete të tjera të jetës politike apo shou-biznesit.

Mes të tjerash, komikët duke u shtirur si Poroshenko, i thonë zotit Zaev se do të mund të ndihmonin në lidhje me njohjen e autoqefalisë së Kishës ortodokse maqedonase por se për këtë duhej t’i paguante 100 mijë euro Patriarkut Bartolomej, me çka kreu i qeverisë maqedonase duket të ishte pajtuar.

Në bisedën telefonike flitet edhe për çështje si Marrëveshja e Prespës, raportet me Rusinë, BE-në e NATO-n, teksa Zaev shprehet i shqetësuar për ngjarjet midis Kosovës dhe Serbisë, për çka dëgjohet duke thënë se “ato po përpiqen të shkëmbejnë territore” duke u hamendësuar nga ana tjetër se këtu mund të ketë ndikim rus dhe duke theksuar frikën për të ardhmen e Ballkanit.

Opozita e drejtuar nga VMRO-DMNE-ja e ka quajtur një skandal serioz bisedën e kryeministrit me dy mashtruesit rusë, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e zotit Zaev dhe të ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov për shkak të lëshimeve në protokollin diplomatik.

Kryeministri Zaev i hodhi poshtë akuzat se kishte folur për sekrete shtetërore në këto biseda të manipuluara me telefon. Ndërkaq, la të kuptohej se qeveria e tij do ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve të protokolleve në lidhje me sigurinë e komunikimit dhe kundër përhapjes së dizinformatave./VOA/

loading...
loading...